Zoran Zaevi i manipuloi shqiptarët - Nga Xhevdet Nasufi
- Published in Bota Shqiptare

Xhevdet Nasufi
Referuar të kaluarës jo edhe aq të largët, komunizmi jugosllav dhe lobi serb i kishte mish për top shqiptarët. Gjyqësori ishte arma më e fuqishme për këtë qëllim dhe shqiptarë të panumërt kanë kaluar nëpër këtë ferr. Të mos krijojmë hamendësime, komunizmi shkatërronte idetë si vlerë, por shqiptarët i shkatërronte edhe si qenie dhe vetëdije etnike. Nëse veprimi i këtillë denigrues u bë standard në komunizëm, instrumentalizimi politik i tij nuk pushoi edhe pas komunizmit në Maqedoninë e Veriut.
Kjo histori e djeshme dhe e sotshme, subversioni i këtillë amoral i shtetit me shqiptarët, gjithnjë është bërë edhe në prezencë të autoritetit qeverisës shqiptar. Kjo ka reflektuar ose pafuqinë e tyre që të ndajnë pushtetin me sllavët, ose të manifestojnë konformizëm të pashembullt. Pikërisht instrumentalizimi i këtillë me të drejtë ka shkaktuar mosbesimin e arsyeshëm të shqiptarëve në gjyqësor edhe sot kur ai flet me gjuhën e politikës.
Nuk është oportune të ndalemi vetëm në rastin e quajtur “Monstra”, edhe pse ka mjaft shembuj të tjerë. Fatime Fetai (prokurore e rastit) është shembull i shëmtuar se si mundet të flijohen edhe për qasje banale interesat kombëtare dhe koherenca ndëretnike, por gjithsesi edhe më rënduese në rastin Monstra është relevanca politike e BDI-së dhe liderit Ahmeti. Heshtja e tyre edhe përpos deklarimeve të zëshme të Gruevskit dikur, Zaevit dhe Mickovskit tani në favor të vendimit të fundit të Gjykatës thëret për vetëdijësim etnik në favor të barazisë juridike të shqiptarëve. Po pse duhet kjo thirrje ndërgjegjes?
Së pari, fakti se vrasja makabër ka ndodhur tani e dhjetë vjet më parë te Liqeni i Smilkovës ka veçoritë: janë zhvilluar më shumë se 60 seanca; politika ka ndërhyrë dhe ka presionuar vazhdimisht proçesin; prova dëshmuese në proçes përdoren edhe deklaratat e marra para organeve të policisë; terrorizmi radikal islam i cili ka shenjat karakteristike të manifestimit nuk u eksponua si transparencë. Si përfundim, edhe pas kaq vitesh të ngjarjes tragjike, edhe pas kaq sforcimesh politike, procesimi i lëndës është larg epilogut me gjasa reale që të ripërsëritet për së dyti here.
Së dyti, pse menjëherë pas vrasjes mizore në Smilkovë, Gordana Jankuloska, ministre e Policisë, Xhelal Bajrami zëvëndës i saj dhe Sasho Mijallkovi, drejtor i Policisë Sekrete dolen në konferencë shtypi (pse nuk e bëri këtë organi i hetuesisë) dhe de facto “konfirmuan” dënimin...: janë arrestuar radikal-islamistë të cilët kanë marrë pjesë në vrasjen e pesëfishtë në Liqenin e Smilkovës... (prezumim i pashembull i fajësisë nga politika).
Së treti, Zaevi me rastin e publikimit të materialit të përgjimeve mjeshtërish arriti të sfidojë jo vetëm qeverinë e Gruevskit, por edhe simpatinë e shqiptarëve me deklarimin për “Monstrën” se në paraburgim qëndrojnë njerëz të pafajshëm.
Por, pasi e realizoi qëllimin dhe u bë kryeministër me votat vendimtare të shqiptarëve votues, sikur edhe pararendësit partiakë dhe të kolltukut (Gligorovi, Crvenkoski, Gruevski), filloj të promovojë ideologjinë e sprovuar të ndasisë etnike: U tërhoq nga pafajësia e të akuzuarve për vrasjen në Liqenin e Smilkovës në favor të asaj që faktikisht vendosi Gjykata. E ndërroi mendjen dhe kaloi në taborrin e demokratëve të rrejshëm, duke anashkaluar edhe standardin e mirënjohur botërisht se e vërteta ka vetëm një fytyrë, pos nëse nuk gjykohet si e pavertetë!
Dhe si përfundim, harmonia idilike qeverisëse shqiptaro-maqedonase e konvertuar, BDI-LSDM apo BDI-VMRO për afro njëzet vite edhe mundet të jetë e vërtetë, por gjithsesi jo e mbështetur në respekt, vlerësim dhe dashuri të sinqertë ndaj shqiptarëve.
©Xhevdet Nasufi












