Urtësi

Pasiguria, rrugë që nuk të çon askund - Nga Çapajev Gjokutaj

Nga: Çapajev Gjokutaj

Me qindra herë jam gjendur para detyrash të vështira, nga ato që në kontaktin e parë të trullosin e të bëjnë të ndiesh para kohe shijen e disfatës.

Në fillim humbisja goxha kohë duke u marrë jo me detyrën e vështirë, por me frikërat e mia. Është rrugë që s’të çon kund.

Gradualisht përvoja të mëson se ilaçi më i mirë janë gjakftohtësia dhe racionaliteti. Në vend të projektosh frikëra për dështimin e nesërm, përpiqu ta perceptosh sadokudo gjithë procesin, si dhe të caktosh një lloj itinerari: nga do t’ia nisësh, si do të vazhdosh dhe ku do të bitisësh.

Pas kësaj futju punës duke u përqëndruar tek ajo që duhet të bësh çdo ditë, pa e vrarë shumë mendjen për dilemën 'ia dal s’ia dal'. ‘Hyjme njëherë në betejë, pastaj detajojmë planet’, thoshte Bonaparti që ishte strateg si ai e rrallëkush tjetër.

Kjo qasje shërben si kalë që gjithnjë të nxjerr në breg dhe s’të lë të humbasësh në dallgët e frikërave dhe pasigurive.

Edhe kinezi i anekdotës pat ndjekur të njëjtën rrugë: kish lenë mënjanë dilemën 'bëhet s’bëhet' dhe me një kovë, me punë të përditshme e këmbëngulje disavjeçare, kish zhvendosur një kodër të tërë.