Bota Shqiptare

Ne të gjithë jemi të zëvendësueshëm, populli mbetet i përhershëm - Nga Albin Kurti

Fjalimi i kryeministrit, Albin Kurti, pas votimit të qeverisë së re të Kosovës, 3 Shkurt 2020.

“Sot po hapim një kapitull të ri në Republikën e Kosovës.

Ajo që ngjante e pamundur, ishte kështu vetëm në dukje, sepse një popull që refuzon të nënshtrohet, e bën gjithçka të mundur.

Është populli që me zgjedhjen e tij të lirë, e ne me angazhimin e veprimet tona, i japim kuptim Kushtetutës dhe ligjeve tona dhe vendosim për mënyrën tonë edhe të jetesës edhe të përparimit.

Këtë e kemi bërë më 6 Tetor, këtë po e bëjmë sot, kur me krijimin e qeverisë që qytetarët e kanë votuar, do të jetësojmë entuziasmin dhe shpresën e krijuar me 6 Tetor.

Ndryshe nuk mund të ishte dhe nuk mund të jetë. Populli ynë nuk ka duruar kurrë robërinë, nuk ka duruar kurrë pushtuesit e jashtëm, por as sundimtarët e brendshëm.

Ne jemi pasardhësit e Skënderbeut, të Fan Nolit dhe të Hasan Prishtinës, të Ukshin Hotit, të Azem Bejtës e të Adem Jasharit, prandaj edhe nuk na rrin dhe nuk na ka hije korrupsioni, sepse ata nuk vodhën e nuk u pasuruan kurrë në emër të popullit.

Prandaj edhe nuk na rrin padrejtësia, sepse ata dhanë jetën që ne të jetojmë në një shtet të lirë e të drejtë.

Prandaj edhe nuk na rrin paaftësia e injoranca, sepse ata rrezikuan e sakrifikuan gjithçka, që ne të kemi gjuhën, shkollat dhe dijen.

Prandaj sot, nuk ka fituar Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës. Sot kanë fituar qytetarët, të cilët sa herë janë përballur me padrejtësi, janë ngritur në këmbë sepse ne jemi popull kryengritës, jemi popull që nuk nënshtrohemi, jemi popull që nuk përulemi.

Sot pushtetin e shtetin e ka fituar populli, sepse atij i takonte, atij i takon dhe atij do t’i takojë përherë.

Ne të gjithë jemi vetëm kalimtarë e shërbëtorë, që punojmë dhe veprojmë, në emër të popullit e për popullin.

Ne të gjithë jemi të zëvendësueshëm, por populli mbetet i përhershëm, prandaj kontributi i secilit nga ne, duhet të matet me atë se sa i japim popullit e jo sa i marrim atij. Se sa shumë e pasurojmë popullin e jo vetëveten.

Unë zotohem këtu para jush që do të jap maksimumin e aftësive dhe kapacitetit tim, për të mirën e të gjithë qytetarëve pa asnjë dallim.

Nga sot, pavarësisht se si e kënd e keni votuar, unë do të jem kryeministër i të gjithë juve dhe do të dëgjoj zërin tuaj, sidomos kur nuk pajtohemi, sepse ne mund të kemi qëndrime e mendime të ndryshme, por ndajmë ëndrra e të ardhme të përbashkët.

Sot fillon rruga jonë e punës së madhe dhe të palodhshme, për të sjellë ndryshimin që të gjithë kemi pritur e që vendi ynë ka nevojë.

Sot mbaron mënyra e vjetër e të bërit politikë, përmes klientelizmit, favoreve e monopolit dhe fillon një etapë e re e qeverisjes me integritet e me dinjitet.

Unë ftoj të gjithë punonjësit, në secilin institucion publik, që të përqafojnë shtetin e së drejtës, të distancohen e ta denoncojnë korrupsionin. Të sfidojnë të korruptuarit e shkelësit e ligjit, sepse nga sot ka një lidership të ri, i cili konsideron aleat të gjithë ata që kujdesen për pasurinë publike, por që do të ketë zero tolerancë ndaj korrupsionit.

Liria e qytetarit në Republikë, varet nga ndarja e pushteteve. Të gjithë fitojmë kur e ndajmë mirëqenien e progresin. Le t’i mbajmë pushtetet e ndara në shtet të përbashkët dhe le ta ndajmë mirëqenien e progresin bashkë.

Demokracia jonë është parlamentare dhe deputetët janë përfaqësues të popullit. Populli na zgjedh për të punuar në emër të tij, për të mirën e interesat e tij dhe jo për interesat tona personale apo grupore qofshin ato.

Derisa sot fillon një kapitull i ri në qeverisjen e brendshme, sot fillon gjithashtu një kapitull i ri i politikës së jashtme. Politika jonë e jashtme, duhet të jetë unike. Koha kur brenda qeverisë, dërgohen mesazhe të ndryshme, mbaron sot dhe fillon koha kur flasim me një zë dhe të koordinuar.

Atyre që njohin dhe respektojnë vendin tonë, ne u themi se do të fuqizojmë bashkëpunimin e partneritetin. Atyre që hezitojnë të na njohin, ne u themi se do të punojmë që të fitojmë njohjen dhe respektin tuaj.

Atyre që mohojnë të drejtën tonë dhe që synojnë të na pushtojnë nga jashtë e të na ndajnë përbrenda, unë u them që Kosova ka një kryeministër të ri dhe koha kur interesat e personave, ishin mbi interesat e shtetit, ka mbaruar.

Kosova është vend i pavarur dhe sovran, kjo është premisa e çdo dialogu dhe epilogu i çdo marrëveshje.

Ne synojmë bashkërisht anëtarësimin në BE dhe NATO, avancimin e bashkëpunimit, afrimin e integrimit me Shqipërinë, dhe ta ruajmë e ta kultivojmë aleancën e partneritetin me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Ka shumë nga ata që janë ankuar se po flasim shumë, prandaj nga sot do të flasim më pak e do të punojmë më shumë, shumë më shumë!”