Bota Shqiptare

Të mos bëhemi e keqja e vetes - Nga Zejadin Dedinca

Që kur u bëra me dije, mësova për Plavën, Gucinë, Sanxhakun e Nishin. Flas çdo ditë për to, asnjëherë nuk lodhem. Por në vend që të flitet për to në aspektin pozitiv, sot flitet se paska dalë dhe një që kërkon asociacion. Sa çudi, të gjithë ujqit e moçëm janë ngritur, duan copa e copa të na bëjnë. Po si nuk u mjaftuan asnjëherë me ato që morën? Eh kështu është kur nuk i vendos një kufi njeriut. Njeriu gjithmonë kërkon çdo herë më shumë e më shumë, kur nuk ia tregon kufinjtë e nuk ia cakton limitet se deri ku i lejohet të shkojnë. Shpeshherë njeriu dhe kafsha janë të ngjashëm janë gjithmonë të uritur për më shumë, dhe nuk u mjafton vakti i mëngjesit dhe vazhdojnë ta kërkojnë atë vakt, vakt e pa vakt. Armiku nuk fle as natën e as ditën, madje ditën leh e natën planifikon.

Kam filluar të kem frikë të ndez televizorin apo të hap telefonin sepse kam frikë se mos është bërë një asociacion mbrëmë apo mos është bërë në mëngjes apo mos do të bëhet ndonjë rishtazi në mbremjen e sotme. Dhe ta mendosh se jemi në shekullin 21 dhe ende mendojmë për gjëra të tilla, më duket sikur këto pisllëqe s'do të marrin fund asnjëherë. Derisa qenia njerëzore të vetëdijësohet dhe të kuptojë që liria jote si njeri përfundon aty ku cenohet liria e tjetrit.

Në anën tjetër ne si shtet u kemi dhënë aq shumë hapsirë dhe lirinë e shprehjes komuniteteve, pakicave, dhe u kemi dhënë aq shumë të drejta aq sa ata ndjehen të lirë dhe komodë të kërkojnë të formojnë klube të tyre. Sikur ne jemi shteti më demokrat që ekziston. E habitshme apo jo?

Kemi parë shtetet të cilat janë fuqi botërore, e që u kanë dhënë aq shumë liri komuniteteve? Jo. A thua pse? Sepse në të shumtën e rasteve siç e thashë dhe më lart njeriu priret që të kërkojë më tepër dhe ata e kuptojnë që atyre u duhen vënë kufinj e mos t'u jepen shumë të drejta, sepse mund të rrezikohet identiteti, sovraniteti e pavarësia e shtetit. Andaj këto asociacione që ata kërkojnë janë të rrezikshme për shtetin tonë, këto asociacione janë me brirë dhe vrasin shumë më tepër sesa shihet në shikim apo në mendim të parë.

Le të shohim pak popullin tonë në vendet ku është komunitet pakicë. A kanë kërkuar ndonjëherë asociacion, apo a kanë formuar klube shqiptare? Jo, madje as nuk kanë guxuar sepse janë ndjerë të rrezikuar dhe shpesh janë frikësuar edhe të mendojnë ashtu. Shtrohet pyetja: po çfarë do të ndodhte në vendet e huaja sikur shqiptarët të kërkonin gjëra të tilla siç kërkojnë komunitetet në vendin tonë? Përgjigjen e keni ndër vite, s'është nevoja t'ua them sepse të gjithë ne e dimë këtë tashmë. Sa e sa shqiptarë u burgosën, sa e sa shqiptarë u zhdukën dhe nuk u dit asnjëherë më për fatin e tyre, dhe kjo jo sepse ata kërkuan gjë, por vetëm se ishin shqiptar dhe kishin një emër shqip, dhe flisnin gjuhën shqipe?

Ne si popull jemi shumë demokrat të them të drejtën, bile edhe e teprojmë, dhe kjo do të na kushtojë shumë nëse ecim kështu siç jemi duke ecur në këta hapa. Jemi duke e përmbytur me dorën tonë veten tonë. Jemi duke ia cënuar lirinë vetës sonë për t'i dhënë më shumë liri komuniteteve të tjera në vendin tonë. E çfarë i bie kjo? Kjo i bie që ne jemi e keqja e vetës sonë nëse nuk u vendosim kufinj të tjerëve, dhe po tregohemi budallenj. Por në anën tjetër do të ketë gjithmonë njerëz që janë më të mençur apo do të thoja më dinakë dhe do ta përdornin këtë situatë duke e kthyer në favorin e tyre, dhe mirë bëjnë. Përderisa jemi vetë ne ata që po ua japim atyre hapsirën dhe mundësinë për të bërë atë që ata duan pavarësisht se na cënohet liria neve apo jo.

Uroj shumë që të bëjmë edhe ne në të ardhmen atë që të tjerët po na e bëjnë neve. Sepse vetëm atëherë ata do ta kuptojnë se si është t'ua cënosh të tjerëve lirinë në shtetin, vendin amë, vendin e të parëve, vendin ku ata jetojnë dhe frymojnë lirshëm.

© Zejadin Dedinca - Montreal