Bota Shqiptare

Unioni i Gazetarëve të Diasporës denoncon fobinë e Ramës ndaj Kosovës

Me sytë drejtuar tek vizita e lamtumirës e kancelares Angela Merkel në Tiranë, shqiptarët, në Ballkan dhe në Diasporë, u bënë dëshmitarë të incidentit të rëndë të Edi Ramës, i cili ua mbylli mikrofonin gazetarëve të Kosovës dhe nuk i lejoi të bëjnë pyetje në konferencën për media. Kryeministri i Shqipërisë, me një pabesi rrugaçërore, me një urrejtje të shprehur turpshëm dhe shëmtuar nga e gjithë qenia e tij fizike e pranishme, shkeli çdo rregull dhe normë në komunikimin me mediat në ngjarje të tilla.

Gazetarët e Kosovës nuk ishin njoftuar paraprakisht se ata nuk mund të bënin asnjë pyetje dhe duhej t’iu ishin treguar arsyet përse atyre nuk iu lejohej të bënin pyetje. Ata shpresuan deri në sekondën e fundit se edhe atyre do t’iu jepej fjala në kryeqytetin e të gjithë shqiptarëve. Dhe, me shumë të drejtë, protestuan për qëndrimin e kreut të Tiranës zyrtare.

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës, duke e dënuar veprimin e papërgjegjshëm të Ramës, zbuloi se pyetja ndaj zonjës Merkel ishte që kancelarja gjermane të shprehej qartë ndaj nismës Rama-Vuçiç “Open Balkan”, në mënyrë që t’iu jepet fund keqinterpretimeve nga propaganda e qeverisë së Shqipërisë, ndërsa pyetja ndaj Ramës ishte: “Pse vazhdon ta mbrosh kaq shumë “Open Balkan”, si është e mundur?!”

Kolegët shqiptarë të Kosovës u shprehën se pjesëmarrja e tyre në konferencën për media Merkel-Rama ishte plotësisht e ligjshme, ngaqë takimi i kancelares në Tiranë ishte multiltateral, me karakter rajonal, ishte një takim ku Kosova ishte një ndër temat qendrore të trajtuara. Ndaj, gazetarët me të drejtë kishin pyetje që ishin në interes të publikut të Kosovës lidhur me qasjen e zonjës Merkel karshi Kosovës por edhe qasjen e Ramës. Ata konstatuan me keqardhje të dukshme se Rama i ka shmangur në mënyrë të qëllimshme.

Unioni i Gazetarëve Shqiptarë Profesionistë të Diasporës (UGSHPD) pajtohet plotësisht me konkluzionet e Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës se incidenti i 14 Shtatorit në Tiranë e dëshmon raportin e Ramës me mediat. “Kjo që na ndodhi ne një ditë, iu ndodh gazetarëve të Shqipërisë përditë, sepse qeveria socialiste është një qeveri që nuk jep llogari, prandaj publiku mbetet i painformuar,” u shprehën kolegët shqiptarë të Kosovës.

Incidenti i 14 Shtatorit në konferencën për media Rama-Merkel është një ndër dëshmitë e panumërta të qëndrimeve armiqësore të Ramës dhe regjimit të tij antidemokratik ndaj lirisë së mediave. Ne kemi pritur që shoqatat e gazetarëve, shoqatat e mbrojtjes së fjalës së lirë e të mendimit të lirë, shoqëria civile, opozita në Shqipëri të mbanin qëndrim ndaj këtij incidenti. Është tejet skandaloz nënshtrimi pa kushte i tyre ndaj tiranisë sunduese.

Incidenti ndaj gazetarëve të Kosovës është shprehje e radhës e thellimit të fobisë së Ramës ndaj Kosovës. Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë e përcakton qartë detyrimin që ka shteti i Shqipërisë ndaj çështjes kombëtare, ku çështja e Kosovës është më vendimtarja. “Open Balkan” është kundërvënie e përbashkët e Tiranës dhe Beogradit ndaj proceseve të Kosovës. Është një nismë që çon në Moskë dhe jo në Bruksel.

Incidentin ndaj gazetarëve të Kosovës e dënoi edhe Federata Evropiane e Gazetarëve. Unioni i Gazetarëve Shqiptarë Profesionistë të Diasporës iu bën thirrje të gjitha ndërgjegjeve të lira ta dënojnë këtë incident!

UGSHPD - 15 Shtator 2021