Kreu i Delegacionit Kanadez në Asamblenë Parlamentare të NATO-s viziton Kosovën
Sipas një njoftimi të Ambasadës së Republikës së Kosovës në Ottawa, në Prishtinë po kryen një vizitë zyrtare deputeti federal dhe Kryetari i Delegacionit Kanadez në Asamblenë Parlamentare të NATO-s Borys Wrzesnewskyj. Ai ka takuar krerët më të lartë shtetërorë me të cilët ka diskutuar mbi marrëdhëniet dypalëshe Kanada-Kosovë si dhe zhvillimet në fushën e sigurisë rajonale. Kjo vizitë e rëndësishme, po zhvillohet në kontekstin e 20-vjetorit të ndërhyrjes humanitare të NATO-s në Kosovë, ku Kanadaja ka pasur një rol kyç si dhe në vigjilje të 10-vjetorit të vendosjes së marrëdhënieve diplomatike Kosovë-Kanada. Deputeti Wrzesnewskyj konfirmoi mbështetjen e palëkundur të Kanadasë në favor të integrimit Euro-Atlantik të Kosovës, me theks primar anëtarësimin në NATO. Vlen të theksohet fakti që deputeti Wrzesnewskyj, i zgjedhur në Etobicoke-Toronto, është edhe Zv. Kryetar i Grupit të Miqësisë Kanada-Kosovë në Parlamentin Federal Kanadez. Në vizitën e tij në Prishtinë ai është shoqëruar nga Ambasadori Lulzim Hiseni dhe Ambasadori i Kanadasë në Kosovë Daniel Maksymiuk.













