Urtësi

Jeta në rrjedhë… - Nga Dom Gjergj Meta

Jeta është një lumë me shumë shtretër e nënshtretër. Ajo që shihet është rrjedha e sipërme, e dukshme për sytë tanë. Ajo që duket është jeta e cila ikën mes angazhimesh, suksesesh e dështimesh. Është jeta e funksioneve që kemi, e relacioneve që ndërtojmë, e shqetësimeve dhe gëzimeve që kemi. Është jeta që jetojmë për dhe me të tjerët.

Por ka edhe një rrjedhë tjetër, të nëndheshme, herë të heshtur e herë të zhurmshme, të cilën ndonjëherë nuk e dëgjojmë as vetë ose i ndiejmë vetëm gurgullimën e nëndheshme. Ajo është vetëm e jona dhe pikërisht ajo i mban të gjitha rrjedhat e tjera e iu jep drejtim atyre.

Të gjitha rrjedhat e tjera janë të ndryshueshme sipas moshës, njerëzve që takojmë në jetë, detyrave që kemi, sukseseve që arrijmë apo dështimeve që pësojmë. Ato nuk e përcaktojnë rrjedhën tonë, e cila është vetëm e jona.

Pikërisht aty, te ajo rrjedhë e nëndheshme, e thellë, gjendet esenca jonë, ajo që na bën të jetojmë edhe kur na duket se gjithçka përreth nesh ka vdekur, edhe kur rragatemi me kohën e cila kalon duke na thinjur flokët a rrudhur ballin. Kur jemi në kontakt me atë rrjedhë, nuk ka kurrë moshë as plakje e as vdekje, sepse ajo nuk matet me to. Ajo është përjetësi!

©Dom Gjergj Meta