Bota Shqiptare

Videoja virale dhe e vërteta e Princ Leka II dhe trashëgimisë së tij - Nga Enver Bytyçi

U bënë disa ditë që kur videoja e e sherrit midis familjes Zaharia dhe Princit Leka II u bë virale. Ajo video doli nga zyrat e shtetit, saktësisht të policisë së tij.  Pastaj u vunë në rrjesht, jo pak, por 144 aktorë (kaq shumë aktorë mund të ketë gjithë Ballkani, por jo Shqipëria). Ata nxituan me vrap dhe si me magji mblodhën firmat për të marrë në mbrojtje Elian dhe për ta denigruar e sulmuar Princin Leka II. Më pas pamë se si ishin instruktuar propagandistët e shumtë të “Rilindjes” që të artikulonin pyetjen e çuditshme, nëse Leka II ishte princ ose jo?!

Më tej akoma pamë heshtjen e pazakontë të autoriteteve të shtetit, heshtje intriguese për të dhënë mesazhin se “gjithçka që po ndodh qenka jashtë skemave të tyre”. Akoma më tej ngjarja e lançuar nga videoja ndezi sentimentet anti-monarki, kundër mbretit Zog dhe veçmas kundër princit Leka. U dhanë sekuenca të Mbretit Leka I, babait të Princit, ku ai shfaqej me armë në brez, për të demantuar përshtypjen e krijuar, sipas së cilës Princi Leka II është qytetar shembullor, i edukuar dhe modern.

Gëluan sërish tryezat e rrumbullakëta, drejtkëndore e katrore, madje trekëndore të mediave televizive, për të dhënë mesazhe armiqësore dhe për të demaskuar personin që ishte viktimë e ngjarjes, pikërisht princin Leka II. Dhe të gjitha këto ndodhën furishëm, çka tregon se gjithçka ishte e parapërgatitur, sapo shteti mori në dorë videon aq të dëshiruar për të. Si gjithmonë, edhe kësaj radhe skenaristët e regjisorët, midis tyre edhe prindërit e një vrasësi serial firmëtarë të peticionit, hartuan planin e “demaskimit” të Princit Leka II dhe trashëgimisë së tij.

Qëllimi ishte krejt i pastër: Të delegjitimohej kjo trashëgimi dhe të revokohet ligji i kohës së Fatos Nanos për njohjen e familjes mbretërore dhe trajtimin e saj si e tillë. Më pas do të vijë delegjitimimi i pronave që i janë dhënë kësaj familjeje dhe shtetëzimi i tyre, në fakt sekuestrimi. Gjithçka është sajuar e ndërtuar me skemën e grabitjes së Vilës së Zogut në Durrës. Nuk dihet nëse grabitja e kësaj vile ka të bëjë me Alabarin e Dubait apo jo. Ndërsa vendimi i gjykatës së faktit për ta larguar Princin Leka II nga Pallati mbretëror është parathënia e sekuestrimit të pronave të tij. Balta që u hodh është baltë e pushtetarëve të korruptuar dhe grabitqarë të pasurive të shqiptarëve. Pasi ata grabitën gjithçka tjetër, tani kanë vendosur të sekuestrojnë pronat e Familjes mbretërore.

Nuk mjaftoi bujaria e fisme e Princit Leka II ndaj ish-bashkëshortes së tij, Elia Zaharias, që të uleshin gjakrat. Edhe pse Princi i dhuroi asaj pasuri në miliona euro, sërish skema e sulmeve mafioze ndaj familjes mbretërore vazhdoi. Tani Princi Leka II do të përballet me shtetin e mafies dhe mafien në pushtet në këtë vend të mallkuar prej ideologjive perverse që burojnë nga doktrina e Sorosit. Sipas kësaj doktrine mafia në pushtet duhet të ndjekë linjën demasko dhe deligjitimo në publik, sekuestro e grabit pasuri e prona të të tjerëve. Televizionet, rrjetet, sociale aktorët komedianë me shumicë, që fimosën prishjen e Teatrit, pra qindra njerëz pa dinjitet, bëhen interpretë dhe mjete në duart e pushtetit për ta arritur këtë qëllim të përbashkët.

Viktima kësaj radhe është Princi Leka II. Që ai është viktimë, duket nga videoja e publikuar. Shiheni me vëmendje. Ndërsa Elia dhe babai i saj çirren, bërtasin, fyejnë, akuzojnë, ai, Princi pra, shihet i trishtuar, i pikëlluar, në mbrojtje dhe gati pa shpresë përballë këtij zemërimi që buron nga urrejtja jo vetëm për Lekën II, por edhe për trashëgiminë e tij. Trashëgimia është motivi dhe shkaku kryesor i kësaj komedie. Dhe shqiptarët në shumicë u sulën kundër trashëgimisë, kundër të vërtetës, kundër të drejtës. Morën anën e ish-gruas së Princit, gjoja se “duhen mbrojtur të drejtat e grave”!? Pra, edhe të drejtat e grave që dhunojnë e sulmojnë burrat.

Pinci i shqiptarëve, Leka II, fatmirësisht e regjistroi sherrin. Ndryshe ai sot do të ishte në qelitë e Edi Ramës dhe Erion Veliajt, dy skuthat që përgatisin çdo konflikt në këtë vend, vetëm që të grabisin prona e toka, ku mund të ngrenë grataçiela. Halli i këtyre të dyve nuk është vetëm trashëgimia e Ahmet Zogut, këtij shtetari që nuk ka mundur ta zevendësojë askush deri më sot. Halli i tyre është të rikthejnë Kongresin e Përmetit, më synim më pas pastrimin e parave të mafies e të korrupsionit përmes ndërtimit të grataçielave.

© Enver Bytyçi