Raskolnikovi i ri Luigi Mangione - Nga Atena Bishka
- Published in Andej-Këtej
Atena Bishka
I riu 26-vjeçar, Luigi Mangione, për të cilin kemi parë e dëgjuar kaq shumë në media këtë dhjetor, më sjell ndër mend Ivanin - më të pashmin, më inteligjentin e më të mirë-artikuluarin ndër tre “Vëllezërit Karamazov”, ateist dhe racional, nihilist dhe arrogant. Por, ndoshta po aq, e në mos më fort, mendja ma përqas me një tjetër karakter të gdhendur po nga pena e Dostojevskijt. E shoh si një Rodion Raskolnikov, që kërcen prej faqeve të romanit “Krim e Ndëshkim”, drejt e në këmbët e kullës 47-katëshe të New York Hilton Midtown, hotelit më të madh të metropolit, jo për të vrarë fajdexhijen plakë të pashpirt të Shën-Petërburgut të shekullit të 19-të, që iu përpin qindarkat hallexhinjve me barkun bosh, por për për t’i bërë pritë e numëruar fishekët pas shpine Brian Thompson-it, drejtorit ekzekutiv të kompanisë së sigurimeve shëndetësore, United HealthCare.
Sikurse Raskolnikovi që e paramendonte, arsyetonte dhe e përligjte krimin e tij - së paku deri përpara se të kaplohej nga tortura e papërballueshme e brerjes së ndërgjegjes - si akt të drejtë, shpagues dhe të nevojshëm, edhe Mangione duket se e kreu vrasjen (teknikisht ai është ende i dyshuar, derisa faji të provohet në gjyq) si akt hakmarrës që merr shtysë prej një rrafshi të epërm moral, si simbol shpagimi e revolte ndaj modelit aq të përfolur të shërbimeve dhe sigurimeve shëndetësore në SHBA, i cili më shumë se ndihmë, shpesh është gur në qafë për qytetarin a familjen çfarëdo amerikane në nevojë.
Rikonfigurimi i këtij modeli mamuth të shumëkritikuar duket se është prej kohësh një sfidë që s’gjen zgjidhje, pavarësisht qëllimeve të mira, zotimeve e përpjekjeve të deritashme. Asnjë nga presidentët e fundit s’ka patur rezultat të kënaqshëm, përfshirë ish-presidentin Obama. Në vija të trasha, që të përfitosh nga ky model pa u dëmtuar nga pesha financiare, nën të cilën shumë janë rrënuar, o duhet të jesh në nivelin e varfërisë (pa ose me të ardhura të pamjaftueshme për të përballuar jetesën) e kësisoj të kualifikohesh për përfitim falas të shërbimeve, o duhet të jesh aq i kamur saqë të nxjerrësh prej kulete pa t’u dridhur qerpiku mijëra e miliona dollarë, si të jetë nevoja. Shumica e amerikanëve - falë kontributeve në rritje të të cilëve ekzistojnë kompanitë e sigurimeve shëndetësore - nuk bëjnë pjesë as në shtresën e parë, as në të dytën.
Me sa kuptohet, duket se Luigi Mangione ka kryer rishtazi së paku një ndërhyrje radikale kirurgjikale për shkak të një dëmtimi serioz të shtyllës kurrizore, dëmtim ky që u shtua përmbi dhimbjet kronike të kahershme të shpinës. Mbase një situatë e tillë është bërë pikënisje për përplasje me shoqëritë e sigurimeve. Do të mendoje se kushedi i gjendur në vështirësi financiare, i mposhtur fizikisht dhe sidomos dërrmuar psikologjikisht, mbase edhe nën efekte haluçinante ilaçesh është irrituar aq fort dhe e ka ndjerë padrejtësinë aq thellë (ndaj vetes e nepërmjet vetes “per procuratorem” edhe ndaj të tjerëve si ai), saqë në çaste dëshpërimi e deliri ka planifikuar dhe vënë në jetë planin e tij të tmerrshëm.
Mirëpo gjërat s’janë kaq të thjeshta. Tek shkruaj këto radhë mësoj se, as ai as familja e tij s’kishte lidhje me United HealthCare. Mundet që kjo kompani të jetë zgjedhur si pjesë e United Health Group që njihet si nga 5 më të fuqishmit në industri. Kështu, i bie që duke sulmuar një drejtues të saj, simbolikisht i ke dhënë mësimin e duhur gjithë industrisë. Dy fjalë për këtë kompani: Sipas The New Yorker të ardhurat e United HealthCare llogariten në 281 bilionë dollarë. Me ardhjen e Brian Thompson në krye të punëve, fitimet në vitin 2021 u rritën nga 12 në 16 bilionë dollar, ndërsa Thompson vetë mori si kompensim vitin e kaluar më shumë se 10 milion dollarë. Gjatë periudhës 2019-2022 ritmi i refuzimeve të kërkesave për shërbime post-akute u dyfishua. Thompson-i do të mbahet mend edhe për futjen e një algoritmi parashikues me të cilin kompania paska flakur pacientë dhe të moshuar prej qendrave të rehabilitimit dhe azileve. Por, nga ana tjetër, i njejti Thompson ishte edhe ndër ekzekutivët e grupit UnitedHealth nën hetim për tregëtim të brendshëm (insider trading).
