Aktualitet

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti mirëpriti studiuesen Dr. Merita Toçila

Zyra e Kryeministrit të Kosovës njoftoi se Kryeministri Albin Kurti, mirëpriti në takim, më 3 prill 2025 Dr. Merita Toçilën, studiuese dhe artiste e njohur, autore e monografisë “Kostumografia në Art”.

Dhe në vazhdim ata diskutuan mbi veprën e studiueses dhe kostumografinë shqiptare ndër shekuj, që përmbledh pasurinë e veshjeve tradicionale nga të gjitha trevat shqipfolëse dhe në të gjitha etapat historike të kombit tonë sjellë përmes artit pamor. “Studimi voluminoz i Dr. Merita Toçilës, i mbështetur mbi një punë të palodhur kërkimore dhe artistike, tashmë do të jetë pjesë e arkivës sonë të brendshme.” – thuhet në lajmin zyrtar.

Kryeministri shprehu vlerësimin dhe mirënjohjen për autoren, jo vetëm për këtë botim të rëndësishëm, por për gjithë përkushtimin dhe punën shumëvjeçare në ndriçimin dhe promovimin e identitetit shqiptar përmes artit dhe studimit.

Vepra “Kostumografia në Art”, - theksohet në faqen zyrtare të kryeministrit Kurti, -  duhet të gjejë vend të denjë në institucione arsimore, hapësira kulturore dhe artdashëse e kudo ku vlerësohet trashëgimia jonë e përbashkët.