Urtësi

Thellë dhe lart, drejt autentikes - Nga Dom Gjergj Meta

Unë jam lindur e rritur në bregdet, kam mësuar notin qysh herët, sapo kam nisur të eci. Mëngjeseve herët notoja shpesh i vetëm, i qetë, ngadalë, drejt thellësisë. E ndalesha diku në thellësi, kthehesha me bark e rrija pezull mbi ujin e kripur të Adriatikut e kundroja qiellin e kaltër. Rrezet e diellit ishin aq sa mos të përvëlonin krejt trupin e i kënaqesha përkëdheljeve të tyre.

Tani kam fatin të ngjitem maleve, sa herë mundem, e të shijoj ajrin e freskët të bjeshkëve, aromën e luleve në livadhe, këngën e zogjve, freskinë e gurrave të malit.

Jeta e përditshme nganjëherë na rrëmben, e ajo mbart rrezikun që të tërheqë si një vorbull drejt cektinës dhe kënaqjes me ujëra të ndenjura kënetash kundërmuese.

Vetëm kur je në thellësi dhe në lartësi merr frymë lirshëm, trupi freskohet e mendja oksigjenohet. Vetëm atëherë e kupton se sa pa kuptim është cektësia, këneta dhe llumi ku shpesh kemi dëshirë të jetojmë, sepse nuk kemi guximin të bëjmë më shumë.

Prandaj mos u ndalni asnjëherë në breg, në cektina me ujë të turbullt. Mësoni notin e hyni thellë, aty ku ujërat janë kristal e mund të shihni fundin. Dilni në det të hapur, në oqean e mos rrini në pellgje uji të ndenjur. Ngjitni lartësitë e maleve e shmangni kënetat ku të mbysin mushkonjat dhe kundërmimi i ujit të ndenjur.

Zhytuni në thellësitë e dijes, ngjitjuni majave të mendimit, lart, lart atje ku ndoshta duket sikur ke marramendje, por në fakt gjendet autentikja, e pastërta, e kthjellëta, esenca e gjërave.

Aty gjendet edhe paqja me vetveten, një visar pa çmim në kohën tonë.

©Dom Gjergj Meta