Lamtumirë Shaban Murati - Nga Përparim Kabo
- Published in Bota Shqiptare

Përparim Kabo
Oh, pranverë e hidhur! Kisha menduar se ky vit nuk do të ishte si vite të tjerë më parë, që na morën shumë të dashur, ikën pa kthim dhe lanë pas kujtimet…
Por jo, sapo marrim vesh lajmin e trishtë: Eshtë shuar Shaban Murati, njeriu i të vërtetave të guximshme, dijetari që nuk rreshti së lexuari, studiuesi dhe eruditi i gjeopolitikës rajonale, europiane e më gjerë. Një jetë me kontribute dhe arritje, punë të shkruara, që vlejnë në jetë të jetëve.
Në diplomaci duhet kultura historike, filozofia e institucioneve, etika e komunikimit, intuita e ndërhyrjes, argumenti i parashikimeve, dinjiteti i ballafaqimit.
Shaban Murati i kishte të gjitha, siguruar me punën dhe zotësinë, me investimet dhe përgjegjshmërinë prej atdhetari. Fiket një njeri institucion, çdo lloj heshtjeje do të ishte e turpshme…
Ne nuk kemi ambasadorë të kalibrit të tij, sepse askush si ai nuk ka studime aq të thella për Ballkanin, në fokusin e historisë së marrëdhënieve ndërshtetërore. Sa herë e lexoja, më pëlqente ta cilësoja “Milan Shuflai” i kohëve moderne. Shpesh komunikonim në linjë private dhe fjalët e tij ishin mendim i peshuar, ndjenja të sinqerta dhe respekt prej xhentëllmeni.
Lamtumirë, mik i respektuar! Sa shumë punë le, sa boshllëk krijove me ikjen!
Në faqet e kohës duhet të shkruhet: “Një erudit, nga sot, është në faqet e librit që la pas. Ai flet mençurisht edhe në amshim…”
© Përparim Kabo - 14 shkurt 2025










