Urtësi

Jeta, kjo dramë që na takon ta luajmë - Nga Dom Gjergj Meta

Ne nuk e dimë sa jetë kemi ende për të jetuar, sa ditë, javë, muaj apo vite. Secili nga ne ka një marrdhënie të caktuar me jetën, por përvoja dhe koha që kalon më thonë se sa më shumë kalojnë vitet aq më shumë vetëdijësohemi për jetën dhe vlerën e saj. E shohim që ajo do të ketë një limit, një cak e se një ditë ai cak do të trokasë në derën e ekzistencës tonë.

Trokitjet, për hir të së vërtetës, i ndjejmë çdo ditë. Herë na trembin e herë na vënë në mendime. Një rrudhë, një flok i bardhë, një lodhje a një sëmundje, janë trokitje herë të lehta e herë të forta nga ato që ta prishin gjumin. E kuptojmë dalëngadalë se janë paradhomat e takimit final.

Atëherë jeta nis e rrjedh me krejt forcën e saj duke u kthyer në një betejë me muzgun ashtu si Jakobi në luftimin e tij me Hyjin.

Paradoksalisht takimi me vdekjen kthehet në një betejë për jetën. Ashtu ishte për mua kur gjyshja ime vdiq para 33 vjetësh e unë sapo kisha nisur adoleshencën time. Për herë të parë aty vdiq diçka edhe prej meje e kështu limiti nisi rrugëtimin e tij bashkë me mua. Të gjitha vdekjet përreth, afër apo larg meje janë një thirrje e vazhdueshme e përgjegjësisë së jetës.

Kur lexoj pohimin e Jezusit në Ungjillin e Gjonit që thotë për veten e tij: “Unë jam rruga, e vërteta dhe jeta”, shpesh mendoj se janë tre nevojat thelbësore të çdo njeriu: kuptimi i ekzistencës që ka si metaforë drejtimin e udhëtimit; e vërteta si një aspiratë e pakompromis e njeriut; jeta e cila luhet në koordinatat kohë dhe hapësirë të ekzistencës tonë që për ne mbarojnë me frymën tonë të fundit.

Sado besimtar apo ateist të jetë dikush, takimi më pulsin dhe ritmin e jetës do të ngjallë gjithnjë pyetje dramatike që kërkojnë përgjigje personale, jo të parapërgatitura, të lexuara në ndonjë libër apo të mësuara nga të tjerët. Përballë esencës së jetës ne jemi lakuriq, përballë dramës së jetës tonë personale jemi të vetmit aktorë e do na kërkohet të luajmë pjesën tonë që askush tjetër nuk mundet.

Kur pyetjet, edhe ato më të trishtat, trokasin apo kur trokitjet e limiteve tona bëhen të shpeshta e nganjëherë të zhurmshme, nuk u duhet mbyllur dera. Duhen pranuar, e duhet dialoguar me to. Kanë një mesazh që vjen nga larg e që duhet dëgjuar ...

© Dom Gjergj Meta