Bota Shqiptare

Kur vendos Perandori - Nga Ylli Dylgjeri

Ylli Dylgjeri

Sërish sot u mor vendim nga autokrati për plotësimet në Qeverinë e Rilindjes. Kryeministri vendosi vetë për të dy kandidaturat e Ministrave. Ministrin e Brendshëm dhe Ministren e Bujqësisë, ose thënë ndryshe, për drejtimin e rendit publik dhe ushqimit jetësor të tij.

Vendosi vetë Kryeministri, pa konsultime, pa debat, pa mbledhje Kryesie në PS, apo të forumeve të zgjedhura me vote prej saj. Autokrati deklaroi emrat e Ministrave edhe pa u njohur ata vetë! Bledi Çuçi u njoh me detyrën vetëm gjatë një konference nga një përfaqësues i huaj në takim - tha në emisionin e mbrëmjes në News 24 gazetari Sokol Balla.

Në vitet e shkuara, kur PS-në e drejtonte Statuti i PS, si instrument i gjithëpranuar nga masa e socialistëve, për të ndryshuar edhe zëvendësministrat, debatohej në forumet e saj, jo më për ministrat. Kujtoj vitet 2003-2004 kur PS-ja dhe Qeveria drejtohej nga Fatos Nano. Kishte dhënë dorëheqje Ministri i Brendshëm Luan Rama. Kërkohej zëvendësimi. Në Kryesinë e PS-se u hodhen tre kandidatura. Emrat ishin të zgjedhur të PS. Por... nuk u votua lehtë. Një anëtar Kryesie që sot është Zëvendësminister e kontestoi njerën nga kandidaturat. Ka probleme morali me familjen! - tha. Kandidatura kishte një vëlla me probleme.

Kryesia ngeci. Kryetari Nano e zgjidhi krizën. Ai deklaroi OK! Nuk do të kalojmë asnjë kandidature që na krijon kosto edhe te një antar i PS. Të vazhdojmë me kandidaturën tjetër. Ashtu u bë. Emri i ministrit të ri të Brendshëm u rrëzua. Fitoi më pas me votim Igli Toska.

Kur i kujtoj këto ngjarje sot, duken si përralla. Sot pushteti në PS është vetëm te Edi Rama. E tërë udhëheqja drejtuese e Ministrisë së Brendshme është vënë nga ai. Ai vuri Sekretaren e Përgjithshme, ai vuri Ministrin e Brendshëm, Ai deklaroi se edhe sikur 500 mijë vetë të dalin në shesh nuk e heq Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit!

Edi Rama vendos sot edhe për autorin edhe për viktimën, edhe për shpërblimin. Zotërimi i pushtetit në një dorë të vetme, jo vetëm po krijon kushte për vendime të papeshuara mirë dhe të padrejta, vendime që ndikojnë direkt jetën e qytetarëve të një vendi, por edhe frikën përkatëse. Sa më i madh pushteti që zotëron një autokrat, aq më e madhe frika mbi popullatën e gjerë, dhe aq me të padrejta do të jenë vendimet.

Pretendojmë ende se po zhvillojmë demokracinë parlamentare, ndërkohë i gjithë pushteti dirigjohet nga një dorë dhe për pasojë edhe vlerat në shoqëri do të jenë pashmangërisht katastrofike. Kjo është arsyeja pse publiku ka frikë nga i pari, nga autokrati, nga perandori, nga burimi i së keqes.

Kjo është arsyeja pse kërkohet largimi i tij!

©Ylli Dylgjeri