KQZ rekomandon modelin e Kosovës, votimin e diasporës me postë
- Published in Bota Shqiptare
Siç bëjnë të ditur burime mediatike nga Tirana, Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, i ngarkuar me detyrën për hartimin e akteve për votimin e emigrantëve, duke marrë në konsideratë kushtet e Shqipërisë, ku përfshihen shtrirja gjeografike e diasporës, afatet kohore në dispozicion, shërbimi postar, mungesa e sistemeve të zhvilluara teknologjike etj, ka vlerësuar se më e përshtatshme për t’u zbatuar aktualisht në Shqipëri, është metoda e votimit nga jashtë përmes postës dhe shkarkimit të fletës së votimit online përmes faqes zyrtare të këtij institucioni. Ky model tashmë është përdorur në Kosovë vitin e kaluar, në zgjedhjet e 6 Tetorit.
Që një shqiptar i cili jeton jashtë Shqipërisë të ketë mundësi të votojë sipas këtij modeli, së pari duhet të futet në portalin e-albania dhe të regjistrojë vendbanimin e tij të përhershëm jashtë Shqipërisë. Në këtë mënyrë do të krijohet edhe regjistri unik i votuesve të diasporës.
Paraprakisht, që të evitohen mbivendosjet, institucionet përkatëse do duhet të bëjnë të mundur që emrat e regjistruar si votues të diasporës, të hiqen nga lista e votuesve në Shqipëri. Ndërkohë, ditën e zgjedhjeve, çdo shtetas i regjistruar nga diaspora mund të hyjë në faqen zyrtare të KQZ-së për të shprehur interesin për të votuar. Pasi të konfirmohet nga KQZ, atij do t’i jepet mundësia të shkarkojë përmes internetit dhe printojë fletën e votimit me karakteristikat përkatëse të sigurisë. Më pas ai mund të shënojë preferencën dhe ta nisë fletën e votimit me postë.
Gjithsesi, kjo mënyrë që është konsideruar si më e përshtatshmja për t’u dhënë mundësi emigrantëve për të votuar, është praktikisht thuajse e parealizueshme për zgjedhjet e 25 Prillit të vitit të ardhshëm. Kjo për shkak se deri tani, nuk ka asnjë person të regjistruar në regjistrin e emigrantëve. Regjistrimi duhet të bëhet herët, në mënyrë që siç u përmend më lart, zgjedhësi që regjistrohet si votues nga diaspora, të hiqet nga lista e votuesve në Shqipëri, proces ky që kërkon kohë. Po kështu, faktorët që mund të ndikojnë negativisht procesin mbeten siguria që fleta e votimit pas plotësimit arrin në Shqipëri në kohë, mungesa e sigurisë përgjatë rrugës ose para numërimit/mbërritjes në KQZ, kostoja financiare më e lartë për votuesit, pasi posta drejt Shqipërisë është më e kushtueshme apo rreziku i shtimit fiktiv të fletëve të votimit. Në raportin e KQZ të cituar nga mediat e Tiranës, theksohet se për shkak të kohës së kufizuar, nuk janë bërë ende as përllogaritjet e kostos së këtij procesi, ku përfshihet edhe tarifa e postës që varion nga 22 deri më 25 dollarë sipas shtetit.
©Flasshqip.ca












