Aktualitet

Dita Kombëtare e Trashëgimisë Kulturore

Në kuadër të 29 Shtatorit, “Ditës Kombëtare të Trashëgimisë Kulturore” dhe të “Ditëve Europiane të Trashëgimisë Kulturore”, Muzeu Historik Kombëtar çeli ekspozitën fotografike me titull “Trashëgimia kulturore shqiptare në botë”.

29 shtatori është dita kur kujtojmë trashëgiminë kombëtare shqiptare, pjesë e trashëgimisë europiane, ku të gjitha vlerat e saj materiale dhe shpirtërore bëhen një së bashku për t’ua përcjellë brezave si dëshmi të identitetit kulturor.
Në fjalën e tij të hapjes drejtori i Muzeut Historik Kombëtar, Dorian Koçi, u shpreh se:

"Shumë objekte të trashëgimisë sonë kulturore gjenden të ekspozuara jashtë territoreve shqiptare. Këto objekte do të sillnin të dhëna me vlerë për historinë dhe trashëgiminë tonë kulturore në shekuj. Objektet të cilat kanë origjinën si dhe certifikatën e autorësisë në Shqipëri, sot ndodhen në muzetë e shteteve të ndryshme të botës. Fotografitë e objekteve të paraqitura gjenden në muzetë e botës, si në Londër, në Vjenë, në Luvër, në Stamboll, në Janinë, në Athinë, në Nju-Jork, në Toronto etj.".

Ekspozita fotografike me titull “Trashëgimia kulturore shqiptare në botë” përmban objekte arkeologjike si Sarkofagun e Meleagrit, Stelën e Parmeniskut, Thesarin e Vrapit, Kokën e Aresit, monedha ilire etj. Me interes të veçantë janë shpata dhe përkrenarja e Gjergj Kastriot Skënderbeut si edhe armët e përdorura nga Ali Pashë Tepelena: pushka e gjatë karajfile, koburja dhe topuzi Skeptër. Në ekspozitë nuk mungojnë edhe objekte të ndryshme etnografike".

Ditët Europiane të Trashëgimisë synojnë mbrojtjen, promovimin dhe ndërgjegjësimin e opinionit publik për vlerat e trashëgimisë sonë kulturore.