Urtësi

I dashur nip, ushtro kujtesën!

Nga: Umberto Eco 

Nipçja im i dashur,

Nuk do të dëshiroja që kjo letër, me rastin e Krishtlindjes, të tingëllojë sikur është shkruar nga De Amicis dhe të stisë këshilla mbi dashurinë për njerëzit, për atdheun, për botën, e gjëra kësisoji. Nuk kishe për t’ua vënë veshin dhe, kur të vijë siraja që të hysh në jetë (kur ti të rritesh dhe unë t’u kem lënë shëndenë), sistemi i vlerave do të ketë ndryshuar aq shumë, sa këshillat e mia do të dukeshin të dala boje.

Kështu që, do të jap vetëm një këshillë, të cilën mund ta zbatosh edhe sot, teksa lundron në iPad-in tënd; nuk do ta bëj gabimin të të them të heqësh dorë prej tij, jo aq sepse mund të dukesha si plak matuf, por ngaqë atë e përdor edhe unë. Më së shumti do të këshilloja që, nëse rastis të hysh në ndonjë nga qindra site-t porno që tregojnë, në njëmijë e një mënyra, raportin mes dy njerëzve, apo midis një njeriu dhe një kafshe, përpiqu të mos e besosh se ky është seksi i vërtetë, ndër të tjera, sepse është shumë i shpëlarë, ngaqë s’është gjë tjetër veç një sajesë, që të detyron të mbyllesh në shtëpi dhe të mos i shohësh dot vajzat që janë vërtet vajza. Nisem nga mendimi se ti je heteroseksual, përndryshe, këshillat e mia përshtati në kohë sipas asaj që je: por, vajzat këqyri në shkollë ose atje ku luan, sepse vajzat e vërteta janë më të mira nga ato të ekranit dhe do vijë një ditë që do të falin kënaqësi më të mëdha ngasa të falin vajzat on line. Besoji ata që kanë më shumë përvojë (nëse unë do të kisha parë vetëm seksin e kompjuterit, yt atë nuk do të ishte lindur kurrë dhe ti kushedi ku do të ishe, ose nuk do të ishe fare).

Në të vërtetë, nuk doja të të flisja për këtë, por më shumë për një sëmundje që ka mbërthyer brezin tënd, madje edhe djelmoshat më të mëdhenj se ty, që mbase ndjekin edhe universitetin: humbjen e kujtesës. Është e vërtetë që, nëse do të dish kush ka qenë Karli i Madh apo ku ndodhet Kuala Lumpuri, mjafton të shtypësh një buton dhe kompjuteri ta thotë menjëherë. Bëje kur të duhet, por, pasi ta kesh bërë, përpiqu të kujtosh çfarë të tha kompjuteri, që mos detyrohesh ta kërkosh për herë të dytë, nëse do ta kesh të domosdoshme, qoftë edhe për të kryer detyrat e shkollës. Ekziston rreziku që, duke menduar se kompjuteri ta jep sa herë të duhet, ti mund të humbasësh dëshirën që njohuritë t’i futësh në kokë. Është, pak a shumë, si rasti kur e di se për të shkuar në njërën apo tjetrën rrugë, mund të marrësh autobuzin ose metronë që të çojnë në vend pa u lodhur (gjë shumë e volitshme, bëje sa herë nxiton!), por kështu i mbush mendjen vetes se nuk ke nevojë që të ecësh. Por, po nuk ece aq sa duhet, rrezikon të kthehesh në një njeri “me aftësi të kufizuara”, siç u thonë sot atyre që detyrohen të lëvizin në karrocë me rrota. Mirë pra, e di që merresh me sport dhe di ta vësh trupin tënd në lëvizje, ndaj le të kthehemi tek truri yt.

Kujtesa është një muskul njëlloj si muskujt e këmbëve, nëse nuk e stërvit rrëgjohet dhe ti bëhesh me aftësi mendore të kufizuara, domethënë (të flasim hapur) një idiot. Nga ana tjetër, duke qenë se të gjithë, me kalimin e moshës, rrezikojmë të prekemi nga Alzheimeri, një nga mënyrat për ta shmangur këtë sëmundje të pakëndshme, është ushtrimi i vazhdueshëm i kujtesës.

