Bota Shqiptare

Pandemisë i përgjigjemi me propagandë - Nga Erion Dasho

Në momentin kur rreziku nga COVID-19 ka arritur në nivele alarmante dhe gjithë Europa po përballohet me rritje të shpejtë të numrit të të infektuarve, Shqipëria fsheh kokën si struci, injoron shkallën më të lartë të vdekshmërisë reanimatore në Europë dhe vazhdon të mburret se jemi vendi me performancën më të mirë kundër COVID-it.

Performanca e kryeministrit dhe ministres së Shëndetësisë sot nuk mund të quhet veçse patetike!

Në trinomin testo-gjurmo-trajto, ministria dhe shteti ynë vazhdojnë të rezultojnë ngelës në klasë që në elementin e pare, testimin.

Kryeministri në mënyrë të paturpshme u mburr me trefishim të numrit të testeve në raport me Korrikun, kur dihet se ky trefishim ofrohet nga sektori privat dhe përballohet nga xhepat e shqiptarëve me çmimin më të kripur në BE, plot 100 EURO për test! Dhe me gjithë këtë sakrificë të qytetarit, ende jemi vendi i fundit në Europë për numër testesh.

Asnjë fjalë për trajtimin kur pacientët shqiptarë po konsumojnë antibiotikët dhe antikoagulantët si karamele dhe kur secilin shqiptar e pret realiteti i zymtë i tre cikleve trajtimi me antibiotikë, antikoagulantë dhe kortizonikë pa ardhur ende fundi i pranverës.

Gjurmimi epidemiologjik (të cilin kryministrit ia kanë servirur kush e di nga cili status që unë dhe kolegët botojmë çdo ditë) bëhet si në Anglinë e shekullit të 19-të, me çantë në dorë dhe pas asnjë mjet digjital. Një turp ky për Europën e shekullit XXI!

“Zgjidhja” që ofron “ish-babai” i kohës së pranverës janë maskat në rrugë dhe gjobat!

Amatorizëm i gjallë që tregon se të paaftët që këshillojnë kryeministrin apo ministren ende nuk kanë mësuar as të lexojnë anglisht dhe të kuptojnë ato që fliten dhe rekomandohen prej muajsh nga institucionet prestigjioze ndërkombëtare!

Maskat në rrugë janë masa me efektin më të diskutueshëm dhe më pa vlerë në se nuk kombinohet me trinomin testo-gjurmo-trajto dhe me trinomin distancim-maskë në mjedise të mbyllura-higjienë!

Në se kemi arritur që t’i mbushim mendjen kryeministrit dhe ministres se realisht na pret një dimër i vështirë këtë vit, ata bëjnë mirë të lexojnë statuset e dhjetëra mjekëve dhe specialistëve të shëndetit publik të cilët, realisht të shqetësuar dhe të alarmuar për shëndetin dhe jetën e shqiptarëve, kanë muaj që shkruajnë e flasin.

Sa më parë, kryeministri dhe ministrja bëjnë mirë të zbatojnë masat strategjike që u kemi ofruar dhe shpjeguar deri në detaje!

Koha është për masa shkencore dhe të bazuara mbi evidenca dhe jo për amatorizma!

©Erion Dasho