Bota Shqiptare

Copëza kujtimesh: Piktorja nga Lekbibajt e Tropojës - Nga Ethem Ruka

E premtja ishte dita kur unë si Ministër i Arsimit dhe Shkencës, prisja shumë qytetarë për lloj-lloj problemesh që lidheshin me arsimin. E çfarë më kërkonin qytetarët? Një mundësi shkollimi për fëmijët e tyre, një mundësi për t’i bërë ata më të ditur dhe më të mirë për jetën.

Sot, pas njëzetë e ca vitesh është e vështirë të imagjinohet një situatë e tillë. Ndihesha tmerrësisht keq kur ktheja përgjigje negative duke u munduar të shpjegojë se kuotat e pranimeve ne universitete nuk vareshin nga unë por nga vendimet e veçanta të qeverisë që unë isha i detyruar t’i respektoja.

Pothuajse askush nuk më besonte. Në kokën e çdo qytetari ishte krijuar bindja se një ministër mund të bënte çfarë të donte edhe përtej ligjeve e vendimeve të qeverisë. Isha i bindur që më gjykonin keq, por ky ishte një çmim që duhej paguar në emër të përgjegjësisë. 

Dhe ja në pasditen e një të premteje u erdhi radha për takim dy vajzave, të cilat me shumë drojtje hynë brenda në zyrën time. Njëra prej tyre, ajo më e vogla, mbante në dorë një tablo, çka më bëri përshtypje dhe nuk po kuptoja pse duhet ta kishte sjellë me vete gjatë këtij takimi. Aq e emocionuar ishte, saqë tabloja filloi të dridhej në duart e saj.

I ftova vajzat të uleshin përballë meje dhe drejtorëve që më shoqëronin e mbanin shënim çdo problem që shtrohej.  U përshëndeta me vajzat dhe i pyeta se nga vinin dhe çfarë problemi kishin. Fillimisht foli vajza më e rritur. Ajo më tha se ishte studente në vitin e dytë të Fakultetit të Drejtësisë në Universitetin e Tiranës dhe kishte ardhur të shoqëronte motrën e saj më të vogël që kish mbaruar Liceun Artistik të Tiranës për pikturë. 

Ajo më shpjegoi se motra e saj nuk kishte mundur të fitonte konkursin në Akademinë e Arteve te Tiranës (sot Universiteti i Arteve) dhe rrezikonte të priste edhe një vit tjetër për konkursin e radhës. Kjo do të ishte e pamundur për to nga ana financiare.

Të dy vajzat ishin shumë të stresuara, ndaj u mundova t’i jepja bashkëbisedimit një kahje tjetër, për të krijuar një situatë më miqësore. E pyeta motrën e madhe se në cilin vit të studimeve ishte dhe nëse ishte e kënaqur nga mësimdhenia. Të njëjtën gjë bëra edhe me motrën e saj më të vogël, por jam i bindur që ato i morën pyetjet e mia si një bishtënim për problemin për të cilin kishin ardhur.

Në një çast e pyeta motrën e vogël për tablonë që mbante ne dorë. Mesa më kujtohet tabloja tregonte një livadh, një pemë në mes të tij dhe disa dele duke kullotur. Ajo më shpjegoi se tabloja ishte puna që ajo kishte paraqitur në konkurs, por që komisioni nuk e kishte quajtur të vlefshme për ta kualifikuar si fituese.

Vajza pretendonte se puna ishte e arrirë ndaj e kishte marrë si dëshmi për të më bindur se vendimi i komisionit ndoshta nuk kishte qenë i drejtë. U mundova t’u shpjegoja se unë nuk isha personi i duhur për të vlerësuar pikturën dhe se nuk mund të jepja mendim para komisionit që kishte vlerësuar konkurrentët. Për më tepër, nuk kisha asnjë mundësi të shtoja studentë jashtë kriterit.

Deri në atë çast nuk i kisha pyetur se nga ishin, por nga dialekti kuptohej lehtë që ishin vajza nga Veriu i Shqipërisë. Në një çast i pyeta nga jeni. Asnjë nga vajzat nuk m’u përgjigj, por lexova reagimin e tyre në fytyrë sikur donin të më thoshin se vetëm këtë pyetje nuk do të duhej të kisha bërë. Unë e kuptova që e teprova dhe nuk desha të përsërisja edhe njëherë pytjen për vendlindjen e tyre.

Në këtë çast pashë dy pika lot që rrodhën nga sytë e piktores së vogël dhe rrëshqitën aq pafajësisht faqeve të saj. U trishtova dhe nuk e kuptova pse u arrit deri aty.

