Gjykata Administrative rrëzon qeverine: Ylli Dylgjeri 1 - Edi Rama 0
Gjykata Administrative ka rrëzuar sot vendimin për shkarkimin e Yllit Dylgjerit nga detyra në Drejtorinë e Agjencisë së Trajtimit të Koncesioneve dhe PPP, në Ministrinë e Financave.
Shkarkimi i Dylgjerit bëri bujë në opinionin publik, për shkak se ishte rast i rrallë kur një nëpunës i administratës publike largohet nga detyra për shkak të komenteve dhe qëndrimeve personale në rrjetet sociale, aq me tepër kur ishte me pushime, pra nuk ishte në punë.
Në seancën e mbajtur sot, Ylli Manjani, avokat i Ylli Dylgjerit, paraqiti argumentet se përse vendimi i shkarkimit ishte jo vetëm pa asnjë bazë ligjore, por edhe precedent i rrezikshëm për lirinë e shprehjes dhe statusin e nëpunësit civil.
Ministria që firmosi shkarkimin e Dylgjerit jepte si motiv komentet humoristike që Dylgjeri ka bërë në Facebook kundër Edi Ramës dhe zv/ministrit të Jashtëm Gent Caka.
Në mënyrë të çuditshme komentet në rrjetet sociale Ministria i ka klasifikuar si qëndrime në media, ndërkohë Facebook, Twitter, etj, nuk janë media, por adresa personale. Me të njëjtin argument që shkrimet në Facebook dhe rrjete sociale janë qëndrime në media, zyrtarë të qeverisë kanë dërguar në gjykatë edhe raste të tjera, duke krijuar precedentë të rrezikshëm që ndalojnë lirinë e shprehjes.
Burimi: alb-spirit.com












