Aktualitet

Vetëvendosjes i duhet Vjosa - Nga Lis Bukuroca  

Nuk mund të bëhet koalicioni sepse VV është parimore, ndërsa LDK konsideron veten parti institucionale, (thua se partitë tjera janë joinstitucionale, ilegale …), domethënë parti që tund bishtin dhe bën koalicion me çdo parti, që i mundëson pushtetin dhe mosndjekjen  e oligarkëve të vet.

Edi Rama fitoi duke i kujtuar popullit krimet e Berishës: duke përmendur shitjen e naftës Serbisë; piramidat e Berishës ku populli humbi qindra miliona, shembjen e shtetit, ku qindra veta humbën jetën, Gërdecin, ku diku 27 veta vdiqën dhe vrasjet e Janarit, ku u ekzekutuan katër veta me gurë në dorë para Kryeministrisë, por që Berisha, i përjetonte të armatosur me armët më të sofistikuara.

Priteshin hetime ndaj Berishës. Nuk ndodhën! Pse? Sepse Basha nesër nuk duhet të arrestojë Ramën për veprat penale, që e akuzon sot. Kjo është marrëveshje jopublike, por që despotët shqiptarë, e respektojnë me përpikmëri.

Edhe Isa Mustafa numëronte veprat penale të Thaçit, pastaj e bëri atë kryetar. Në vend se partia ta rrëzonte, i dha Isës pushtet.

Tani mbetet të shihet Albin Kurti, megjithatë, nuk mund të pritet edhe shumë! Me Isa Mustafën, ai nuk do të mund të hetojë oligarkët e LDK-së, që janë më  të afërt me PDK-në, se sa me partinë institucionale.

Vjosa Osmani duhet të largohet nga ajo parti dhe t’i bashkëngjitet VV-së. LDK nuk e meriton atë. Në VV gjendet brezi i ri, që dëshëron ndryshime, shtet të së drejtës. Me sjelljet e deritanishme, tre burrat e LDK-së (Mustafa, Haziri, Veliu) e kanë defaktorizuar atë dhe ajo nuk do t’i fitojë kurrë më ato vota, si herën e fundit. Pse? Populli u mashtrua duke menduar se LDK po përtërihet, po bëhet më europiane. E mashtruan votuesin dhe garda e vjetër abuzoi me Vjosën. Në vend se ajo të udhëhiqte negociata me VV-në si fituese e zgjedhjeve, stafetën e mori Mustafa, patriarku i partisë 30 vjeçare.

Neroni, perandori i fundit romak i dinastisë julike-klaudiane, e konsideronte veten artist, si sot Rama veten që shfaqet me pizhame. Ai ka mbetur në histori si njeri nga tiranët më barbarë. Për të mënjanuar ndikimin e nënës së vet në pushtet, përgatiti mbytjen e saj me barkë, pasi nuk ia doli, organizoi vrasjen e saj. Senati romak e pat shpallur armik të Romës dhe i pat kërkuar të bënte vetvrasje. Mendohet se vetë i kishte vënë zjarrin Romës. Taciti tregon se Neroni nga shtëpia, i kishte rënë lirës dhe kishte vështruar zjarrin duke bërë muzikë. Muzikë po bëjnë edhe Hashimi, Rama e Mustafa! Qytetarët po ikin pa ia futur ata zjarrin vendit.

Qesarucët tanë nuk mund të krahasohen me Neronin, por i kanë ato epshe që nuk mund t’i kontrollojnë.  Tiparet e Neronit i ka Berisha, Rama, Thaçi, Ramushi, Mustafa, por për fat të mirë, rrethanat janë tjera dhe nuk do të kenë kurrë pushtetin e tij. Edhe pse e gjakojnë dhe shohin ëndërr! Se kë do të kishin vrarë për karrigen nuk dihet, por do ta kishin bërë. Siç e ka bërë Zogu, Enveri, Berisha… Kultura jonë prodhon despotë dhe kelptokratë! Demokratët do të jenë tepër të rrallë, sepse kemi më shumë respekt për ata që na trajtojnë e kërcënojnë si pushtuesi!