-Jemi nga Tropoja, - më tha vajza liceiste. Nga cila pjesë e Tropojës? - pyeta unë. Ashtu e me lot në sy vajza më tha se ishin nga Lekbibaj. E kuptova menjëherë pse vajzat nuk donin të tregonin origjinën e tyre. Me siguri ato mendonin se duke qenë një ministër socialist do të kisha paragjykime për tropojanët, meqënëse më me shumicë mbështetnin Partinë Demokratike, e cila në në vitin 1997 kaloi në opozitë.

Ishin vitet e një lufte të thekur politike, ishte koha kur edhe në fshatin më të thellë, njërëzit ushqeheshin me politike duke u pozicionuar qartazi majtas ose djathtas.

-Vajza, - u thashë, - duhet të jeni shumë krenare për vendlindjen tuaj. Të gjithë kemi një origjinë për të cilën jemi krenarë, dhe mos harroni se vërtet unë jam një ministër socialist, por në këtë karrige jam për të gjithë shqiptarët, pavarësisht nga përkatësitë politike.

Ky bashkëbisedim i shkurtër më preku dhe nuk e di pse më shtyu për një vendimmarrje të shpejtë dhe pse jo të drejtë. Nuk e zgjata shumë dhe mora në telefon rektorin e Akademisë së Arteve, sot Universiteti i Arteve, Profesor Kastriot Çaushin. I thashë emrin e vajzës dhe kërkova të dija se sa larg ishte nga vija e kuqe që pëmbyllte kuotat e caktuar për këtë program studimi. Pas pak minutash rektori Çaushi më ktheu përgjigje duke më shpjeguar se kjo konkurrente ishte e para pas vijës së kuqe. U ndjeva pak i lehtësuar kur mësova se vajza nuk kishte konkurrentë të tjerë që të ishin para saj në renditje.

-Kjo vajzë, - i thashë rektorit, - nesër do të vijë të regjistrohet në Akademinë e Arteve për pikturë. Përgjegjesinë do ta marr unë. Urdhërin me emrin e vajzës do ta sjell me shkresë të veçantë, edhe pse është një kuotë përtej vijës së kuqe të përcaktuar në vendimin e qeverisë. Ju nuk do të keni asnjë përgjegjësi, përgjegjësia është tërësisht e imja. Ja vlen edhe po të më ndëshkojnë. Në fund të fundit po i jepja mundësinë një vajze pa asnjë mbështetje për t’u shkolluar e bërë më e zonja për jetën.

Vajzat e dëgjuan të gjithë bisedën, të bindura se vendimi im ishte në shkelje të një vendimi qeverie. Kur ke përgjegjësi të qëllon ndonjëherë të marrësh vendime për jetën e të tjerëve, ashtu sikundër të tjerë kanë marrë vendime për jetët tona.

Vajzat të befasuara nga kjo vendimmarrje u transformuan tërësisht. Ishin gati të më përqafonin. Vajza piktore, nuk dinte si të më falënderonte dhe më tha se donte të ma falte pikturë që kishte sjellë me vete.

E falendërova, por nuk e pranova. I thashë ta ruante atë pikturë gjatë gjithë jetës, duke e kuptuar një ditë sa e rëndësishme kishte qenë ajo për të. Kështu u ndamë me vajzat nga Lekbibaj e Tropojës, që ishin aq të motivuara për t’u shkolluar dhe ndërtuar jetën me dinjitet. Lotët e piktores ishin tharë dhe vendin e tyre e kishte zenë gëzimi.

Kishin kaluar disa ditë, kur në ministri mbërrin një letër e shkruar me aq dashuri nga studentja e pikturës. Ajo më shkruante se ishte besimtare katolike dhe çdo mbremje lutej për prindërit e saj dhe për mua që i dhashë një mundësi për të transformuar rrjedhën e jetës së saj. Bashkë me letrën më kish dërguar edhe librin e shenjtë, Biblën, të cilën e ruaj edhe sot.

Nuk i ritakova asnjëherë tjetër ato dy vajza, por takimi me to ka mbetur aq i freskët, sikur të kishte ndodhur dje. Unë krijova një mundësi nga pamundësia dhe u ndjeva mirë shpirtërisht.

Shumë e shumë vite më parë edhe unë nuk e kisha imagjinuar që mund të bëja shkollë të lartë, pale të bëhesha edhe ministër. Me pak ndryshime historitë tona të jetës janë të ngjashme, pavarësisht prej nga mbërritem në Tiranë.

Nëse një vajzë lutej për prindërit por edhe për mua, s’ka si të mos ndihesha mirë kur mendoja se për pak minuta kisha bërë një vend të vogël brenda një shpirt të madh njerëzor. 

Ky ishte një çmim mirënjohjeje që nuk mund të krahasohet me asgje tjetër, edhe pse kisha shkelur një vendim qeverie.  Them se kam bërë mirë.

© Ethem Ruka