Urtësi

Më mëso Zot përulësinë! - Nga Endrit Mullisi

U bënë ca muaj, ndoshta dy vjet, që dy gra të cilat punojnë në fushën e Real Estate, sjellin në të njëjtën ditë reklamat e tyre tek shtëpia. Përveç mbiemrit shumë të ngjashëm, ato kanë një të përbashkët të çuditshme. Të dyja deklarojnë që janë shitëset numër 1 në zonë. Në një prej reklamave, numri 1 dilte bazuar në numrin e shitjeve referuar në një term që as doja ta kuptoja. Në fakt të dyja shesin mirë, sepse tabelat e tyre i shoh vazhdimisht nëpër shtëpitë e lagjes.

Një mani e madhe për t’u thënë të tjerëve që je njëshi më bezdis. Më bezdis edhe kur ca shqiptarë për arësye që veç ata i dine, të thërrasin me shprehjen “O njësh!”.

Kjo mani për të shitur veten si më i miri është kudo, që nga ata që shesin libra dhe e quajnë veten “bestseller”, deri tek ato yjet që i vendosnin hotelet shqiptare vetes pa kursim.

Që kur erdha në Kanada, sikur më ranë veshët rehat nga “të parët e klasës”. Përveç ndonjë foto krenarie që më del rastësisht nga ata që kam miq në Facebook, që si pa dashje sikur thotë “fëmija im është njësh”.

Mu kujtua pastaj ai notari në Amerikë, që nuk fitoi dot medalje mes çunave, kështu që tha “jam gocë” dhe u bë njësh në mes të notareve goca. Paçka se të gjitha “veglat” vazhdon t’i ketë mashkullore, i pëlqen të jetë i pari mes femrash.

Mu kujtuan pastaj ca kryeministra, që u duket vetja më njësha, kur zgjedhin rreth vetes persona që i bëjnë të ndjehen më të gjatë, më të mirë, më burra, tamam njësha.

Dhe pastaj më dolën para sysh fytyrat e kushedi sa njerëzve që më kanë thënë që janë “njësha” në fushën e tyre: shofera që ecnin në Krrabë me shpejtësi, edhe pse kundërmonin alkool. Specialistë të fushës së ndërtimit, që me zëra të ngjirur nga duhani, më thonin që ishin njësha në punën e tyre. Pastaj reklamat e politikanëve, të muzikantëve dhe deri tek disa drejtues kishash që nënshkruajnë thëniet e tyre dhe sigurohen që t’i bëjnë edhe vetë “like”.

Pastaj m’u kujtua Jezusi, që megjithëse ishte njëshi që nga fillimi, jetoi përulësisht duke u shërbyer atyre që shpesh nuk do e falënderonin. Ky Jezus u tha dëgjuesve të tij, që të kishin kujdes dhe nëpër gosti të mos shkonin dhe uleshin në krye të vendit se mos vinte dikush më i rëndësishëm dhe e spostonin.

Mu kujtua “ler një tjetër të lavdërojë dhe jo ti vetveten”.

Ndërsa reflektoj për njëshat, që më mbushin sytë herë pas here, pëshpëris: “më mëso Zot përulësinë!”.

© Endrit Mullisi - Pastor i Kishës Ungjillore Shqiptare, Toronto