Nexhmije Pagarusha, një legjendë që do kujtohet ndër shekuj
- Published in Bota Shqiptare

Sot ylli i muzikës shqiptare. Nexhmije Pagarusha ndërroi jetë. Humbja e saj hidhëroi shqiptarë anembanë botës, por jo të gjithë patën kohë të mbushnin profilet e FB me statuse ngushëllimi e mirënjohjeje. Sepse pas diarresë emocionale që kapi popullatën e FB kur një suksesi personal rrekej t’i jepej ngjyrim kombëtar, sot kjo masë është e shtrirë në krevat duke qetësuar aparatin tretës. Por jo të gjithë janë në këtë gjendje, falë Zotit. Miliona shqiptarë me siguri dinë mirë të ndajnë miellin nga krundet, kush e dëshmon sot me statuse, kush me këngë e mënyra të tjera personale.
Njerëz të njohur të medias, politikës, artit, publicistikës, kanë dëshmuar sot një të vërtetë. Yjet reflektojnë të njëjtin shkëlqim tek kushdo. Humbja e yllit të këngës, Nexhmije Pagarushës, cilësohet njëzëri humbje për kombin, ashtu siç është cilësuar dhe kontributi i saj i pashoqe në muzikën shqiptare. Dhe një vaj kombëtar është pak për të shprehur mirënjohje ndaj Divës sonë.
Artan Gjyzel Hasani: U shua një legjendë e muzikës shqiptare! Por, si shqiptarë të vërtetë që jemi ne nuk zhgënjejmë as në të tilla raste dhe sot do të flasim më shumë për Alketa Vejsiun, sesa për Divën e Muzikës Shqiptare Nexhmije Pagarusha, ndoshta e vetmja që e meriton plotësisht këtë titull...
Veton Surroi: Një shtet u ndërtua me qytetarinë e këngës sate. Vazhdo edhe atje, Nexhmije. Ka nevojë për zërin tënd, zërin tonë.
Artan Fuga: Mbajmë frymën për Atë! Arti i saj vlente mijëra herë më shumë se qindra minishengene, mijëra procese elektorale dhe tavolina reformash, se miliona ministra dhe antarë qeverish, mbi tallavatë dhe të gjitha papastërtitë e jetës sonë të përditshme ku shahemi, ndotemi, grindemi, fyhemi, mediatikisht, politikisht, midis dy anëve të kufirit aq sa të vjen për të vjellë, aq sa gjindja në botë mban barkun me dorë nga budallalliku ynë ! Ik shtojzovalle, nuk ke se çfarë bën këtu me ne!
Edita Tahiri: E pikëlluar për humbjen e Nexhmije Pagarushës, bilbilin e kombit shqiptar, që me zërin e saj hyjnor mbajti gjallë shpirtin tonë në kohë të mira e të rënda. Humbja e saj një dhimbje e madhe, një humbje e pazëvendësueshme. Ngushëllime të thella!
Behxhet Pacolli: Në moshën 86 vjeçare, sot në mëngjes, na paska lënë “Bilbili i Kosovës”, Nexhmije Pagarusha. Ajo do të mbahet mend gjithmonë, sepse këngët e saj janë të pavdekshme. Sepse është ikona e muzikës shqiptare. Ngushëllimet e mia më të sinqerta!
Alfons Zeneli: Format nëpërmjet të cilave shfaqet Perëndia janë të pafundme. Një nga format nëpërmjet të cilave Ajo u është shfaqur shqiptarëve është zëri i Nexhmije Pagarushës. Nexhmija u shua, por zëri si atribut hyjnor mbetet. Do e dëgjojmë sërish, gjithmonë, por kur të dëgjojmë "Bareshën", "E dehun jam" apo dhjetëra e qindra këngë të tjera do t’na krijohet vetiu holograma e saj. Ja përse do jetojë në Parajsën e kujtimeve të kombit kjo Kryezonjë e muzikës shqiptare.
Këngëtaret Leonora Jakupi, Elida Duni dhe Aurela Gaçe krahas statusit ngushëllues kanë postuar foto me të adhuruarën e muzikës.
Leonora Jakupi: RIP mbretëresha e muzikës sonë. Sot ka ndërruar jetë bilbili i muzikës Shqiptare Nexhmije Pagarusha. Nexhmije Pagarusha ishte dhe do të mbetet ikona e muzikës shqipe, ishte e njohur si një grua e cila gjatë gjithë karrierës së saj i ka shërbyer me nder dhe dashuri atdheut të saj përmes artit.
Elina Duni: E marr me mend se atje lart je duke i berë të gjithë për të qeshur me shakatë e tua dhe shpirtin tënd unik! Përgjithmonë në zemrat tona Nexhmije Pagarusha, këngët e tua jetojnë brenda nesh!
Aurela Gaçe: Këto foto u bënë në Prishtinë, në shtëpinë tënde. Sa herë kisha mundësi të udhëtoja, patjetër do të vija të të vizitoja. Telefonata e fundit ishte para pak kohësh, e pyetja jote ishte-Kur po vjen me më pa?
Sapo të kem mundësinë -t'u përgjigja.
Megjithëse nuk erdha dot, ti e dije dashurinë e madhe që kisha për ty.
Sa mirë që pata mundësinë të ta tregoj këtë, sa ishe këtu, mes nesh.
Pate mundësinë të marrësh dashurinë e respektin jo vetëm të brezave të rinj në skenë, por e një kombi te tërë. Lum zemra jote me sa shumë dashuri u mbush.
Lum ne, që morën nga ti. Secili do të largohet nga kjo jetë, por lum kush mundi të japë e të marrë dashuri.
E ti, na dhe kaq shumë!
Faleminderit mbretëresha e muzikës tonë.
Sabri Fejzullahu: Sot na la, bilbili e ikona e këngës shqipe. Nexhmije Pagarusha, ti u ndave nga kjo jetë, por kënga jote, zëri e vepra jetojnë gjithmonë sa t’është gjallë shqiptaria. Me dhembje t’madhe n’shpirt po ta them unë Sabri Fejzullahu që t’kam pasë idhull gjithmonë, lamtumirën me këto vargje:
“Nxire këngëve për t’më gëzuar o bilbil
Të dëgjoj me mall kur ligjëron bilbil
Kur kam dhembje, kur kam vaje o bilbil
Kënga jote shpirtin ma qetëson bilbil”
I përjetshëm qoftë kujtimi dhe emri yt Nexhmije Pagarusha, Mbretëresha e Muzikës shqiptare.
©FlasShqip.ca