Pse shqiptarët e Maqedonisë duhet ta përkrahin referendumin
- Nga: Xhevdet Nasufi
Sot në Maqedoni dhe në distancë, parakalojnë figura të rëndësishme të politikës, të Amerikës dhe Europës, me porosi të qarta për përkrahje të referendumit në 30 Shtator. Ky angazhim intensiv, i paparë në Maqedoni, duhet të mirëpritet me ndjesinë më të lartë pozitive nga qytetarët e saj. Shqiptarët duhet ta mirpresin edhe më të ngazëllyer për tre arsye madhore:
E para, sepse historikisht janë pjesë e civilizimit përëndimor;
E dyta, sepse integrimi në NATO, përfundimisht në Maqedoni do çrrënjosë përpjekjet për rikonfigurim gjeostrategjik prorus në Ballkan, përpjekje aktive edhe këto ditë;
E treta, sepse do të nisë procesi i përfundimit të tranzicionit në shoqërinë shqiptare, proces i cili me kuadrot e tanishme politike, si në Maqedoni, Kosovë e Shqipëri, me sistem të ri pluralist, shumë vështirë po ndahen nga i vjetri.
Si duhet të veprojnë shqiptarët?
Tërë ky diskurs dhe impenjim për europianizim të Maqedonisë në sensin më të mirë të mundshëm, nuk i ngjan atij që tash ka disa vjet e bënte politika me cinizmin e vet në vazhdimësi, përfshi edhe atë shqiptare.
Sot, shqiptarët si asnjëherë më parë e ndjejnë nevojën për një ndryshim të madh që duhet të ndodhë. Kjo nevojë ndihet dhe frymohet nga diskursi i perëndimorëve këtu dhe nga distanca, por edhe nga vetë frymëmarrja politike e vetë shqiptarëve, pa dallim të djathtë apo të majtë, të cilët në plebishite nuk e kanë sfiduar negativisht asnjëherë përcaktimin dhe vlerat euro-atlantike.
Shqiptarët, nisur nga përvoja e hidhur historike, por edhe nga vendosmëria për të ndryshuar të sotmen e pasigurt, bile edhe shqetësuese, integrimin në NATO dhe në BE i shikojnë si të vetmet mundësi për ndërtim të shtetit të të barabartëve, shtetit të demokracisë liberale, shtetit të mirëqenies qytetare, krahas ombrellës së sigurisë dhe qetësisë në zemër dhë mëndje për të nesërmen.
Pra, shqiptarët, më 30 Shtator, duhet të dalin në plebishit, të përkrahin integrimin eurotlantik, të përkrahin referendumin që përputhet plotësisht me përkushtimin dhe interesin etnik të tyre. Pra, objektivi i këtij referendumi është integrimi euroatlantik, prandaj masiviteti dhe pozitiviteti i shqiptarëve për dalje dhe verdikt në 30 Shtator është përkushtim për vehten, për përshpejtim të zhvillimit të ngecur dhe realizimin e ëndrrës për barazi, për mirëqenie, por edhe përgjigje ndaj të gjithë atyre që janë kundër integrimeve dhe kundër tyre si komb këtu e në gjithë rajonin.












