Bota Shqiptare

7 Marsi dhe shkolla shqipe si rreze e dijes dhe identitetit kombëtar kudo ku ka shqiptarë - Nga Pertefe Leka

7 Marsi është një ditë e veçantë për mësues e nxënës, është ditë vlerësimi për ne si mësues, është ditë mirënjohjeje nga ana jonë për të përshëndetur edhe ne mësuesit tanë që na përgatitën dhe na aftësuan për edukimin e brezit të ri. Une kam patur fatin që mësuesi im i parë ka qenë im atë i cili kishte përvoja të mira nga mësuesit e tij në Gjimnazin e Shtetit, Shkodër. E kishte shembull të madhin Mirash Ivanaj i lauruar në La Sapienza Romë, jo vetem me kulturë evropiane por akoma më shumë me kulturë kombëtare…

Im atë, Jaho Domnori e ushtroi profesionin në disa qytete e fshatra të Shqipërisë por gëzimin më të madh siç e tregonte vetë, e pati kur u emërua drejtor i shkollës shqipe në Ulqin, në vitin 1941.

Fjalimi që mbajti përpara prindërve në gjuhën shqipe dhe puna e mirëorganizuar me trupin mësimor në Ulqin e rrethina i dha vlera historike kombëtare, asaj ngjarje, ku sot përkujtohet me nderim, 80 vjetori i hapjes së shkollës shqipe “Skanderbeg” në Ulqin.

Duke patur tim atë si shembull pozitiv, kur isha nxënëse në Gjimnazin e Shkodrës, pranova propozimin e babës që të shkëputesha nga Gjimnazi dhe dy vitet e fundit të shkollës së mesme t’i përfundoja në shkollën pedagogjike, për të pasuar profesionin e tij. Me diplomën e asaj shkolle u emërova mësuese në fshatin Vrakë 1960. Porosia e tim ati ishte “Puno gjithmonë njësoj çfarëdo drejtimi shtetëror që të ketë dhe në çdo vend.”

Unë e ushtrova profesionin tim si mësuese letërsie per 3 dekada në Gjimnazin “Kristoforidhi” të Tiranës. Isha me fat që gjeta një kolektiv me profesionistë të përgatitur dhe të motivuar për mësimdhënie me nivel të lartë.

Unë si mësuese letërsie ballafaqohesha me ideologjine e sunduese. Sepse duheshin gjykuar shkrimtarët botërorë dhe Rilindasit “për disa kufizime ideore,” gjë që binte ndesh me logjikën “pse kanë menduar ata ndryshe”.

-Naim Frashëri, Poeti kombëtar në poemën “Bagëti e Bujqësi” theksonte urimin “i Bekoftë Perendia” që përsëritej shumë here në vargje dhe binte në kundërshtim me ideologjinë sunduese... të një shoqërie ateiste. 

Ose do të gjykoja shkrimtarë botërorë si Shekspirin i cili nuk e paska vleresue “rolin e masave” te kryevepra  Makbeth… e shume te tjerë si këta.

Driteroi në vargjet e tij “Kali dhe Gomari” shprehet - ndërsa i zoti godiste me shkop kalin… pyetja e nxënësve ishte: a mund ta konkretizoni me njerez?

-Poezi nga Dritero Agolli           

KALI DHE GOMARI

Kalonin në një shteg të ngushtë mali,

gomari para, pas gomarit kali.

Të dy ngarkuar me thasë mirë,

nga vapa të munduar e djersirë.

Fshatari donte shpejt në fshat të arrinte,

ndaj kalit vitheve me shkop i binte.

Por kali më në fund durimin humbi,

e ngriti bishtin dhe samarin tundi.

Hej mbaj dorën se pastaj ta hedh përdhe samarin,

ti para meje pse ma nxjerr gomarin?

E nga të vete s'di fare unë i ngrati,

kur rrugën ma ka zënë veshgjati.

Përpara nxirrmë mua të mos vuash,

dhe rrih pastaj gomarin sa të duash.

Kështu e ka kjo botë e mjerë e marrë,

Përpara nxjerrin veç gomarë.

