Bota Shqiptare

Në prag të zgjedhjeve “Diaspora për Shqipërinë e lirë” denoncon emërimet politike të oficerëve koordinues për diasporën në Greqi dhe Itali

Në vazhdën e tentativave sipas traditave puniste për vendosjen e kontrollit mbi diasporën, qeveria rilindase e kryeministrit Rama ka krijuar kohët e fundit një post të ri diplomatik, me emër njëherazi ushtarako-qesharak, postin e oficerit koordinues për çështjet e diasporës. Janë bërë madje dhe katër emërimet e para pranë zyrave konsullore përkatëse në Itali dhe Greqi, dy shtetet ku ndodhen dhe pjesa dërrmuese e shqiptareve që kanë emigruar pas vitit 1990. Në një letër ku kërkohet informacion nga autoritetet më të larta shtëtërore, lëvizjes “Diaspora për Shqipërinë e Lirë” i ka denoncuar me fakte emërimet e bëra, si emërime të karakterit politik dhe partiak. A ka lidhje kjo edhe me afrimin e zgjedhjeve, është pyetja që ngacmon vëmendjen e redaksisë së Flasshqip. Për më tepër që, edhe pse ka pak ose aspak gjasa që të garantohet vota me korrespondencë, si zakonisht do këtë një numër të konsiderueshëm emigrantësh që do të kthehen në Shqipëri për të votuar. Gjithsesi kjo mbetet për t’u parë e vëzhguar në vazhdimësi. Më poshtë po botojmë të plotë letrën e nënshkruar nga Bledar Milaqi dhe Florian Haçkaj, dy themeluesit e lëvizjes “Diaspora për Shqipërinë e Lirë”.  

Të nderuar zonja dhe zotërinj,

Me anë të Newsletter #22 të gazetës "Diaspora Shqiptare" si dhe revistës informative, përcjellë me postë elektronike nga Ministria e Diasporës me datë 07 Shtator 2020, u vumë në dijeni rreth emërimit për herë të parë të oficerëve koordinues për çështjet e Diasporës shqiptare pranë posteve konsullore të Republikës së Shqipërisë në Romë, Athinë, Milano dhe Selanik. Sipas këtij lajmërimi, Kryeministri dhe Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Z. Edi Rama ka firmosur emërimin e katër emrave, përkatësisht Aurela Konduri - Selanik, Joneda Dodaj - Athinë, Luljeta Çobanaj - Milano dhe Edmond Kumaraku - Romë, persona të cilët do të ushtrojnë detyrën e oficerit koordinues për Diasporën. 

Në bazë të këtij propozimi të miratuar nga Këshilli i Ministrave, oficerët koordinues për Diasporën do të merren me çështje të Diasporës në fushën e kulturës, arsimit, financës dhe drejtësisë. Sipas revistës informative të Ministrisë së Shtetit për Diasporën, oficerët koordinues do të fokusohen në forcimin dhe zhvillimin e marrëdhënieve të komuniteteve shqiptare, ruajtjen dhe promovimin e gjuhës shqipe, nxitjen dhe organizimin e bizneseve shqiptare për të investuar në atdhe si dhe në asistimin e shtetasve shqiptarë, të cilët vuajnë heqjen e lirisë me vendim gjykate në shtetet pritëse.

Diaspora për Shqipërinë e Lirë (DPSHL) vlerëson përpjekjet e Tiranës zyrtare për t’u afruar me komunitetet shqiptare jashtë kufijve si dhe ndihmën e cila kontribuon drejtëpërdrejtë në zhvillimin, konsolidimin dhe faktorizimin e komuniteve diasporake shqiptare. DPSHL e konsideron këtë hap të domosdoshëm por dhe të vonuar njëkohësisht. Nga ana tjetër, konstatojmë me shqetësim, se emërimet dhe akreditimi i oficerëve koordinues të Diasporës nuk vjen si rezultat i procedurave të mirëfillta konkuruese në ambasadat/konsullatat e vendeve përkatëse, por rezultojnë të jenë kryesisht emërime partiake në mungesë të një proçesi transparent përzgjedhës.

Duke iu referuar kuadrit ligjor për emërimin e oficerëve koordinues të Diasporës oficerët e akredituar shndërrohen në staf diplomatik me gradën “Sekretar i Parë”. Në bazë të ligjit Nr. 23 / 2015 për Shërbimin e Jashtëm të Republikës së Shqipërisë, në shërbimin e Jashtëm pranohen personat, të cilët nuk bëjnë pjesë në asnjë parti apo shoqatë politike dhe që nuk marrin pjesë në veprimtaritë e organizuara prej tyre.

