Bota Shqiptare

Hajde ballokume Elbasani- Nga Agim Xhafka

Unaza e Elbasanit mbushur sot me shitës ballokumesh. Jo për festën e pranverës, por për të shuar skamjen e familjeve të tyre. Rrinë ashtu në rregull, në rresht, në trotuar, si hudhrat në një varg të gjatë, shumë të gjatë, dhjetra vajza, burra, gra, pleq e plaka. Me tepsi perpara, me kurrizin nga Krasta që të mos i ftohë era dhe me sy çelur të mos u shpëtojë asnjë kalimtar.

Qyteti është kthyer në një kombinat gjigand prodhimi. Çdo shtëpi gatuan tradicionalen. Mjell, gjalpë, sheqer, vezë dhe ja, gati për 50 lekë. Aty, mes shiut e ngricës. Asnjë oxhak fabrike a kombinati nuk nxjerr tym. Por furrat në shtëpitë elbasanase si maternitet gjigand ballokumesh.

Në do të kuptosh mjerimin provo të blesh një ballokum. Merr dhjetra urime nga shitësi a shitësja. Dhe sa ecën dy metra më tej të turret shitësi ngjitur. Do dhe ai 50 lekë.

50-lekëshin e ballokumit falna sot! Kështu do e shkruante Migjeni nëse do ishte gjallë e nëse do jepte mësim në Elbasan. Mbushur unaza e qytetit me 302 ballokumeshitës. Plot kaq vetëm në një rrugë. Ah, se harrova. Ishin edhe 56 policë në atë rrugë. Me automatikë, maska e makina. Në roje të paqes mes klaneve të qytetit.

Thirrjet ballokume, ballokume flasin edhe për një popull dinjitoz. Se fare mirë mund të shisnin hashash e të jetonin më mirë e më ngrohtë. Por elbasanasit e varfër shesin mirësi, ëmbëlsi dhe pas çdo 50-lekëshi falin mirënjohje pa fund.

Dita e Verës po vjen. Dita e mirëqënies nuk duket kund.

-Hajde ballokume Elbasani!