Bota Shqiptare

Kadareja dhe Byroja Politike në ekzil-Nga Zija Çela

Nga: Zija Çela

- Sot, në ditëlindjen e shkrimtarit -

Nuk e di pse m’u kujtua shkrimi “Vepra e Ismail Kadaresë nuk pranon asnjë kadastër”, që e pata botuar më 5 shkurt 1991 në gazetën “Zëri i popullit”, në atmosferën e zhurmës që bëhej atëherë për strehimin e tij politik në Francë. Pse pikërisht në atë të përditshme me tirazh të madh aso kohe? Se pikëpamjen time doja t’ia thoja drejtpërdrejt në gazetën e tyre nomenklaturës në fuqi. Ndërsa për botimin mbështetesha në tolerancën e kryeredaktorit Namik Dokle dhe zëvendëskryeredaktorit Sami Milloshi, i cili u ndodh mbrëmjen kur e zbriti në shtypshkronjë.
Ja një fragment nga shkrimi:

Më falni, por unë do të isha i gatshëm ta përcillja deri në kufi dhe t’i jepja ndjesën me dorë në zemër ndonjë prej atyre zyrtarëve të lartë, duke mos përjashtuar as ndonjë ministër apo anëtarë të Byrosë Politike, që s’dihet për çfarë vlerash të veçanta kanë qenë ndodhur ose ndodhen në majë të piramidës, nëqoftë se në fushën e tyre, e përsëris, në fushën e tyre do t’i kishin dhënë popullit çerekun e asaj që i ka dhënë Kadareja në fushën e vet. E di se ky krahasim mund të konsiderohet “i qortueshëm”, por besoj se është më pak i gabuar dhe më pak i dëmshëm se ndonjë konceptim tjetër i vjetëruar dhe jashtë kohëve moderne për marrëdhëniet e individit me Atdheun. Prania fizike e qytetarit në territorin administrativ të shtetit të tij, pa dyshim ka rëndësinë e vet. Por e kufizuar dhe e kuptuar kaq ngushtë, e zhveshur nga çdo vlerë tjetër dhe përmbajtja e gjerë e atdhetarizmit, ajo tingëllon romantike. Atdheu, në radhë të parë, ka nevojë t’i japësh, që të të japë. Ndryshe, vjen dita që edhe sot e edhe nesër, ndonëse fizikisht në Shqipëri, ndonëse me poste të humbura apo ende me poste zyrtare, të ndihesh thuajse syrgjyn, në një azil të heshtur intelektual e shpirtëror, i mbyllur në kullën e mendimit burokratik, në kullën e selive zyrtare apo vilave të banimit, i shkëputur dhe i veçuar nga populli, i cili me bujarinë e tij ka duruar shumë dhe, nëse tani të ka braktisur, kjo vjen sepse vetë ia ke kthyer shpinën prej kohësh, duke e shpërdoruar besimin e tij.
Kështu, azili i Kadaresë në Francë, të cilin nuk ia dëshiroj, në thelb është krejt tjetër, ku e ku më iluzor, përderisa vepra e tij është këtu, e gjallë, aktive, në kontakt e bashkëbisedim të përditshëm me lexuesit.
Koha ka dëshmuar se Kadareja, gjithnjë kompleks dhe shpesh i sertë në trillet e tij prej artisti, ka aq fuqi shpirti sa mund të bëjë pa të gjitha palët, pra edhe pa miqtë për fiq dhe fiqtë e miqve. Sa i përket veprës së tij më të mirë, atë nuk mund ta zërë vetëm një bibliotekë, nuk mund ta hipotekojë vetëm një shtresë shoqërore, nuk mund të tundë çelësat e “kadastrës” së saj vetëm një forcë e caktuar politike. Ajo nuk pranon kadastër... por vetëm firmën e Kadaresë dhe vulën e origjinalitetit të papërsëritshëm të kombit tonë. Do të thoja me bindje se asgjë tjetër nuk do të mund ta ngrinte atë në këtë lartësi botërore, ku e ka ngritur penda e shkrimtarit. Prandaj si zor të mund të marrësh përsipër e të thuash me siguri se çfarë fermentesh të forta ziejnë atje thellë, në fund të shpirtit të tij ku, si tek i gjithë soji i gjenive, duket sikur gjithmonë rrojnë të kapërthyer bashkë engjëjt dhe demonët, Prometeu dhe Zeusi.
Është mjaft i trazuar dimri i sivjetëm. I ftohtë për nga moti, i mbrapshtë në mungesa, i nxehtë në luftën për demokraci, plot kurthe dhe epik për fisnikërinë e shpirtit...