Bota Shqiptare

Po të ishte gjallë Nënë Tereza sot - Nga Lutfi Dervishi

Lutfi Dervishi

Sot, në përvjetorin e shenjtërimit të Nënë Terezës, rrjetet sociale të ministrave, deputetëve, zyrtarëve, politikanëve, janë mbushur me postime pa fund. Fjalët e Shën Terezës kanë zëvëndësuar fotot e inspektimeve në kantiere, shiritat e inagurimeve dhe premtimeve për Shqipërinë e 2030.

Por, çfarë do të bënte Shën Tereza nëse do të ishte gjallë sot?

Ndoshta Ajo nuk do të postonte në Instagram/X/Facebook/tiktok foto të vobektëve, sepse kur jep (dora) e majtë, nuk duhet ta shohë e djathta.

Nënë Tereza vërtet ushqente të uriturit dhe kujdesej për të sëmurët. Çfarë koinçidence - të njëjtën gjë bëjnë sot edhe ministrat, politikanët dhe zyrtarët qeveritarë!? Ata po sakrifikohen deri në atë pike, sa po bëhen ushqim për rrjetet sociale, duke shuajtur urinë që kanë të varfërit për lajme, foto dhe video.

Nënë Tereza i donte realisht të varfërit. Çfarë koinçidence - edhe qeveria jonë i do dhe e ka treguar me fakte këtë dashuri. Falë punës dhe përkushtimit të saj, numri i të varfërve sa vjen dhe shtohet duke mbajtur gjallë traditën e mirë të bamirësisë.

Në fakt ajo që po bën sot qeveria është më shumë se mrekulli. Se si ka mundur që me postime të marrosë një turmë të tërë, kjo mbetet një mister që edhe Vatikani nuk po mundet ta shpjegojë.

“Nuk është sa shumë japim, por sa dashuri kemi për të dhënë”, thoshte Nënë Tereza; kështu po ndodh me shpërthimin e madh të dashurisë në rrjetet sociale…

Merrni për shembull një foto apo video nga unaza e madhe e Tiranës, një projekt ku punohet natë e ditë, prej dekadash, dhe ku afatet shtyhen pafundësisht. Sa më shumë zvarritet puna, aq më shumë shtohen fondet dhe, sigurisht, edhe “like”-t dhe komentet pozitive.

Po të ishte gjallë Shën Tereza sot do të ngazëllehej kur të kuptonte se sa shumë ndikim ka ketu vepra e saj. Merr për shembull përuljen.

A keni parë politikanë më të përunjur se në Shqipëri? Të ndrojtur si të rinjtë në para-adoleshencë, njerëz që skuqen kur qëllon që thonë ndonjë gjë të pasaktë dhe që ecin me kujdes në rrugë për të mos shqetësuar as mizat e tokës.

Shën Tereza do të lumturohej kur të mësonte se përfaqësuesit e popullit e dyfishuan rrogën e vet dhe shtesën e rrogës e kaluan për bamirësi.

Nobelistja shqiptare thoshte: “Ne nuk mund të bëjmë gjëra të mëdha, por mund të bëjmë gjëra të vogla me dashuri të madhe”.

Këtu bëhen gjëra të mëdha (PPP, Konçensione, investime strategjike) me entuziazëm të jashtzakonshëm.

Shenjtorja shqiptare do të habitej sa shpesh përmendet emri i saj.

Nuk ka zyrtar që çdo ditë nuk i thotë “hallexhinjve” (që mund të jenë të papunë, të pastrehë, apo biznesmenë)

- Pse Nënë Tereza jam unë?

© Lutfi Dervishi