Ja si e përmbledh thelbin e gjërave dhe sentimentin popullor muzikanti Jesse Welles në baladën folk protest “United Health,” që ka nxjerrë këto ditë:
Është një zyrë me tavolinë dhe një person në karrike / Je ti që ke paguar për gjithçka aty, edhe pse ti këtë kushedi s’e di / Ti u pagove letrën, ti u pagove telefonin / Ti u pagove rrogën, që borxhin që të kanë ty ta mohojnë.
Në këtë kontekst galopi agresiv financiar mund të përsiatim në thelb edhe motivin e Raskolnikovit tonë modern. Në shënimet në formë manifesti të shkurtër (mund të gjendet lehtë në internet) që ia gjetën kur e arrestuan në një McDonald’s në Altoona të Pensilvanisë, Luigi shkruan: “Ndjesë për çdo sherr a traumë, por s’kishte rrugë tjetër. Sinqerisht, këta parazitë morën atë që meritonin”. Më tej vë në dukje: “Përkujtesë: SHBA-të kanë sistemin numër 1 më të kushtueshëm të kujdesit shëndetësor në botë, ndërsa ne renditemi në vend të 42-të për jetëgjatësi”. E para është e vërtetë, por nëse amerikanët renditen vërtet në vend të 42-të për jetëgjatësi dhe sidomos përse, kjo mbetet për t’u diskutuar. Çfarë përcillet kthjellët është revolta ndaj “shëndetësisë së kthyer në biznes e model fitimesh për disa”. Duket se Mangione shqetësohet dhe e sheh veten si të ishte përfaqësues i cilitdo amerikan çfarëdo përballë një lubije gjigante, siç është industria amerikane e shërbimeve shëndetësore.
Por, cili është Luigi Mangione? Ai vjen nga një familje e kamur në Maryland, që zotëron një varg biznesesh, prej biznesit të pasurive të paluajtshme e country clubs, te qendrat e kujdesit e rehabilitimit mjekësor, aktiviteti tregëtar në industrinë e udhëtimeve e deri te një fondacion bamirësie. Është një i ri atletik dhe elegant, i pashëm si një George Clooney i ri. Ka qenë më i miri maturant i vitit 2016 në shkollën private Gilman në Baltimore. Ka studiuar në UPenn (Universiteti i Pensilvanisë), ndër universitetet më të lakmuara në Amerikë, ku në 2020 kreu me sukses studimet në dy fusha (njëherazi në nivelet bachelor dhe master) për inxhinieri elektrike e shkenca kompjuterike. Ka natyrë të shoqërueshme, i admiruar në rrethin shoqëror për zgjuarsinë, karakterin e shtruar dhe sjelljen e përkorë. Ky Raskolnikov i ri, nuk duket se ka vuajtur për bukën e gojës e për mungesë parash, as për stil të rehatshëm të jetesës e për status relativisht të lartë social, aq më pak s’i ishte dashur të sëkëlldiset për të mbështetur familjen me para, a larg qoftë për të shpëtuar ndonjë motër të pambrojtur nga epshi i ndonjë Svidrigailovi të pështirë, apo nga martesa me ndonjë Luzhin, avokati i korruptuar që kërkon ta shndërrojë në pronë të vetën. Jo, Raskolnikovi ynë modern, në bazë të prononcimeve verbale e sidomos gjykuar prej teksteve që i janë gjetur del se urren sistemin korporativ përgjithësisht dhe posaçërisht lakminë e kompanive të sigurimeve dhe shërbimeve mjekësore. Ai shkruan: “[Këta] janë tepër të pushtetshëm, dhe do të vijojnë të abuzojnë me vendin tonë për të bërë fitime të pamata.” dhe vijon “Si t’ia bësh, pra? Ia këput CEO-së mu në banakun rrethor të konventës parazite vjetore. Kësaj i thuhet punë e shënjestruar, preçize, dhe që nuk rrezikon të pafajshmit”. Luigi duket se për nga mendimet është njësh me Ivan Karamazov-in kur ky i thotë të vëllait, Aljoshës: “S’është, Zoti, ai që unë s’pranoj […] Është bota që Ai krijoi, ajo që s’pranoj, kjo botë e Zotit ku jetojmë, me të cilën nuk mund të jem në pajtim”.
