Bota Shqiptare

Gjuha Shqipe zyrtarizohet në Maqedoni

Shumica parlamentare në Maqedoni, nën drejtimin e kryeparlamentarit Talat Xhaferri si dhe nën përpjekjet fizike, nga ana e ish-kryeministrit të Maqedonisë Nikolla Gruevskit, për të penguar seancën, e miratoi ligjin për përdorimin e gjuhëve të bashkësive etnike.

Parlamenti i Maqedonisë e kishte miratuar këtë ligj që në muajin janar me 69 vota, por ai nuk u dekretua nga presidenti Gjorgje Ivanov dhe kjo bëri që ligji të dërgohet në parlament për herë të tretë.

Lëvizja BESA me 5 votat e saj e bëri numrin 64, që ligji të mund të kalonte. Ndërsa tre liderët e partive opozitare shqiptare, Ziadin Sela, Menduh Thaçi dhe Afrim Gashi nuk votuan duke e cilësuar ligjin si anti-kushtetues. VMRO-DPMNE kishte paraqitur mbi 30 mijë amendamente për plotësim-ndryshimin e ligjit, të cilat nuk u morën parasysh, ndërsa partitë politike shqiptare thanë se ajo ishte përpjekje për bllokimin e plotë të tij.

Ky ligj mundëson përdorimin më të gjerë të gjuhës shqipe në pushtetin lokal dhe atë qendror të vendit. Një vit nga hyrja në fuqi e ligjit, institucionet duhet t'i zbatojnë ndryshimet tërësisht. Për ato institucione që nuk do të zbatojnë këto ndryshime ligjore, do të vendosen gjoba prej 4 deri në 5 mijë Euro.

Me miratimin e ligjit për përdorimin e gjuhëve, vihet në zbatim një prej shtyllave bazë të Marrëveshjes së Ohrit. “Me finalizimin e këtij projekti kemi forcuar stabilitetin ndër-etnik dhe ardhmërinë e përbashkët multi-etnike”- ka shkruar në profilin e tij në Facebook Zëvëndës Kryeministri për zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit Hazbi Lika.

 

 ©FlasShqip.ca