Ja pra, kjo është dieta ime. Çdo mëngjez mëso ndonjë varg, ndonjë poezi të shkurtër apo siç na mësonin neve, “Mëzen pullalie” ose “E shtuna e fshatit”. Madje, futu në garë me shokët kush mban mend më mirë. Në s’të pëlqen poezia, bëje me formacionet e skuadrave, por kujdes, nuk duhet të dish vetëm emrat e futbollistëve të sotëm të Romës, por edhe ata të skuadrave të tjera, madje edhe të ekipeve të dikurshme (ki parasysh që mua më kujtohet formacioni i Torinos, kur avioni i tyre, me të gjithë lojtarët në bord, u përplas mbi bazilikën e Supergës: Bacigalupo, Ballarin, Maroso, e të tjerë). Bëj sprova të kujtesës, qoftë edhe me librat që ke lexuar (kush ishte në bordin e Hispaniola-s në kërkim të ishullit të thesarit? Lord Trelawney, kapiteni Smollet, doktor Livesey, Long John Silver, Jim...). Pa pyeti shokët e tu, a u kujtohet cilët ishin shërbëtorët e tre muskëterëve dhe cili i D’Artagnan-it (Grimaud, Bazin, Musqueton e Planchet)... Por, nëse nuk ke dëshirë të lexosh “Tre muskëterët” (ti nuk e merr me mend se çfarë ke për të humbur), bëje, nuk di ç’të them, me njërën prej historive që ke lexuar.

Duket si një lojë (dhe lojë është, vërtet), por do të shohësh sesi koka jote do të mbushet me personazhe, historira e kujtime të çdo lloji. Do pyesësh pse dikur kompjuterat i quanin tru elektronikë: sepse janë konceptuar sipas modelit të trurit tënd (tonit), por truri ynë ka më shumë lidhje sesa një kompjuter, është njëfarë kompjuteri që të kthen pas në kohë dhe që rritet e forcohet duke u ushtruar, ndërsa, kompjuteri që ke mbi tryezë, sa më tepër të përdoret, aq më shumë e humbet shpejtësinë dhe, pas ndonjë viti, duhet ta ndërrosh. Përkundrazi, truri yt mund të punojë deri në nëntëdhjetë vjet dhe në moshën nëntëdhjetëvjeçare do të kujtojë më shumë gjëra ngasa mban mend sot. Dhe falas.

Pastaj kemi edhe kujtesën historike, atë që nuk ka të bëjë me faktet e jetës tënde ose me gjërat që ke lexuar, por me ato që kanë ndodhur para se të vije në jetë.

Sot, kur shkon në kinema, duhet të hysh në një orë të caktuar, kur fillon filmi dhe, sapo nis shfaqja, dikush të merr, le të themi për dore, dhe të thotë se çfarë po ndodh. Në kohën time, në kinema mund të hyje në çdo orë, dua të them edhe në mes të shfaqjes, hyje teksa zhvilloheshin disa ndodhira dhe përpiqeshe të kuptoje çfarë kishte ndodhur më parë (mandej, kur filmi fillonte nga e para, shihje nëse e kishe kuptuar mirë; le pastaj kur filmi të pëlqente dhe rrije e shikoje edhe atë pjesë që tashmë e kishe parë). Ja pra, jeta është si një film nga ata të kohës sime. Hyjmë në jetë kur shumë gjëra kanë ndodhur, prej qindra e mijëra vjetësh, dhe ka rëndësi të kuptojmë çfarë ka ndodhur më parë se ne të vinim në këtë dynja; kjo na shërben për të kuptuar më mirë pse sot ndodhin shumë gjëra të reja.

