Bota Shqiptare

Ethem Ruka: Nga legjenda e “Zojës së Këshillit të mirë” te Universiteti Katolik

Poshtë kështjellës së famshme të Rozafës në Shkodër ndodhet një kishë e vjetër katolike.  Nëse muret e saj u shndërruan disa herë në rrënoja, rrënjët e saj hyjnore mbijetuan në shpirtrat e besimtarëve përgjatë shumë shekujve. Aq e vjetër është kjo kishë, sa historia e saj mbresëlënëse ka marrë trajtën e një legjende dhe legjendat kanë privilegjin të bëhen të pavdekshme. Ato, megjithëse humbasin pak e nga pak sensin e kohës dhe lëmohen nga detajet, arrijnë të ruajnë e transmetojnë mesazhe të freskëta që mbërrijnë deri në kohët tona.

Nga ndërtimi i mureve të kështjellës lindi legjenda e famshme e Rozafës, ndërsa nga rrënimi i mureve të kishës poshtë saj, lindi legjenda arbërore e Zojës së Këshillit të Mirë. Kjo legjendë, e lidhur ngushtë me rrënjët e Krishtërimit katolik në Shqipëri, i dedikohet një figure murale, ku tregohet Shën Mëria me birin e saj Jezusin.

Ikonat me këtë temë janë të panumërta, por Zoja jonë e Këshillit të Mirë sjell një mesazh krejt të veçantë, atë të mbijetesës me çdo kusht të besimit të krishterë dhe ruajtjes së identitetit të arbërorëve në familjen e tyre të natyrshme perëndimore. Perandoria Osmane u mundua ta shkëpusë këtë identitet nga Perëndimi, por nuk mundi ta vrasë Zojën e Këshillit të Mirë që besimtarët e kishin shndërruar në legjendë. Dhe legjendat nuk vdesin as nga shigjetat, as nga shpatat dhe as nga gjylet e pushtuesit. 

Thonë se se më 25 prill të vitit 1467, kur hordhitë e Perandorisë osmane u dyndën në Shkodër, kisha poshtë kalasë u rrënua, ndërsa figura hyjnore e Zojës së Këshillit të Mirë mbeti e padëmtuar në një nga muret e saj. Dy besimtarë katolikë shkodranë, De Giorgio dhe De Sclavis, e hoqën Zojën e Këshillit të Mirë dhe pasi kapërcyen detin e çuan në Gjenacano afër Romës. Aty, ajo u ruajt deri në ditët tona.

Besimtarët katolikë nuk e harruan kurrë hyjninë e tyre, por vazhdimisht e vizituan atë për t’u falur e bekuar prej saj. Ata mbetën besnikë të besimit të tyre dhe ruajtën me xhelozi identitetin europian të Shkodrës dhe gjithë Shqipërisë.

Ja që dhe një figurë e vogël kishtare na sjell sot edhe pse pas disa shekujsh këtë mesazh të madh për identitetit tonë kombëtar. Ndonëse emri i saj u italianizua në Madre del Buon Consiglio, shqiptarët në shekuj e thirrën atë me emrin e vërtetë Zoja e Këshillit të Mirë.

Në nderim të saj, Këshilli i Ipeshkëve Shqiptarë, në vitin 1895, themeloi Fondacionin Zoja e Këshillit të Mirë dhe e shpalli këtë hyjni si Pajtore të shqiptarëve. Ata i dhanë asaj frymën kombëtare duke shndërruar në simbol të bashkimit të shqiptarëve përtej besimeve të tyre fetare.

Erdhi një ditë që Perandoria Osmane u shëmb dhe shqiptarët u bënë të pavarur. Harta e besimeve të të parëve tanë kish ndryshuar, ndaj të mënçurit e kombit shpallën shqiptarinë si besim të shqiptarëve.

Megjithatë, kisha e dikurshme e Zojës së Këshillit të Mirë, për shumë pak kohë, u bë mollë sherri mes besimatrëve myslimanë dhe atyre katolikë. Aty nga fillimet e shekullit të kaluar, të dy palët pretendonin pronësinë mbi të dhe nevojën për të praktikuar ritet e tyre fetare.

Për të shmangur grindjet u ngarkuan dy burra të mënçur shkodranë, një mysliman dhe një katolik, Jusuf Efendi Golemi dhe Shan Deda, të cilët duhet të gjenin zgjidhje. Zgjidhja e tyre e kompromisit ishte se në të duhet të faleshin edhe myslimanët edhe katolikët. Në fakt stërgjyshërit e të dy palëve kishin rrënjë të njëjta besimi. Atë e dinte më mirë Zoja e Këshillit të Mirë, që shikonte me dhimbje besimtarët e saj që përtej brigjeve te Adriatikut.

Kisha e Zojës së Këshillit të Mirë u rrënua përsëri gjatë regjimit komunist për t’u ringritur sërish në vitet 1990, kur u rifitua liria e besimit fetar. Kohët kishin ndryshuar.

Shqipëria rivendosi lidhjet e këputura për gati 45 vite me Selinë e Shenjtë në Romë. Më 18 dhjetor 1991, Nunci Apostolik imzot Ivan Dias, paraqiti Letrat Kredenciale te Presidenti i Republikës në Tiranë. Disa muaj më vonë ambasadori shqiptar bëri të njëjtën gjë në Vatikan. Më 15 prill të vitit 1993, Papa Gjon Pali i Dytë vizitoi për herë të parë Shqipërinë. Legjenda e Zojës së Këshillit të Mirë po bëhej realitet.

