Bota Shqiptare

Anulohet Samiti i Dytë i Diasporës

Ambasada e Republikës së Shqipërisë në Kanada, postoi në datën 18 shtator në faqen e saj në Facebook këtë njoftim:

Ky njoftim vjen pas këtij postimi të mëhershëm nga Ministri i Shtetit për Diasporën:

 Njoftim per Samitin e dyte nga Ministri i Diaspores

Siç e kuptoni, në të dyja rastet diaspora njoftohet për organizimin e Samitit të Dytë në datat 26-28 nëntor 2018. Madje ambasada shqiptare në Kanada u lutet të interesuarve të kontaktojnë me të në postën elektronike.

Por sot FlasShqip mëson nga burime jozyrtare se këto data qenkan anuluar dhe se Samiti do të mbahet "në një moment të dytë".

Këtë na e konfirmojnë edhe burime nga organizatat shqiptare në Kanada, të cilat na bëjnë me dije se në datën 18 shtator kanë marrë një email nga ambasada shqiptare ne Ottawa cituar si më poshtë:

“Të nderuar zonja e zotërinj, drejtues të organizatave të diasporës shqiptare në Kanada, Në referencë të komunikimit të djeshëm, ju bëjmë me dije se ndryshe nga parashikimet, Samiti i II i Diasporës do të mbahet në një moment të dytë. Për datat finale do t’ju informojmë në vijim. Duke ju përshëndetur përzemërsisht, ju falenderojmë për mirëkuptimin.” ​

Çuditërisht në të njëjtën datë kur u publikua lajmi nga Flas Shqip (ndiqni linkun http://flasshqip.ca/komunitet/njoftime/1580-tirana-therret-diasporen-ne-samitin-e-dyte) ambasada ka informuar për një shtyrje pa afat të Samitit të Dytë, vetëm shoqatat shqiptare në Kanada, duke harruar me ose pa dashje median që flet shqip në diasporën kanadeze.

Flas Shqip do t’i kërkojë sërish informacion Ministrit të Shtetit për Diasporën për të mësuar mbi të vërtetat e kësaj historie datash aspak serioze. Diaspora, jo vetëm kanadeze nuk meriton të tallet nga shteti amë.

Kjo lojë datash tregon një mungesë serioziteti të aktorëve shqiptarë shtetërorë. Tregon një mungesë përgjegjshmërie, prani paaftësie e amatorizmi, sjellje të nxituara e të papjekura si dhe motive të dyshimta të personave të veshur me pushtet e me detyra të rëndësishme. Gjithë sa më lart, ka gjasa të reflektojnë direkt mbi temën finale që është: Samiti i Dytë i Diasporës.

Jo më kot pati reagime të shumta në faqen e Ministrit Majko sidomos nga diaspora në SHBA dhe Kanada lidhur me caktimin e pamendur mirë të datave të Samitit. E përbashkëta e komenteve të shqiptarëve në diasporë ishte që shteti shqiptar të mendohet mirë e të mos dështojë si në rastin e Samitit të parë. Ndoshta për këto arsye Ministri i Shtetit ka reflektuar dhe po reflekton deri në atë “momentin e dytë”, të cilin ne po e  presim.

 ©FlasShqip