Në këtë kontekst mjafton të përmendet emërimi i Z. Edmond Kumaraku, i cili rezulton të ketë qënë Kryetar i Partisë Socialiste, Dega Itali siç edhe pohohet në faqen zyrtare të kësaj partie.  Z. Kumaraku është gjithashtu ish-konsull në Romë dhe diplomati i parë i shkarkuar gjatë valës së shkarkimeve në misionet diplomatike nga Ministri i Jashtëm në detyrë në vitin 2019 Z. Gent Cakaj, si pasojë e ankesave ndaj tij dhe emërimit nepotik dhe klientelist si dhe lidhjeve me persona të proçeduar penalisht.  Ngjashëm në këtë pozicion si oficere koordinuese e Diasporës është emëruar znj. Luljeta Çobanaj, ish-konsulle në Konsullatën e Përgjithshme të Milanos, e përjashtuar nga Shërbimi Diplomatik dhe ai Konsullor në vitin 2016 pas denoncimeve në media për abuzime brenda institucionit që ajo drejtonte.

Duke pranuar të drejtën legjitime të kandidatëve për oficerë të diasporës të kenë bindjet e tyre politike, Diaspora për Shqipërinë e Lirë e konsideron shqetësuese rehabilitimin e personave me një background kryekëput politik apo historiku të përfolur.

Bazuar në statusin e shërbimit civil, oficerët koordinues të Diasporës veprojnë në bazë të parimeve të profesionalizmit, integritetit, paanësisë politike, transparencës, shërbimit ndaj publikut, përgjegjësisë, si dhe korrektësisë në zbatimin e legjislacionit. Ata duhet të reflektojnë vlerat e komunitetit të diasporës dhe të jenë garant i transmetimit të informacionit të përgjithshëm në mënyrë të paanshme dhe përtej konjunkturave dhe axhendave politike.

Sipas vendimit të Këshillit të Ministrave, oficerët koordinues të Diasporës mund të përzgjidhen edhe nga jashtë Shërbimit të Jashtëm, por ata duhet të zotërojnë njohuri dhe ekspertizë të spikatur në fushën e arsimit, të drejtësisë dhe të nxitjes së investimeve si dhe janë përfaqësues nga radhët e komuniteteve shqiptare të Diasporës.

Në këtë kontekst lind pyetja, se në bazë të cilës eksperience profesionale është bërë përzgjedhja e oficeres koordinuese të Diasporës në Athinë, Znj. Joneda Dodaj. Në bazë të CV-së së saj të publikuar, ajo rezulton të mos ketë asnjë eksperiencë të theksuar profesionale, përpos praktikave të zhvilluara në përfaqësitë diplomatike dhe gjithashtu të mos ketë jetuar përgjatë viteve të fundit në Greqi.  Këtu lind pyetja legjitime: sa akses ka oficerja në fjalë në komunitetin aktiv shqiptar? Duke u nisur nga fakti se oficerët koordinues të Diasporës emërohen në gradë “Sekretar i Parë”, gradë e cila në bazë të ligjit Nr. 23/2015 për Shërbimin e Jashtëm të Republikës së Shqipërisë dhe Nenit 39 për Karrierën Diplomatike, fitohet vetëm 12 vjet pas marrjes së gradës atashe, konstatojmë se znj. Dodaj nuk përmbush gjithashtu edhe kushtin në fjalë. 

Me keqardhje konstatojmë se emërimet dhe përzgjedhjet në postet strategjike që kanë të bëjnë me Diasporën janë në anakronizëm të plotë me zhvillimin profesional dhe sukseset e vazhdueshme të Diasporës shqiptare në vendet ku ajo jeton. Ato nuk reflektojnë vlerat dhe standardet me të cilat punon Diaspora shqiptare.

Në vijim të shkresës dhe në respekt të kuadrit ligjor për oficerët koordinues të Diasporës, lëvizja Diaspora për Shqipërinë e Lirë kërkon:

  1. Të na informoni me shkrim mbi cilat baza profesionale nga ato që parashtron ligji, u zgjodhën 4 oficerët e lartpërmendur
  2. Të rishikoni menjëherë emërimin e të tre oficerëve të përmendur në shkresë, emërimi i të cilëve në vigjilje të fushatës elekorale hedh hije dyshimi mbi pozitën dhe rolin e tyre.
  3. Në bazë të Marrëveshjes së sipërpërmendur të datës 07.07.2020 midis dy Ministrive dhe në zbatim të kuadrit ligjor, të miratohen proçedurat konkuruese dhe hapet proçesi i aplikimit për njerëzit e interesuar nga komuniteti shqiptar në vendet përkatëse (Itali dhe Greqi).

Duke ju uruar punë të mbarë, mbetemi në pritje të përgjigjes tuaj.

Në emër të “Diaspora për Shqipërinë e Lirë”

Bledar Milaqi

Florjan Haçkaj