Aktualitet

Kadare merr Çmimin e Karrierës akademike 2017

Shkrimtarit të madh Ismail Kadare iu dorëzua sot Çmimi i Karrierës akademike-2017, në një ceremoni të mbyllur për mediet-sepse kështu ka preferuar Kadare- pohojnë burime pranë institucionit.  Edhe pse ceremonia e dhënies së çmimeve vjetore të Akademisë së Shkencave 2017 u organizua më 12 prill 2018, Ismail Kadare mundi të ishte pas dy muajsh i pranishëm për të tërhequr çmimin.

“Ky çmim është kurora e çmimeve shkencore kombëtare vjetore të akademisë sonë, krahas çmimit Çabej, atij Radovicka dhe çmimit për kërkuesin e ri më të suksesshëm. Megjithatë, Çmimi i Karrierës, që juria e posaçme vendosi t’ju akordohet Ju, është thjesht një shenjë nderimi krahasuar me çmimet e mirënjohjet e larta ndërkombëtare dhe titujt e nderit që keni fituar për merita të veprës Suaj ngado nëpër botë. Kur juria mori këtë vendim, ne të gjithë kemi menduar njësoj: -që emri Juaj, vepra Juaj, janë të tilla që asnjë çmim nuk i mbulon dot”, u shpreh Vaso Tole, sekretari i Akademisë së Shkencave.

Kadare ka shprehur mirënjohjen dhe ka biseduar për probleme të ndryshme të imazhit të vendit tonë në botë, por “fjala e tij nuk është protokolluar”, -shprehen burime nga Akademia e Shkencave. Burimi: Mapo.al