Edhe pse në ato kushte kufizuese për mendimin e lirë, përpjekja për të zbatuar me përpikmëri të gjitha etapat e orës së mësimit, nga ana pedagogjike realizohej. Veshtirësia ishte kur në klasë ishte shume i madh numri i nxënësve. Kryesore për mësuesin ishte njohja individuale, psikologjike sepse edhe pyetjet në kontrollin individual do të mendoheshin dhe përshtateshin secilit nxënës. Në përgjigjet pastaj shikoje reagimin e tyre dhe do të pergatiteshe për punë të diferencuar. I jepnim shumë rendësi shkrimit me dorë, sidomos në punën e pavarur, që sot është zëvëndësuar me kompjuter në sistemin shkollor.

Sot takimi me prindërit edhe ai dixhital ka informacion më të shpejtë, sepse të dy palët, mësues e prindër, janë të interesuar për mbarëvajtjen e fëmijëve.

Paraqitja e mësuesit. Thjeshtësia, korrektësia e organizimi në punë, ishte model për nxenësit.

Sot paraqitja e jashtme, konkurenca në veshje dhe në zbukurime të jashtme, ka prioritet me shume se sa përqëndrimi ne orën e mësimit.

Unë për vete, krahas tregimit dhe informacionit  në orën e  mësimit i kam dhënë akoma më shumë vlerësim anës edukative.

Sa i vlen në jetë, sa e lidh me vendin e vet, sa eksploron, si të integrohen në ato rrethana që jetonim. Aty tërhiqja vëmëndjen, zgjoja interesin, nxisja diskutimin, e mendimin krijujes.

Kjo i duhet shkollës sot, sepse sot nxënësi e merr informacionin ndofta edhe më të shumtë se mësuesi.

Roli i mësuesit është akoma më i madh se si t’i aplikojë dhe t’i vejë në jetë njohuritë, duke ekplorue me ta shikon reagimet e secilit, piketon dhe zbulon talentet e të rinjve. Ky shëmbull mësuesi, bëhet tërheqës e frymezues. 

Punën me librin e kishim primare jo vetëm brenda orës së mësimit por edhe jashtë saj ishte lidhja me bibliotekën.

Sot leximi i librit nuk funksionon në bibliotekë, kur botimet janë të pakufizuara nga ana ideologjike.

Librin nuk mund ta lexosh në telefon sado e përsosur të jetë teknologjia. Libri është i domosdoshëm për të gjitha moshat; për kulturë, për disiplinë, për dituri dhe për zhvillim intelektual!

Ne, si mësuese, përveç punës pedagogjike sipas programeve, na duhesh të bënin edhe punen e psikologut. Ti përshtateshim temperamentit e karaktereve të ndryshme, ku ndikonte shumë ana ekonomike e sociale dhe ideologjike.

Por diferencën më të madhe atëhere e bënte lufta e klasave. Ishte e tmerrshme, kur etiketoheshin “me kleçkë politike” nxënës apo mësues. Aty nuk funksiononte asnjë këshillë… as psikologjia.

Por ata mësues e ushtruan profesionin edhe në burgjet politike edhe në internime, falë pasionit të tyre e pa shpërblim.

Sot në sistemin shkollor janë emëruar psikologë, sepse fenomene të reja negative dallohen. Por unë mendoj se është e pamjaftueshme, që një psikolog të përballojë stresin, bullizmin, indiferentizmin e të tjera dukuri negative të adoleshentëve të shkollës së sotme.

Psikologjia duhet të përfshihet si lëndë kryesore në shkollat e mesme e të larta, sepse është shkenca që kontribuon për të zgjidhur probleme sociale, për të njohur veten dhe për t'u përgatitur më mirë për të përballuar situata të ndryshme.

Kjo do të ndihmojë akoma më shumë në organizimin më të mirë të teknologjisë dixhitale të orës së mësimit për edukimin e tyre.

Uroj dhe besoj që shkolla shqipe, kudo ku ka shqiptarë, të funksionojë, të rrezatojë dijen dhe identitetin tonë kombëtar shqiptar!

Gëzuar 7 Marsin!

©Pertefe Leka - New York