Bota Shqiptare

“Mini-Shengeni” do shpëtojë shqiptarët nga kurthi i historisë ose lajthitja e Tiranës - Nga Shaban Murati

Thagma më e re e absurdit qeveritar shqiptar u dëgjua në takimin e qeverive të Shqipërisë dhe të Kosovës në Tiranë në 2 Tetor, ku në hartimin kryeministror të mikpritësit u shpall se “Mini-Shengeni” serb do të shpëtojë shqiptarët nga kurthi i historisë.

Për levantinët kozmopolitë të qeverisë së Tiranës quhet “kurth i historisë” kërkesa e shqiptarëve për njohjen nga Serbia të shtetit të pavarur të Kosovës, kërkesa për dënimin e Serbisë për spastrimin etnik dhe gjenocidin e ushtruar në Kosovë, mbrojtja e integritetit territorial të Kosovës, reparacionet për agresionin serb në Kosovë, kërkesa për marrëdhënie vëllazërore dhe kufij të hapur pa policë e pa dogana me Shqipërinë, dëshira për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë, etj.

Dhe që budallallëku qeveritar të thyejë rekorde, u deklarua në mes të Tiranës se “Mini-Shengeni” serb do të bëjë atë që nuk e bëri dot presidenti amerikan Trump në 4 Shtator, dhe as udhëheqja e BE në Bruksel në 10 Shtator, se do të na çojë drejt njohjes përfundimtare të Kosovës nga Serbia. Përçartja në nivelin më të lartë qeveritar kulmoi me teorinë e re që shqiptarët do të arrijnë bashkimin midis tyre vetëm në “Mini-Shengenin” serb, që do të thotë kur të bashkohen si dy republika jugosllave.

Si nuk u ndodh dikush në sallë t’i kujtonte propagandistit më entuziast ballkanik të “Mini-Shengenit” serb se Kosova dhe katër shtete ish-jugosllave të Ballkanit Perëndimor e kanë provuar “Mini-Shengenin” në Federatën komuniste Jugosllave, ku i kanë patur katër liritë e famshme, që po shiten tani si zbritje në tokë e parajsës ballkanike. Anëtari i ri Shqipëria, që me dajre e me lodër u bashkua me “Mini Shengenin” jugosllav të Serbisë, më kot shtiret sikur kur nuk e di se ku po i fut kryet. Dikush nga fjalimshkruesit e tij patetikë duhet t’i kujtojë kryeministrit shqiptar deklaratën e presidentit të sapo zgjedhur serb Vuçiç në 6 Prill 2017, kur i shpalli shtypit amerikan se projekti i tij i zonës ekonomike të përbashkët “është Jugosllavia e vjetër, plus Shqipërinë".

Kur Beogradi në 1946 i diktoi Shqipërisë nënshkrimin e marrëveshjes skllavëruese të zonës ekonomike të përbashkët, të monedhës së përbashkët, të doganave të përbashkëta, të lirisë së forcës puntore, etj., pra projektin parardhës të “Mini-Shengenit”, që e bënte Shqipërinë Republikë të Shtatë të tij, e argumentoi me zbatimin e internacionalizmit ideologjik komunist. Fjalori infantil komunist për projektet serbo-shqiptare, që sjellin lumturinë e fëmijve të fëmijve, dëgjohet sot në 2020 në Tiranë në megafonin qeveritar, njësoj si në 1946.

 Por në 2 Tetor 2020 kryeministri i Shqipërisë ka shpikur një argument që të le pa frymë për tejkalimin e kufijve të absurdit. Në fjalimin e tij ai i tha qeverisë së Kosovës se duhet të hyjmë dhe të besojmë në “Mini-Shengenin” serb se jemi më të vegjël se Serbia. Nuk mund të ketë portret më fyes të mentalitetit të rajait, ku po e katandis Tirana rolin dhe vendin e faktorit shqiptar dhe të dy shteteve shqiptare në rajon. Gremisja kombëtare ka rritur shpejtësinë dhe kombi vrapon drejt kurthit të hegjemonisë së Serbisë, që është kurthi real i historisë, nga i cili duhet të shpëtojë.

©Shaban Murati