Veç atyre që ke lexuar vetë, sot shkolla duhet të të mësojë të mbash mend çfarë ka ndodhur përpara se ti të vije në jetë, por po shohim që kjo nuk bëhet mirë, sepse hulumtime të ndryshme tregojnë që fëmijët e sotëm, edhe më të mëdhenjtë që shkojnë në universitet, nëse janë lindur më 1990-ën, nuk e dinë (e mbase nuk duan ta dinë) çfarë ka ndodhur më 1980-ën (mos flasin për ato që kanë ndodhur pesëdhjetë vjet më parë). Statistikat na thonë që, po të pyesësh kush ishte Aldo Moro, disa syresh të përgjigjen që ishte shefi i Brigadave të Kuqe, ndërkohë që ai u vra, pikërisht, prej Brigadave të Kuqe.

Po le të mos flasim për Brigadat e Kuqe, ato mbeten diçka e mistershme për shumë njerëz, ndonëse përbëjnë të tashmen e tridhjetë e kusur viteve më parë. Unë u linda më 1932-në, dhjetë vjet pas ardhjes në pushtet të fashizmit, por e dija edhe kush ishte kryeministri i kohës së marshimit mbi Romë (ç’është ky marshim?). Mbase shkolla fashiste ma mësoi për të më shpjeguar sa budalla dhe i lig ishte ai ministër që fashistët e zëvendësuan (“frikaçi Facta”). Dakord, por amá e dija. Pastaj, le ta lëmë mënjanë shkollën; të rinjtë e sotëm nuk dinë cilët ishin aktorët e kinemasë të njëzet viteve më parë, ndërsa unë e dija cila ishte Francesca Bertini, që luante në filmat pa zë, njëzet vjet para lindjes sime. Ndoshta ngaqë shfletoja revista të vjetra të mbledhura në bodrumin e shtëpisë, ndaj të ftoj të shfletosh edhe revista të vjetra, sepse është një mënyrë për të mësuar çfarë ndodhte në këtë botë para se ti të vije në jetë.

Po pse është kaq e rëndësishme të dimë çfarë ka ndodhur më parë? Sepse shumë herë ajo që ka ndodhur dikur të shpjegon pse disa gjëra ndodhin sot dhe, në çdo rast, ashtu si formacionet e futbollistëve, është një mënyrë për ta pasuruar kujtesën tonë.

Mbaj parasysh se këtë nuk mund ta bësh vetëm me librat dhe revistat, bëhet shumë mirë edhe në Internet. Që duhet përdorur jo vetëm për të biseduar me miqtë, por edhe për të komunikuar (si me thënë) me historinë e botës. Cilët ishin hititët? Po kamisardët? Si quheshin tri karavellat e Kolombit? Kur u zhdukën dinosaurët? Mund të kishte timon arka e Noes? Si quhej pararendësi i buallit? Kishte më shumë tigra njëqind vjet më parë apo sot? Çfarë ishte perandoria e Malit? Kush fliste për Perandorinë e së Keqes? Kush ka qenë Papa i dytë në histori? Kur u shfaq Topolino?

Kështu mund të vazhdosh pafundësisht, dhe të gjitha do të ishin aventura të bukura kërkimesh. Gjithçka mbetet për t’u kujtuar. Do të vijë dita të mplakesh dhe do të ndjehesh sikur ke jetuar njëmijë jetë, sepse do të duket sikur ke qenë i pranishëm në betejën e Vaterlosë, sikur e ke parë vrasjen e Jul Qezarit, sikur ke qenë shumë afër vendit ku Bertoldi i Zi, duke nakatosur lëndë të ndryshme në një havan, me qëllimin për të prodhuar ar, gabimisht zbuloi barutin dhe u hodh në erë (dhe mirë iu bë). Shokët e tu të tjerë, që nuk do ta kenë selitur kujtesën, do të jetojnë vetëm një jetë, jetën e tyre, që do të ishte shumë e trishtuar dhe e zhveshur nga emocionet e mëdha.

Ushtroje kujtesën, pra, dhe nga nesër, fillo të mësosh përmendësh “Terezë çamarroken”.

Shqipëroi: H.Ligori

Tagged under Umberto Eco