Bota Shqiptare

UGSHPD: Kujt do t’i mbetet kapelja më në fund !?

Montazh nga FlasShqip.ca

Unioni i Gazetarëve Shqiptarë Profesionistë të Diasporës i drejtohet SPAK

Struktura e Posaçme Anti-Korrupsion (SPAK) pas fakteve të mbledhura në dhjetë ditët e fundit u ka vënë kapelen e kryerjes së krimit dhe u ka hedhur prangat kryebashkiakut të Lushnjës dhe 10 zyrtarëve e punonjësve të kësaj bashkie. U ka vënë kapelen e kryerjes së krimit dhe ka arrestuar 9 zyrtarë e ish-zyrtarë të Ministrisë së Brendshme për tenderin me uniformat, ku vetëm një kapele sipas çmimit korruptiv kushtonte 350 euro.

Në vazhdim SPAK u ka vënë kapelen e kryerjes së krimit dhe ka vënë nën akuzë edhe ish-kryebashkiakun e Pogradecit, zëvendësin e tij dhe katër persona të tjerë. Vetëm këto tre raste nisën para syve tanë VALLËZIMIN E PARTNERITETIT KORRUPTIV (deri tani 24 persona) dhe na bën të pyesim: -A do të jetë një “show tv” apo një maratonë e talenteve të shtetit dhe politikës që vallëzojnë partneritetin me krimin e organizuar?

Por s’ka përse të habitemi. Kushtet e fillimit të këtij konkursi talentesh sapo kanë nisur.

Një ditë para arrestimeve në një takim me Kryebashkiakët, ishte Kryeministri Rama që dha sinjalin e valës së arrestimeve nga SPAK-u kur ai vetë kërkoi nga Bashkitë që të mos abuzojnë me tenderat. Metodat e Ramës përngjajnë me fushatat enveriste të spastrimit të radhëve dhe “zbulimit te grupeve sabotatore” në ekonomi, politikë, art etj.

Por kemi edhe një vëzhgim më vigjilent ndërkohë.  Organizata monitoruese si Open Data Albania kanë deklaruar se tenderat e qeverisë Rama ua kalojnë çdo mënyre krahasimi në botën e tenderimit të gjitha rasteve kur flitet për bashkitë për sa u takon mungesës së konkurrencës, anullimeve të përsëritura, negocimeve dhe mos-respektimit të afateve. (Sjellim në vëmendje këtu çmimet e përfolura si 350 euro vetëm një nga 22 mijë kapelet e porositura apo 20 milion euro për një km rrugë). 

Sipas Open Data, tenderat e sektorit të shëndetësisë, të Autoritetit të Rrugëve apo Fondit Shqiptar të Zhvillimit, vlerësohen me risk të lartë për korrupsion dhe klientelizëm. Themelet pra janë hapur. Na mbeten dy rrugë. 1- Zbatimi i projektit për të çimentuar krimin financiar dhe 2- Kujt do t’i drejtohet kapelja e kryerjes së krimit më tej?

Kur SPAK-u u shkon pas kapeleve të policëve dhe tenderave të bashkive për të vendosur drejtësi, atëherë a është ky organ i posacëm po aq i angazhuar për t’i dhënë fund pandëshkueshmërisë duke ndjekur abuzimet e çdo lloji dhe ngjyre tek tenderat e qeverisë apo ka zgjedhur vendosjen e kapeles mbi kokën e partneritetit të krimit që t’i sjellë drejtësi popullit?

Na është thënë dhe po respektojmë kohën që duhet për të shqyrtuar faktet dhe bërë mbrojtjen e akuzës dhe daljen përpara drejtësisë. Por ka kaq shumë talente në këtë maratonë të vallëzimit me krimin sa që netët deri në finale duhet të na përgatisin për më të mirët që do të fitojnë kupën e krimit.

Thuajse dy vjet përpara, me një shënim në faqen e vet në FaceBook, Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Tiranë e përshëndeti formimin e SPAK-ut si një moment që shënonte një “fazë të re të zhvillimit të saj demokratik dhe ligjor” duke u zotuar se Shtetet e Bashkuara do të mbeten një partner i palëkundur në mbështetje të SPAK dhe të të gjithë atyre që kërkojnë t’i japin fund pandëshkueshmërisë dhe të sjellin drejtësi për popullin shqiptar.”

Në njoftimin e publikuar në FB thuhet se SPAK-u është një organ prokurorësh të angazhuar për të identifikuar, hetuar dhe vënë përpara drejtësisë zyrtarë dhe ish zyrtarë si edhe bosë të krimit – “individë që janë konsideruar si të paprekshëm’. Në korrik 2021, Kryebashkiakët e Lushnjes, Pogradecit, Shefat e Zyrës së Prokurimit Publik dhe madje ish Zv. Ministrja e Brendshme, dolën që janë të “prekshëm” nga SPAK-u.

Rasti i “korrupsionit me uniformat e policisë” ku vetëm vlera e një kapeleje ishte 350 euro nxiti simbolikisht në publik dhe ilaritetin pasi edhe njerëzit u lodhën me fjalët krim dhe korrupsion.

Duhet një “Shfaqje e Re”, mendësi, regji dhe arritje më tërheqëse para syve tanë të cilën e quajtëm “KUJT JU VU KAPELJA?!”. Duket se nisi vitin e kaluar me hetimet që nxorrën në dritë. Sivjet një abuzim prej 23 milionë Euro të tenderit për furnizim me uniforma të forcave policore deri në vitin 2023.

Një grup parlamentar i opozitës njoftoi SPAK-un për tenderin duke akuzuar Ministrin e Brendshëm të asaj kohe për shkelje të “barazisë së tenderave” meqë sipas tyre fituesi i tenderit ishte i parazgjedhur, ose thënë ndryshe, loja me kapele ishte e kurdisur.

Çdo ditë kalon shumë ngadalë veçanërisht kur pret fjalën dhe vendosjen e drejtësisë. Ne ju urojmë të keni durim por njëkohësisht të jeni dhe pjesëmarrës aktiv në ndjekjen e netëve të shfaqjes.

Nëqoftëse ju keni provuar dhe jetoni pranë botës së këtyre talenteve mos ngurroni të bashkëbisedoni me njëri-tjetrin për ta thënë troç të vërtetën. Ju lutemi na shkruani edhe ne deri në finalen e KUJT DO T’I MBETET KAPELJA MË NË FUND?

 

Shënim: Për çdo koment, informacion apo sugjerim ju lutemi na shkruani në Questo indirizzo email è protetto dagli spambots. E' necessario abilitare JavaScript per vederlo.