Urtësi

Shpresa, varëse e padukshme që e mbajmë “gjoksitur” të gjithë - Nga Burim Bardhari

Shpresa e qypit të Pandorës dhe dhurata e Kalit të Trojës. Lufta e lehtë e mashtrimit të mendjes dhe pasojat nga shpresa dhe dhuratat.

Shpresa si dhurata kurrë nuk është falas sepse magjeps dhe pushton mendjen, madje edhe mbreti strofullon shpresën e të shikon në duar kinse je “dimërgjyshi” i dhuratave përallore nëse i ke sjellë ndonjë dhuratë tjetër, pavarësisht se nuk i mungon asgjë, njëlloj si pleqtë e harruar të shtëpisë për të cilët mjafton një tufë lulesh ose përshëndetja dhe buzëqeshja e ngrohtë.

Sipas mitologjisë, ligësitë e kësaj bote burojnë nga zonjusha Dhurata, shqipërim i emrit Pandora (gjithë dhuratat), e cila paraqitet si femra fatale me bukurinë vrastare të Afërditës por e ndërtuar prej balte nga vetë Zeusi zuzar dhe ziliqar i cili pararendësisht e kishte dënuar kunatin e saj Prometeun titan pasiqë ai vodhi zjarrin e ndaluar për të ndihmuar njerëzimin e brishtë ngase zjarri ishte e drejta e veçantë vetëm për 12 votat – 12 zotat (hyjnitë e vetëquajtur) Olimpike.

Pandora pranoi një qyp të çmuar nga Zeusi i cili e këshilloi të mos e hapte por njëkohësisht bukuroshen e kishte kurdisur me kureshtje të pashuar dhe ajo nga tundimi e hapi qypin që ndryshe njihet edhe si arka (kutia) ose sënduku i Pandorës dhe të gjitha të këqijat ikën jashtë përfshirë pangopësinë, lakminë, urrejtjen, dhimbjen, sëmundjen, varfërinë, luftën dhe vdekjen dhe derisa ajo kujtoi ta mbyllte shpejtësisht, brenda ngeli vetëm shpresa. Pse?

Shtrohet pyetja, sipas Hesiodit, se pse vetëm “Shpresa” ngeli brenda, ç’qe qëllimi i Zeusit, vallë edhe shpresa, si ligësitë tjera, është helm mashtrimi nga pritshmëria përtacore dhe mosveprimi, apo shpresa ështe shërimi i tyre; dinakërisht vendosur në rast nevoje në të njëjtin qyp edhe virusi edhe vaksina, barazim si dualiteti në harmoni apo medaljoni me dy anë të kundërta në të njëjtën bashkësi.

Shpresimi rrjedhimisht u studiua me admirim por edhe nënçmim nga shumë filozofë të njohur si Platoni, teologu Akuinas, Kanti e Niçe më vonë dhe secili shkëpuste një tipar natyre duke paralajmëruar përfitimin ose rrezikun nga shpresimi i rremë që ështe e vërtetë sepse bekimi i shqiptuar tradicionalisht si “ishallah” nuk nënkupton se Zoti punon për njeriun dhe nuk i përmbushet lutja vetëm se shqiptohen fjalët e shenjta.

Disa studiues fetarë shkuan aq larg, saqë e përbuzën dhe e përjashtuan nga kategoria e virtyteve fetare siç është dashuria dhe besimi, sepse kur ke besim të patundur atëhere nuk ka nevojë për shpresim. Mirëpo edhe besimi i  patundur duhet të prodhojë dëshmi dhe nuk mjafton vetëm hamendësia e verbër si për disa besime që kufizohen me bestytnitë sepse duke besuar verbërisht në ardhjen e dyte të Jezuit/Isait kaluan mbi dymijë vite pa asnjë lajmërim të rrufeshëm; sepse mos ishte shpresimi njeriu poashtu nuk ndërmerrte rrezikun e punës së mbarë, madje në mungesë të shpresimit njeriun e kaplon ose mllefi dhe i tërbuar para dite urren gjithë botën ndërsa pasdite urren edhe veten ose pastaj kur soset fuqia dorëzohet dhe tërhiqet në vuajtje nga limontia pa ndjesi, prandaj shpresa nuk vdes e fundit por mbijeton dhe është e amshueshme falë vetë Krijuesit të Mosdukshëm që e dhuroi për njeriun enkas të papërsosur, që njeriu të zbulojë e të shijojë, të gabojë e mëkatojë dhe pastaj të pendohet e të mësojë.

Mjerisht, mendja e njeriut nuk farkëtohet gjithmonë me mburojën e arsyes dhe si zonjushja e çiltër pranon dhurata që kushtojnë më shtrenjtë se çmimi përkatës duke mashtruar veten se gëzon të drejtën e nderimit edhe pse ato janë lajka dhe vetëm vonohet pak pashmangshmëria e pagimit të faturës. Nga ky këndvështrim, helenët dhelprakë dhuruan kalin Trojës që ta pushtonin kalanë nga brenda, prandaj si mësim nga pësimi nuk duhet pranuar dhurata qofshin të prekshme si kali dhuratë me dhëmbë të pakalbura, qofshin ideologjike e fetare sepse janë të stolisura me premtime të rreme dhe e kanë bishtin prapa.

Zgjim e Zgjuarsi!

©Burim Bardhari