Ish-Kryeministri i Kanadasë Harper viziton Tiranën dhe takon opozitën
Stephen Harper, ish-Kryeministri Konservator i Kanadasë ka vizituar para dy ditësh Tiranën, ku ka marrë pjesë në takimin vjetor të Këshillit Kombëtar të Rezistencës Iraniane dhe ka mbajtur aty një fjalim të posaçëm.
Në takim ka qenë i pranishëm edhe ish-Kryetari i Bashkisë së New York-ut, Rud Giuliani, si dhe përfaqësues të tjerë eminentë të politikës ndërkombëtare. Nuk kanë munguar dhe përfaqësues nga disa parti politike shqiptare, ndër të cilët kreu i Partisë Republikanë, Fatmir Mediu, si dhe ish-Kryeministri Pandeli Majko.
Në llogarinë e tij në Twitter, Stephen Harper ka publikuar dhe dy foto me komentet përkatëse pas takimeve të veçanta që ka zhvilluar në Tiranë me ish-Presidentin dhe ish-Kryeministrin Sali Berisha si dhe me kreun aktual të opozitës Lulzim Basha.
“Pata nderin të ritakohem në Tiranë me Sali Berishën, lider i fortë dhe vizionar, një ndër arritjet më të mëdha të të cilit ishte anëtarësimi i Shqipërisë në NATO” – ka deklaruar ish-Kryeministri kanadez.
Harper ka komentuar dhe takimin më Bashën, kreun e PD dhe liderin e opozitës, duke shprehur vlerësimin për një diskutim të frytshëm mbi situatën aktuale në Shqipëri dhe nevojën për mbrojtjen e demokracisë dhe shtetit të së drejtës.
Në cilësinë e Kryetarit të Unionit Ndërkombëtar Demokrat me qendër në Mynih, ai eshtë shprehur për thellimin e mëtejshëm të bashkëpunimit mes IDU (International Democrat Union) dhe partisë kryesore opozitare shqiptare që është edhe anëtare e kësaj organizate që bashkon parti të djathta dhe të qendrës së djathtë nga 63 vende të botës.
Stephen Harper, me profesion ekonomist, ka shërbyer për gati një dekadë si Kryeministri i 22-të i Kanadasë, nga 6 Shkurti 2006 deri më 4 Nëntor 2015. Prej Shkurtit 2018 ai është zgjedhur në krye të Unionit Ndërkombëtar Demokrat. Në vitin 2007, ai ka pritur gjithashtu në Ottawa, Kryeministrin e asaj kohe Sali Berisha, i vetmi Kryeministër shqiptar i cili ka vizituar zyrtarisht deri më sot Kanadanë, ku aktualisht mendohet se jetojnë rreth 60,000 shqiptaro-kanadeze apo rezidentë të përhershëm.
©Flasshqip.ca