Bota Shqiptare

Shqiptarja nderohet në SHBA me çmimin-Grua e Guximshme

Dr.Feride Rushiti, drejtoreshë e Qendrës  Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës (QKRMT)  është nderuar me çmimin Ndërkombëtar për Gratë e Guximshme në vende të ndryshme të botës.

Ky çmim jepet nga Departamenti Amerikan i Shtetit, për gratë të cilat kanë dëshmuar lidership dhe guxim të jashtëzakonshme në advokimin për paqe, drejtësi, të drejtat e njeriut, barazinë gjinore dhe fuqizimin e grave.

Zonja e parë e SHBA-së Melania Trump, ia dorëzoi Znj. Rushiti këtë çmim në shenjë të përkushtimit, kontributit dhe arritjeve të saj në këto fusha. Me këtë çmim janë nderuar dhjetë gra nga e gjithë bota.

Me pranimin e këtij çmimi në Washington DC., Znj. Rushiti do të ndjekë Programin Ndërkombëtar për Lidership, në kuadër të të cilit do të vizitojë shtete të ndryshme në SHBA dhe do të ketë takime me organizata dhe biznese të ndryshme, me qëllim të vendosjes së bashkëpunimit në zhvillimin e politikave dhe strategjive për fuqizimin e rolit të gruas në SHBA dhe jashtë saj.

Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës (QKRMT) është organizatë jo qeveritare, jo fitimprurëse e themeluar ne vitin 1999 me mision të ofrojë trajtim dhe rehabilitim për viktimat e torturës. QKRMT punon në ngritjen e vazhdueshme të kapaciteteve të stafit të saj dhe sektorit publik për ofrimin e shërbimeve lidhur me çështjet që kanë të bëjnë me torturën dhe traumën. QKRMT po ashtu është e angazhuar në promovimin dhe respektimin e të drejtave të njeriut për të gjitha etnitetet në Kosovë dhe në parandalimin dhe çrrënjosjen e torturës dhe çdo forme tjetër të keqtrajtimit.

Çmimin për aktivisten dhe humanisten gjilanase Feride Rushitin, e ka përshëndetur edhe Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, duke u shprehur se doktoreshë Rushiti ka bërë krenare qytetin e lindjes dhe mbarë Kosovën.