Aeroporti i Kukësit dhe djali me “Benz” - Nga Mehmet Elezi
- Published in Bota Shqiptare
1.
Para nëntëdhjetës prej rretheve verilindore derdheshin pasuri të pafundme: energjia elektrike, kromi, bakri i pasur me ar, lënda e drurit. Por atje nuk u bë asnjë investim. Në Tropojë e në Has s’u ndërtua asnjë kilometër rrugë e asfaltuar. Nuk u hapën as ndërmarrje të vogla punësimi me lëndë të parë të vendit. Një prej parqeve më të mëdha të gështenjave në Ballkan ndodhet në Tropojë. Nuk u ndërtua kurrë një punishte e thjeshtë për përpunimin e tyre. Anipse ua pati premtuar vetë diktatori.
2.
Historia nuk po përsëritet. Thjesht po vijon. Mediat, 31 Korrik 2021, citojnë INSTAT:
Nga 2013-a qarqet e Dibrës dhe Kukësit kanë shkuar poshtë e më poshtë. Në dy mandate të “Rilindjes” ekonomia e Kukësit (Kukës, Tropojë, Has) ka rënë 2.7 për qind.
Kukësit i duhen 20 vjet me mbërri nivelin e sotëm kombëtar. I duhen 37 vjet me mbërri nivelin e sotëm të kryeqytetit.
3.
Dhe Kukësit iu “dhurua” një aeroport.
Më 1993, një birbo që kish punuar do kohë në Perëndim, kthehet me një “Benz”. E-he, ngrefosej. E shikoni? E bëra plakën me “Benz” si të Lenkës!
Por familja e tij kish nevojë për banesë, veshje e ushqime, për punë.
Plaka hip vetëm një herë në “Benz” dhe lemeris dynjanë: paskesh qenë me të brendshme të grisura!
Aeroporti i Kukësit të kujton këtë histori.












