Bota Shqiptare

Shqiptarët, Maqedonia e Veriut dhe Bullgaria - Nga Xhevdet Nasufi

Xhevdet Nasufi - Maqedonia e Veriut

U konfirmua se as për Maqedoninë e Veriut, as për Shqipërinë nuk ka konfirmim të takimit të parë ndërqeveritar të dy vëndeve me BE. Zhgënjimi është i thellë për qytetarët e të dy vëndeve, kurse shuplaka e dhënë politikanëve të të dy vëndeve të Ballkanit për dështimin, ishte e pritshme si ndëshkim. Por, për këtë histori mosuksesi nuk mundet Bashkimi Europian ta përjashtojë edhe vetveten.

Faktografia që flet: BE për Ballkanin Përëndimor instaloi asocimin dhe stabilizimin si kritere plotësuese për aderim pas konflikteve të armatosura. Pra, vendet e Ballkanit me probleme të theksuara të ndërsjella, në rrugëtimin drejtë BE medoemos duhet ti zgjidhin të njejtat.

Kjo edhe e goditi Maqedoninë e Veriut, së pari nga Greqia, e pastaj nga Bullgaria. Fatmirësisht, këto mosmarrveshje nuk janë produkt i konfliktit të ndërsjelltë ushtarak që vështirësojnë paqtimin, por gjithsesi sensitive nga këndvështrimi i historisë dhe ai etnik. Ndërhyrja e politikës ndërkombetare (ajo Amerikane në veçanti) në kontestin me Greqinë (për efekte gjeostrategjike) ndikoi që Maqedonia të ndërrojë emrin (egziston vend dhe regjion me të njejtin emër në Greqi) duke u bërë anëtare e NATO-s dhe duke hapur ombrellen e sigurisë.

Mosmarëveshjet me Bullgarinë janë më sensitive, të mpleksura me idologjizim të vrazhdë titoisto-komunist. Së fundi, Komisioneri për integrim i BE para ca ditëve i sugjeroi miqësisht Maqedonisë kompromis me Bullgarinë, por sugjerimi nuk u përcoll me sqarime të tjera plotësuese. Mendoj në këtë rrafsh, konstatimet eksploruese të historianeve të të dy vendet dhe popujve me një konsensus intelektual duhet të qartësojnë këtë këtë konfuzion me mençuri si real dhe historik, ndoshta edhe i përbashkët për të dy shtetet sovrane dhe dy popuj të mëvetësishëm.

Nga ajo që thamë, janë të pakuptimta protestat e VMRO të Gruevskit-Mickovskit gjersa nuk është qartësuar apo konfirmuar kompromis mes dy shteteve që e prish këtë balancë. Pra, as Bullgaria e as Maqedonia e Veriut nuk shkelën vijat e kuqe, edhe pse është pritur kjo. Gjithsesi, protestat e VMRO-së konfirmuan zgjuarsi oponuese për reagim, por jo edhe ide burimore dhe alernativë. Por, kjo zgjuarsi politike nuk mund t’i atribuohet as LSDM si trashëgimtare e komunizmit ortodoks titoist pas fillimtranzicionit, që  për dallim nga VMRO e origjinës burimore të vitit  1893, vëmëndjen e saj në masë të konsideruar dhe kauzen vetanake e kanë drejtuar më shumë nga Beogradi se sa nga Sofia.

Por, në këtë narracion politik cili është impenjimi i shqiptarëve, BDI-së? Zaten, edhe kur Gruevski zgjidhte zëvendëskryeminstra shqiptarë për integrim, sikur edhe Zaevi tani ministër shqiptar për Punë të Jashtme, asocimi shkon në mosukses dhe në defaktorizim të skajshëm të shqiptarëve. Sidoqoftë, klasa politike shqiptare qeverisëse (BDI) është pajtuar me këtë rol aspak dinjitoz, duke i lënë shqiptarët në bishtin e ngjarjeve politike dhe në krijimin e gjëndjes së pakënaqsisë për ta.

Sikur të mos ishte kështu, vallë do lejohej të jetë pozicioni i Bujar Osmanit si figurë shahu në fushë, karshi përgjegjësit real të qeverisë për politiken e Jashtme, Dimitrovit? Ose edhe më e pashembull, të emërohet emisar special për të normalizuar marëdhëniet me Bullgarinë (njeri i LSDM), gjersa ministri shqiptar është në funksionin respektiv. Kjo bëhet edhe më e pashpjegueshme, kur dihet një  fakt i dëshmuar  se Bullgaria ka patur dhe ka qëndrim tejet korrekt dhe pozitiv për faktorin politik shqiptar në Maqedoninë e Veriut, gjë që autori i këtyre rreshtave si anëtar i qeverisë e ka provuar gjatë kohës së luftës në vitin 2001.

©Xhevdet Nasufi