 Më 23 nëntor Fondacioni me emrin e saj, njihet zyrtarisht nga qeveria shqiptare, duke patur si objektiv shërbime në fushën e shëndetësisë dhe arsimit. Në të njëjtin vit, me ndërmjetësinë e Shenjtores sonë emblematike Nënë Terezës, qeveria Meksi vuri në dispozicion të fondacionit një truall në Rrugën “Dritan Hoxha” për të ndërtuar një siptal të ri. Mbetej të investohej edhe në fushën e edukimit.

Në vitin 1998, kur unë drejtoja Ministrinë e Arsimit, prita në një vizitë zyrtare ambasadorin e Selisë së Shenjtë në Tiranë dhe Imzot Rrok Mirditën, ipeshkëv i Tiranë-Durrësit. Qëllimi i vizitës ishte prezantimi i projektit për hapjen e një universiteti katolik në Tiranë me emrin hyjnor “Zoja e Këshillit të Mirë”. Nuk kisha dëgjuar asgjë më parë, por u ndjeva me të vërtet i mrekulluar. Si mund të kundështohej një propozim i tillë, kur dija se në botë ishin dhjetëra universitete të shkëlqyera katolike.

Nuk vonoi shumë dhe u ftova në Romë nga Instituti Dermopatik i Zonjës së Papërlyer (Instituto Dermopatico dell’Immacolata ose shkurt IDI) në Romë, pronë e kishës katolike. Gjatë kësaj vizite, jo vetëm që u njoha më nga afër për projektin e spitalit, por edhe për atë të universitetit katolik. Në këtë vizitë ishte planifikuar edhe një takim pune në Selinë e Shenjtë me Sekretarin e Shtetit të Vatikanit, kardinalin Angelo Raffaelo Sodano.

Kisha vizituar më parë sheshin vezak të “San Pietros”, kisha parë nga jashtë Bazilikën e famshme me të njëjtin emër dhe kisha vizituar muzeun e pasur të Vatikanit, por nuk e kisha imagjinuar se do më jepej rasti të shihja nga brenda Pallatin Papal, që përbën rezidencën kryesore të Papës.

Takimin me Kardinalin Sodano ishte shumë miqësor dhe u përqëndrua kryesisht në ngritjen e një spitali në Tiranë, e mbi të gjitha ngritjen e Universitetit privat Katolik me emrin domethënës “Zoja e Këshillit të Mirë”. U ndjeva edhe më i nderuar që kardinali më ftoi të drekonim së bashku. Ishte më të vërtetë një ditë krejt e veçantë për mua, të cilën nuk e ka fat kushdo. Me sa kuptova kardinali donte të njihte nga afër vullnetin e qeverisë së majtë shqiptare për realizimin e këtij projekti kaq të rëndësishëm për arsimin e lartë në Shqipëri. E sigurova kardinalin Sodano se ministria që drejtoja do të bënte gjithçka për t’i dhënë jetë sa më shpejt projektit.

Për fat të keq ne ishim të papërgatitur. Për ngritjen e universitetit duhej baza ligjore që mungonte tërësisht dhe një territor prej mijëra metrash katrorë. Iu futëm punës dhe ndryshuam Ligjin e Arsimit lë Lartë, sepse ligji ekzistues i vitit 1995 nuk e parashikonte arsimin e lartë privat. Me miratimin e ligjit të ri në vitin 1999 e kapërcyem një barrierë kufizuese.  Mbi bazën e ligjit të ri, Drejtoria e Arsimit të Lartë, që drejtohej nga Prof. Dr. Edmond Hajdëri, përgatiti vendimin e qeverisë që përcaktonte gjithë kriteret për hapjen e një shkolle të lartë private.

Tashmë baza ligjore nuk kishte asnje pengesë, mbetej të gjendej trualli për universitetin. Kështu na gjeti viti 2000 kur Edi Rama u zgjodh për herë të parë Kryetar i Bashkisë së Tiranës. 

Kur i shpjegova Ramës projektin për hapjen e këtij universiteti, mbeti i befasuar dhe më tha se do ta gjente menjëherë truallin e duhur. Nga entusiazmi më tha sikur ta ndërtonim universitetin në Parkun Rinia. E kundërshtova duke i thënë se ai park nuk duhej prekur përsa kohë ndodhej në qendër të Tiranës dhe i përkiste qytetarëve të saj. Menduam disa variante por nuk na u mbush mendja.

Pas disa ditësh, Rama më telefoni dhe më tha se e kishte gjetur truallin. Do të shtohej me mijëra metra katrorë trualli që qeveria e djathtë kishte dhënë për spitalin që do të ndërtohej në krah të rrrugës “Dritan Hoxha”. Ishte një gjetje e përsosur.

Në vitin 2001 lashë me dhimbje Ministrinë e Arsimit. Kryeministri Meta me emëroi ministër Mjedisi dhe unë nuk munda ta çoja deri në fund projektin e këtij universiteti që u hap për herë të parë në vitin 2004.

E rëndësishme ishte që emri shekullor i “Zojës së Këshillit të Mirë”, i lindur me dashuri hyjnore nga klerikët katolikë të Shkodrës, do të shënohej edhe në diplomat e studentëve shqiptarë pa dallim feje. Dhe unë ndihem shumë krenar që m’u dha mundësia të kontribuoja sado pak për të.

© Ethem Ruka