Fakti që mbi Mangione-n rëndon akuza e vrasjes së paremenduar si dhe një varg aktesh të kundraligjshme nuk duket t’ia cënojë popullaritetin dhe perceptimin prej heroi nga një pjesë e publikut, sidomos nga të rinjtë. Mirëpo, heroi popullor, status ky që me ç’duket Mangione po e fiton gjithnjë e më shumë në universin internetar, është zakonisht i varfër e me status të ulët social, një farë hillybilly, me një fjalë. Mirëpo hillybilly Luigi nuk është! S’do mend që Thompson do të jetë me siguri shumë i pasur (ku i dihet, edhe në sajë të korruptimit dhe shfrytëzimit prej makuti kapitalist). Por, edhe familja e Mangiones nuk duket të bjerë më poshtë për nga kamja; mbase hyn te një përqindëshi i famshëm ose aty rrotull, sadoqë jo e rangut Musk a Bezos. Pra, Mangione s’është saktësisht heroi tipik popullor, që për turmën pritet të vijë nga radhët e klasës punëtore, të jetë i varfër, i paprivilegjuar, me shpinë të rënduar nga padrejtësitë sistemike të klasave në pushtet, më shumë sesa padrejtësitë fizike që shkakton mëma natyrë, e kështu me radhë.
S’është e qartë, as nëse plotëson pritshmërinë për të patur pjerrje të majta, paçka se neveria që ka për sistemin kapitalist dhe korporativ (përfaqësuese e të cilit është pikërisht vetë familja e tij) të bën të pandehësh se pjerret nga e majta. Mirëpo, çka lexon e ndjek Luigi (më thuaj çfarë lexon, të të them cili je) - si p.sh., shkrimtari Tim Urban i “Wait But Why”, apo psikologu i respektuar Jonathan Haidt, i cili ka shkruar gjerë e gjatë për gjeneratën “snowflake” (gjeneratën e kristaleve të brishta të borës) të Luigi-it - nuk përkon fort me të majtën, aq më pak me të majtën “woke”. Pështjellues duket edhe interesi a admirimi i tij për matematicienin dhe terroristin Ted Kaczynski, që ka vrarë tre njerëz dhe plagosur 23 të tjerë në periudhën 1978-1995, e që ndryshe njihet edhe si Unabomber. Mangione e paska vlerësuar me katër yje manifestin e tij “Shoqëria industriale dhe e ardhmja e saj”.
Dhe teksa jemi te “woke”, që dhembshurinë dhe empatinë i ka fjalë kyçe të kudogjendura, në rastin në fjalë duket se empatinë ia rezervon pa ndërdyshje të akuzuarit për vrasje.
Shumë e kanë kremtuar dhe e kremtojnë vrasjen e Brian Thompson. Në fakt disa kanë përdorurur fjalën “gëzim” për të treguar se si ndihen, ndërsa i dyshuari për vrasje shihet si epitomë e heroit trim që pati kurajë të bëjë atë që të tjerëve s’ua mbante ta bënin. Kemi të bëjmë me sa duket me një tipologji të re heroi të kohëve moderne, ashtu sikurse kemi të bëjmë me një turmë që pak përkon me definicionet tradicionale. Tani ajo përbëhet nga njerëz mendje-mprehtë, verbalisht elokuentë e të super shkolluar. Julia Alekseyeva, profesore asistente në UPenn, që vetë-identifikohet si “socialiste dhe antifashiste e thekur”, me aliazhin kuptimplotë “The Soviette”, s’u tut asfare të shfaqej në mediat sociale super e kënaqur, duke e cilësuar Mangione-n “ikona për të cilën të gjithë kemi nevojë dhe meritojmë” dhe duke pyetur retorikisht “A e dëgjoni popullin si këndon?” teksa në sfond veshi të kap motivin revolucionar nga muzikali “Të Mjerët”. Ajo shkon edhe më tej, duke u shprehur në TikTok me njërën dorë mbi zemër: “S’kam qenë ndonjëherë më krenare që jam profesore në Universitetin e Pensilvanisë”. Por, Universitetitit të Pensilvanisë me sa duket i leverdis të heshtë, sidomos duke patur parasysh tronditjen e vitit të kaluar kur presidentja Liz Magill u shtrëngua të japë dorëheqjen mes kritikave dhe përqeshjeve në media, 4 ditë pasi u shfaq në Kongresin amerikan duke iu përgjigjur pyetjeve që kishin të bënin me anti-semitizmin në UPenn me frazën e famshme: “varet nga konteksti”. Alekseyeva, ndërkaq i ka tërhequr postimet.
