Aktualitet

Thirrje e Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit  

Gjatë ditës së djeshme, qindra qytetarë iu bashkuan thirrjes së Aleancës për të marshuar drejt Kryeministrisë dhe Presidencës për të kërkuar mos-dekretimin e ligjit mbi Teatrin. Artistët dhe qytetarët i kërkuan Presidentit të marrë përsipër përgjegjësitë e tij, sidomos në një moment tejet delikat kur Gjykata Kushtetuese është e bllokuar. Ata i rikujtuan institucionit të Presidencës se në këto momente mbetet një nga hallkat e vetme ku pushteti i Qeverisë mund të kontrollohet e limitohet, ashtu siç duhet ndodhë në një demokraci.

Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit kërkon t’i rikonfirmojë mediave dhe publikut edhe njëherë qëndrimin e saj në lidhje me hapat e ndërmarra nga Qeveria deri tani.

1) Qeveria duhet të hedhë poshtë përpjekjet për të miratuar ligjin e veçantë mbi Teatrin. 
a. Ai është një ligj absurd, anti-kushtetues, që shkel parimet e barazisë dhe ndarjen e pushteteve, dhe ka si synim grabitjen e truallit publik për interesa private. Nuk mund të ketë asnjë negociatë për dhe mbi atë projektligj. Kjo kërkesë ka qenë e qartë, konsistente dhe e panegociueshme;
b. Propozime alternative, si ato mbi një konkurs ndërkombëtar apo prani artistësh në grupin e negocimit të ngritur nga ky ligj, janë personale dhe aspak të mbështetur nga Aleanca;
c. Këto negociata për më tepër nuk mund të zhvillohen me Kryetarin e Bashkisë, i cili nuk është as autoriteti propozues i ligjit, por vetëm me përfaqësuesit e Qeverisë.

2) Sheshi i protestës ka qenë dhe mbetet një forum i hapur për të tërë. Për ne është kënaqësi e madhe që personat prezent kanë bindje nga më të ndryshmet politike e ideologjike, por janë mbledhur përreth një kauze më të madhe. Është bindja jonë që kjo frymë dialogu, demokracie, dhe lirie do mbetet një nga trashëgimitë më të mëdha shoqërore të kësaj lëvizje.

3) Aleanca mbetet e bindur, bazuar mbi dokumente dhe raporte të shumta teknike, që godina aktuale mund të restaurohet dhe të mbetet trashëgimi e qytetit. Opsionet e mundshme në lidhje me një godinë të re janë të shumta dhe do dalin në pah vetëm kur procesi të futet në rrugë ligjore.

Aleanca do vazhdojë protestën e saj të vazhdueshme çdo ditë në sheshin e Teatrit në orën 19:00. Duke falenderuar të gjithë qytetarët që na janë bashkuar deri më sot, ne ju bëjmë thirrje të tjerëve të na bashkohen. Kauza e Teatrit është e të gjithëve.

Ju faleminderit,

Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit

Shënim: Nëse herë pas here propaganda e qeverisë ia del t’ju shpërqëndrojë, kjo figura këtu poshtë është konkretisht ajo çka e pret teatrin dhe pronën publike nëse ligji që u votua në parlament hyn në fuqi. Mbi 5000 metra² pronë publike grabiten në mes të Tiranës.