Urtësi

Çmim që ia vlen, ose jo!

*Lexova librin “After dark” të Haruki Murakami, dhe diku mes faqeve më doli një fabul të cilën po e sjell të përkthyer.

"Një ditë tre vëllezër dolën për peshk por gjatë lundrimit i zuri një stuhi e fortë. Varka lëkundej sa andej e këndej derisa dallgët e shtynë atë në një ishull të pabanuar. Panorama ishte piktoreske, me arra kokosi e plot pemë bollshëm me fruta ku dallohej lehtësisht edhe një mal i lartë e i madh mes ishullit. Vëllezërit u mahnitën nga bukuria, pjelloria e bollëku i natyrës ua hoqi atyre frikën e zorrëtharrjes. Shumë shpejt ia mbërriti edhe nata. Vëllezërit u sajuan për të fjetur e gjumi nuk vonoi t’i merrte.

Për çudi, të treve iu shfaq në ëndërr Zoti që u tha: "Pak më tutje bregut, do të gjeni tre gurë të mëdhenj e të rrumbullakët". Unë dua që secili prej jush të shtyjë gurin e tij drejt malit aq sa të dojë. Vendi ku do ndaloni së shtyri gurin do të jetë vendi ku do të jetoni. Sa më lart të shkoni, aq më shumë botë do të mund të shihni prej shtëpisë juaj. Varet tërësisht nga ju se sa larg dëshironi të shkoni me gurin tuaj”.

Të nesërmen, të tre vëllezërit gjetën tre gurët në breg, ashtu siç u kishte thënë Zoti. Dhe ata filluan t'u mëshonin atyre sipas porosisë. Gurët ishin të mëdhenj e të rëndë, kështu që rrokullisja ishte e vështirë dhe shtyrja e tyre nëpër rrëpirën e malit kërkonte goxha përpjekje.

Vëllai më i vogël u dorëzua i pari. Ai tha: 'Vëllezër, ky vend është mjaftueshëm për mua. Është afër bregut dhe mund të peshkoj. Ka gjithçka që më nevojitet për të vazhduar jetën. Nuk më prishet punë po të mos shoh aq shumë botë prej këtej.’

Dy vëllezërit e tij më të mëdhenj vazhduan, por kur ishin në mes të malores, vëllai i dytë ndaloi.

Ai tha: 'O vëlla, këtu duket se ka gjithçka që më nevojitet për të jetuar. Po e quaj këtë tokë vendin tim. Nuk e kam problem nëse nuk do arrij të shoh më shumë botë prej këndej”.

Vëllai i madh vazhdoi t’i ngjitej malit. Traga po bëhej edhe më e thiktë dhe e ngushtë por ai nuk dorëzohej. Kërkonte të shihte më shumë botë, më shumë, më shumë e prandaj i mëshonte me gjithë fuqinë e trupit gurit të tij. Kështu vazhdoi me muaj të tërë, derisa e rrokullisi gurin në majën e malit të lartë. Atje ai u ndal dhe vrojtoi botën. Tani ai mund të shihte më shumë se kushdo. Ky ishte vendi ku ai do të jetonte - ku nuk rritej bar, ku nuk fluturonin zogj, ku i vetmi burim uji ishte akulli e ngrica e burim ushqimi myshku. Por ai nuk ndihej i penduar, sepse prej andej mund të shihte gjithë botën. Dhe kështu, edhe sot, guri rrumbullak qëndron madhështor në majën e atij mali në një ishull të Hawaii".

*Përktheu: Jeta Dedja ©FlasShqip