Bota Shqiptare

“Gogoli” Karl Marx në fushatën elektorale kosovare - Nga Enver Robelli

Enver Robelli - Zvicër

Kur nuk ke asnjë përgjigje pse brenda një dekade (2010-2020) mbi 100 mijë banorë të Kosovës braktisën vendin, kur nuk ke përgjigje si duhet luftuar papunësia, krimi dhe korrupsioni, kur nuk ke haber për zhvillimin e ekonomisë, kur nuk je në gjendje të shpjegosh përse mungojnë investitorët, kur nuk të intereson varfëria e mijëra qytetarëve, kur nuk të shqetëson fakti që kosovarët nuk kanë sigurime shëndetësore dhe i kanë pensionet më të ulëta në Europë (në mos në botë, me përjashtim të ndonjë shteti të dështuar në Afrikë), kur rrogat në Kosovë janë ndër më të ulëtat në Europë (me përjashtim të ndonjë politikani të pushtetit që zhvat nga 5-6 rroga mujore nga buxheti), kur brenda pak vitesh bie numri i njohjeve të Kosovës dhe Kosova heq dorë nga aplikimi në organizata ndërkombëtare, kur thjeshtë nuk ke si parti dhe si llafazan partie çka i ofron konkretisht këtij vendi, natyrisht që tregon kopalla për neomarksizmin.

E djathta përkrah nismat private, ekonominë e tregut të lirë, uljen e numrit të punonjësve në sektorin publik, kufizimin e rolit të shtetit në jetën e njerëzve, kursimin e buxhetit. Vetëm në partinë e themeluar më 1989 bën vaki që krerët e saj të shtiren si djathtistë dhe ta mjelin shtetin si majtistë. Dhe t’i akuzojnë të tjerët si majtistë sa për të bërë propagandë në përpjekje të mjerë e të kotë për të ngjallur vampirët ideologjikë të Jugosllavisë dhe Shqipërisë së dikurshme, sepse kur s’ke përgjigje për të ardhmen, trazon qullin e së kaluarës, me njëfarë qëndrimi recituesi që flet nga trapazani me megafonin e prishur.

Këso fjalimesh gjeneratat e kosovarëve të rinj s’duan të dëgjojnë më. Sepse ata duan punë dhe duan mirëqenie. Dhe shtet funksional. Sundim të ligjit. Politikanë që nuk recitojnë poezi. Njerëzit e varfër dhe të dëshpëruar nga keqqeverisja, të cilën e ka mundësuar edhe partia e themeluar më 1989, nuk kanë çfarë të humbin përveç prangave që ua ka vënë keqqeverisja.

Në dëshpërim e sipër futet si gogol në fushatën elektorale vetë Karl Marx-i. Dhe keqpërdoret në mënyrën më flagrante. Më të pacipë. Duan t’ia lënë fajin një filozofi gjerman për 20 vjet keqqeverisje, manipulim, mashtrim, lojëra me viktima, nënshtrim, mungesë programi qeverisës. “Pa Marx-in nuk do të ekzistonte etika sociale katolike”. Kështu pati thënë kardinali i Münchenit, Reinhard Marx, më 2018, në 200-vjetorin e lindjes së Karl Marx-it.

Njeriu i Biblës e lavdëronte njeriun e Manifestit Komunist si korrektues të sistemit kapitalist. Sepse, sipas Reinhard Marx-it, përqendrimi vetëm në treg të lirë nuk e bën shoqërinë automatikisht më të drejtë. Shumë shtete perëndimore me sisteme të avancuara sociale bazohen pjesërisht në teoritë e Marx-it. Keqpërdorimi i Marx-it për hesape elektorale të provincës kosovare - s’mund të merrej me mend, por ja që ndodh, kur shterpësia ideore arrin kulmin.

Gogoli - Figurë e përrallave dhe e besimeve të kota, që përfytyrohet si një qenie e tmerrshme, me të cilën trembin fëmijët që të mos qajnë e të rrinë urtë.

©Enver Robelli