Bota Shqiptare

Në Shqipëri ka dhe “intelektualë” që urrejnë rininë protestuese - Nga Armando Mosho

Nën peshën e zhvillimeve më të fundit në Shqipëri, pas vrasjes së të riut 25 vjeçar nga policia, secili mbajti një opinion të tijin. Midis shumë postimeve në rrjete sociale më tërhoqi një postim ku: ftohej policia të bëhej më inteligjente, duke iu vendosur gjoba të majme prindërve të fëmijëve që protestonin, sepse më pas këta prindër do iu hynin me rrip lëkure në dru fëmijëve të tyre.

Besova se ky status nga ana e personit ishte një gjaknxehtësi e momentit dhe ndërhyra duke thënë se: me mëndësi të tilla nuk mundet të shkojë përpara Shqipëria, si dhe solla shembullin kur ne personalisht përlesheshim me policinë në vitet `90, si dhe e ftova personin ta rimendonte qëndrimin sepse ky status nuk e nderonte. Duke besuar se çdo prind që vendos dorë mbi fëmijën, nuk e meriton të jetë prind i atij fëmije.

Për habinë time erdhi një përgjigje akoma më e ashpër me një gjuhë që sa vinte dhe bëhej më e rëndë, derisa u arrit në pikën ku fëmijët u quajtën “pjella të atyre prindërve të cilët nuk i përkisnin elitës. Fjalë për fjalë fjalia e fundit ishte kështu: “Demokracia është mall elitar dhe jo konsum majmunësh. Majmunët hanë banane”.

Ky qëndrim nga një njeri që e njhija si intelektual dhe drejtues në një nga universitetet shqiptare më shokoi, u përpoqa sërish t’i shpjegoj se mungesa e formimit dhe devijacionet jo domosdoshmërisht vijnë prej familjes individualisht, por është plaga sociale e shoqërisë shqiptare të devijuar nga politikë-bërja. E ftova sërish, këtë herë të tërhiqte fjalën majmun për njerëzit, duke i thënë se është në nderin e tij të mos i fyejë shqiptarët.

Duket që personi më njeh pak mua dhe më sugjeronte që: nëse do më shqyenin shtëpinë dhe pasurinë do flisnim ndryshe. Ia shpjegova se pasuritë e mia janë shqyer sistematikisht që prej ardhjes së demokracisë nga: individë, shteti, pushteti e gjykata, por kjo nuk më bën mua ta urrej popullin tim. Përkundrazi, kjo më bën mua të dëshiroj ndryshimin deri në atë pikë sa populli të bëhet absolutisht i lirë nga kthetrat e politikës, prej nga ku unë besoj se gjendet dhe themeli ku do fillonte kthesa, emancipimi i shoqërisë shqiptare.

E kam ftuar edhe dy herë të tjera personin të kërkojë ndjesë publike për fyerjen e rëndë që ka lëshuar duke krahasuar shqiptarët me majmunët dhe refuzon ta bëjë.  Problemi më i madh qëndron në faktin se individi mban një pozicion të lartë në një nga universitetet ku besohet se fëmijët e shqiptarëve duhet të pajisen me dije dhe si të jenë larg dhunës.

Një pedagog që mendon se fëmijët edukohen duke i goditur me rripin e mesit ose edhe duke i quajtur shqiptarët majmunë nuk duhet të ketë vend në auditoret shqiptare. Po e ftoj sërish këtu publikisht të tërheqë fyerjet ndaj rinisë shqiptare.

Kushti i parë i domosdoshëm për të hyrë në auditore duhet të jetë dashuria ndaj qënies njerëzore. Të gjithë jemi të ndryshëm dhe të gjithë jemi njerëz të barabartë, pavarësisht se si jeta i ka përplasur disa.

©Armando Mosho