Alekseyeva s’është aspak rast i rrallë e unik. Qysh nga vdekja e Thompson-it, nuk ka munguar lumi me postime që e përligjin dhe e kremtojnë vrasjen e tij. Një nga kolegët e Alekseyevës në Columbia University, lektori Anthony Zenkus, shkruan: "Sot, vajtojmë vdekjen e drejtorit të United Healthcare, Brian Thompson, që u vra… jo, prit pak, kërkoj ndjesë - sot, vajtojmë vdekjet e 68,000 amerikanëve që vdesin së koti çdo vit, në mënyrë që drejtues të kompanive të sigurimeve si Brian Thompson të bëhen milionerë”. Por, ka edhe më. Në Seattle në sinjalistikën e një atuostrade shkruhej: “Një CEO më pak. Shumë të tjerë do të pasojnë”. Senatorja Elizabeth Warren thotë: “Dhuna kurrë nuk është përgjigje, por njerëzit mund t’i shtysh deri në një farë caku… përpara se të nisin t’i marrin punët në duart e tyre”. Më pas nxitoi ta fshijë pjesën “njerëzit mund t’i shtysh deri…” Por, ka akoma edhe më. Politikania dhe aktivistja Alexandra Ocasio-Cortez duket sikur nuk bën edhe aq shumë dallim midis “vrasjes së një drejtuesi kompanie sigurimesh” dhe “refuzimit të kërkesës për sigurim”, duke e identifikur secilën kategori si “akt dhune.” Ajo shprehet: “Jo për të thënë se një akt dhune qenka i përligjur, por mendoj se kushdo që është i pështjelluar, i tronditur ose i tmerruar, duhet ta kuptojë se njërëzit i interpretojnë, ndjejnë dhe përjetojnë kërkesat e refuzuara si akte dhune”.
Një rast që të pështjellon vërtet, ky, i Luigi Mangiones. Natyrisht, ka shume të panjohura në këtë histori. Çfarë të ketë ndodhur në të vërtetë që ky i ri i talentuar dhe i suksesshëm, e që përndryshe me siguri do të kishte një të ardhme të ndritur përpara, u katandis deri aty sa të akuzohet për vrasje? Padyshim që kjo është një histori që ka boshtin e përmasat e veta unike. Me siguri do të plotësohet me informacione të tjera në javët dhe muajt në vazhdim. Mirëpo, pavarësisht nga të metat e mangësitë e mëdha të sistemit shëndetësor amerikan, që me të drejtë e meriton indinjatën dhe zemërimin popullor, duket se fenomeni Mangione nuk është pa lidhje me klimën dhe vibrimet e sotme ideologjike e politiko-kulturore, sidomos me transformimin e pashembullt zvetënues që është shtrirë si sëmundje në të gjitha sferat e nivelet e arsimit.
Ç’mund të presësh nga të rinj që ndikohen prej instruktorësh ultra-ekstremistë si, fjala vjen, Julia Alekseyeva? Tharmi i përpunimit dhe transformimit të ideologjisë duket se ngjizet në departamentet e shkencave shoqërore, sidomos në departamentet e edukimit, të filozofisë, të grave e studimeve gjinore, të gjuhës angleze dhe letërsisë, e që andej me sa duket përhapet e merr pushtet të konsiderueshëm në krejt strukturën universitare, duke përfshirë deri edhe shkencat ekzakte dhe inxhinierike.
Universitet kanë ndryshuar! Ajka Ivy League e universiteteve amerikane ka hyrë në një tjetër hulli, në një tjetër epokë, me të tjera orientime dhe fokusime, pa pikëtakimi me të djeshmen. Universitetet amerikane para së gjithash po inxhinierojnë një njeri të ri, që nesër drejton institucione dhe korporata dhe modelon sjelljen e të tjerëve, por mua që vij nga një vend i ish-bllokut të Lindjes, koncepti “njeriu i ri” është kujtim i së shkuarës. Më fut mornicat e më sjell kujtimet e mbresat e një kohe të shkuar, të errët e shtrënguese. Nuk do të doja ta ritakoja atë kohë dhe të rijetoja në atë botë.
Shpresoj megjithatë që fenomeni tragjik Mangione të bëhet nxitje sado-kudo për ndryshime të dobishme në industrinë e sigurimeve shëndetësore që këlthet aq fort për përmirësime.
© Atena Bishka - New York, 14 dhjetor 2024
Foto: Matthew Hatcher/Reuters