Bota Shqiptare

Ne ishim 45 vjet në karantinë - Nga Ardian Muhaj

Nga: Ardian Muhaj

Vendosja e masave të kufizimit të lëvizjes së njerëzve këto ditë na ka pështjellu mendjen jo pak. Turli lloj teorish e komplotesh përmenden e përfliten në ambientin virtual.

Për shqiptarët nuk ka asgjë të re në këtë rast. Madje këto dy apo tre ditë në karantinë mund të na shërbejnë për të kuptuar ose rifreskuar kujtimet e karantinës prej 16 mijë e 500 ditësh ose 45 viteve të cilës i janë nënshtruar shqiptarët gjatë periudhë së komunistovirusit.

Pse karantina 45 vjeçare ishte shumë herë më e rëndë se sa karantina e këtyre ditëve?

E para, karantina e këtyre ditëve është dukuri botërore, kurse karantina e atyre dekadave e viteve ishte një budallallëk e mizori që ushtrohej vetëm mbi shqiptarët.

E dyta, lëvizja me shtete të tjera në karantinën e koronavirusit thjesht është e kufizuar, kurse në karantinën e komunistovirusit ndëshkohej me burgim, vrasje, internim e persekutim të individit që lëvizte, por edhe të krejt familjes e farefisit.

E treta, nëpër rrugët e Shqipërisë sot qarkullojnë automjete shumëfish më shumë se sa gjatë karantinës komuniste. Shqiptarët në karantinën enveriste ecnin në këmbë dhe makinat private jo thjesht nuk mund të lëviznin në rrugë, por as nuk ekzistonin.

E katërta, në karantinën e virusit enverist shqiptarëve u ishte racionuar çdo ushqim dhe vetëm në rast të ndonjë mrekullie e ngopnin barkun me bukë. Kurse në karantinën e sotme shqiptarët janë furnizuar si për masterchef.

E pesta, në karantinën e 16 mijë e 500 ditëve shqiptarët ishin të izoluar nga ajo që ndodhte në botë dhe në Shqipëri. Lajmet shpikeshin në zyrat e udhëheqjes së virusit komunist, kurse dëgjimi i lajmeve nga kanale të tjera në shqip apo në gjuhë të huaj dënohej me burg. Në karantinën e sotme mjafton të përmendim internetin, rrjetet sociale e televizionet pafund përmes të cilave mund të lexojmë e dëgjojmë rrenat apo të vërtetat sikur e gjithë bota.

Prandaj, ata që pohonin se ne si shqiptarë kemi imunitet ndaj koronavirusit po flisnin kot.

Kemi imunitet dhe jemi të mësuar, jo me virusin… por me karantinë dhe izolimin.

E përfund, ngushëllohu dhe relaksohu! Nëse të duket e vështirë karantina e izolimi i këtyre pak ditëve, imagjino si ishte dhe sa e vështirë ishte karantina e virusit të tmerrshëm komunist të 16 mijë e 500 ditëve!

Prandaj, qëndro në shtëpi, e reflekto!

Burimi: kulturatv.com