Bota Shqiptare

Komshinjtë - Nga Gëzim Zilja

Aty në bregun e detit, në një “Bar” të zakonshëm lagjeje, ku një kafe dhe një raki kushtojnë 100 lekë, dy klientë zhvillojnë një dialog me zë të lartë. Tonet vazhdojnë e ngrihen deri në qiell me fjalë të rënda e të pakontrolluara, gjë e pazakontë kjo për banorët. Njëri prej tyre, Sazani, vjen i pakët nga trupi dhe i dobët. Gjithë jetën pantallonat i ka mbajtur me ushkur ose rrip meshini, sepse beli i hollë, nuk përshtatet me standardin e prodhimit në seri. Flokët ende nuk i kanë rënë, energjik, hazërxhevap, e mbajnë për njeri të mirë, jo ngatërrestar, megjithëse është tip nervoz e merr flakë si shkrepse, nëse njerëzit nuk i shkojnë pas muhabetit. Qaniu vjen i ngadaltë, fjalëpakë, i shëndoshë, mik i vjetër i rakisë por jo sherrxhi. Kur e shikon, që muhabeti nuk shkon, ngrihet e ikën pa nisur zënkat. Po këtë rradhë sherri, dukej serioz dhe Qaniu nuk u ngrit të ikte si herët e tjera.

-Ha e pi se e ke zënë veten, e mbahesh me të madh, - bërtiste Sazani.

-Me të madh nuk jam mbajtur ndonjëherë, po jam i gjallë unë, nuk jam i ngordhur si ty. Le të marrin detin dhe djemtë e tu apo nuk ua mban!?

-E dimë të gjithë punën tënde, që bën me tët bir. Edhe se si i nxjerr paratë me djersë. Nuk i ngatërroj djemtë e mi me ato punë, - shfryu gjithë mllef Sazani.

-Ç’do të thuash me këto ti, more ngordhësirë? Mua do të më zesh në gojë punën dhe djersën ti? Mua dhe tim bir, që rrezikon jetën e tij në mes të detit, për të    siguruar bukën e gojës?  Qaniu i tërbuar nga fjalët u ngrit në këmbë.

Flitej dhe kjo ishte e sigurt, se djali i Qaniut me gomonen, që përdorte në verë për turizëm hera-herës, kur ngrohej koha, kalonte klandestinë në brigjet italiane, zakonisht hallexhinj, që punonin stinën e verës e vjeshtës, në të zezë, në bujqësi, në zonën e Puglia-s deri në fund të dhjetorit, kur mbaronte dhe vjelja e ullinjve. Strehimin, kur deti ishte i trazuar, ua siguronte Qaniu, në ca shtëpi të vjetra njëkatëshe, për të mos rënë në sy të policisë. Kohët e fundit puna ishte shtuar se kalonin matanë edhe emigrantë nga Siria e Afganistani. Nuk mburrej kurrë Qaniu, që kishte para e bënte jetë të thjeshtë. I biri kishte ndërtuar veçmas një vilë dykatëshe, pranë shtëpisë së vjetër ku banonte i ati. Kjo e tërbonte Sazanin sa herë kalonte andej. Bluante me vete:

-Ja zorrëtharë si unë ishin dhe ata, po shiko se ç’vilë ka bërë ai langua i Qanos?  Kurrë nuk kishte dalë nga goja e Qaniut një fjalë e vetme për punën e të birit dhe i shmangej ngaherë debatit me moshatarët për këtë temë.

-Yt bir ka hedhur klandestinët nga Siria në det, një herë kur e ndoqi policia, - shpërtheu Sazani. Fytyra e thatë dhe gjatoshe iu skuq nga zilia dhe marazi. Qaniu sikur ta kishte pickuar një nga ato nepërkat laramane me kokë trekëndëshe u hodh përpjetë.

-Do të vras mu këtu, more qen e bir qeni. Të ka mbirë maçoku në bark nga zilia. Mbylle atë hale, mos më shty në gjynah!

Gjithë ai burrë i shëndetshëm e i fortë, dukej se do ta hante të gjallë. Banorë të lagjes, i larguan, përndryshe një grusht i Qaniut do ta dërgonte në botën e përtejme Sazanin. Gjindja u qetësua. Qaniu me këmishën e zbërthyer e dalë jashtë mbi pantallona, që i mbulonte barkun e madh deri poshtë si fustan, foli me zë të lartë:

-Dëgjo këtu ti burrë llafazan dhe kot. Dëgjoni dhe ju të tjerët miq dhe jo miq të mi! Kurrë im bir nuk ka hedhur njerëz në det. Ndryshe e mbyt me duart e mia! Ata që ai çon matanë, shqiptarët, sirianët e afganët, ju i keni parë. Të huajt çoku kanë ndonjë lek, po këta tanët dihet, s’ka ku i kap as qeni, e shumë prej tyre i japin lekët kur kthehen. Të gjithë janë të vdekur, e pa shpresë. Im bir i çon matanë dhe nga të vdekur që janë, i bënë të gjallë, i kthen në njerëz, u jep shpresë duke i hedhur në Itali. Ndaj në vend ta shani, duhet ta falënderoni! As vjedh, as mashtron njeri. Lek me djersë e me rrezik koke është. Çfarë të bënte im bir me tre kalamaj e gruan në ngarkim? Punë s’ka, miq në qeveri nuk kam…

Futi këmishën nën pantallona, kaloi dorën mbi flokët ende të dëndur e të trashë si qime furçe dhe u largua ngadalë. Gjindja që kishte ndjekur gjithë skenën nuk pipëtiu për disa çaste. Disa ishin me Qaniun, të tjerët me Sazanin. Po kjo nuk prishte punë. Rëndësi kishte që sherri këtë rradhë u shmang dhe me sa dukej nuk do të vazhdonte më. E shumta të dy komshinjtë do t’i mbanin mëri njëri-tjetrit për njëfarë kohe. Do t’i kërkonin falje pronarit të kafenesë dhe jeta do të rridhte si më parë. Me policinë banorët nuk kishin punë, as Sazani.

©Gëzim Zilja