Aktualitet

Coronavirusi dhe Shqipëria - Mesazhi i Dr. Tritan Kalo

Pas shpalljes nga ana e OBSH të situatës epidemiologjike të shkaktuar nga Coronavirus si një "emergjencë mbarëbotërore", ka reaguar nga Tirana para rreth një ore përmes një statusi në rrjetin social Facebook edhe infeksionisti i mirënjohur Dr. Tritan Kalo. Ja si shprehet mjeku shqiptaro-kanadez kundër panikut dhe politizimeve, duke bërë thirrje njëkohësisht për kthjelltësi, komunikim të qartë mbi fakte reale dhe besim ndaj profesionistëve të cilët nuk i mungojnë Shqipërisë: 

"Jo panik por kthjelltësi. Vigjilencë kliniko-epidemiologjike, komunikim i qartë dhe mbi fakte reale. Profesionalizëm dhe jo politizime pa vend. Kthjelltësi për arësye se mbrëmë Organizata Botërore e Shëndetësisë njoftoi përcaktimin e situatës epidemiologjike në lidhje me CORONAVIRUSIN e ri si një “Urgjencë mbarëbotërore” (“Global Emergency”), nisur nga fakte konkrete të shtrirjes së këtij infeksioni përtej vatrës fillestare të tij, qytetin Wuhan, Kinë.

Një situatë e tillë u shpall edhe në kohën e SARS-CoV (Nëntor 2002 - Korrik 2003), kur ky infeksion me pikënisje Hong-Kongun preku mbi 27 vënde të Botës, duke shkaktuar 8437 të sëmurë dhe 774 vdekje. Në atë kohë në Itali u diagnostikuan 4 raste me të sëmurë nga SARS-CoV dhe në Rumani 1 i tillë, por që të gjithë u shëruan.

Po mbrëmë në kryeqytetin e Italisë, Romë, dy qytetarë kinezë të ardhur aty ditë më parë nga Wuhan, diagnostikohen të prekur nga ky virus i ri sëmundje shkaktues dhe ata shtrohen në spitalin infektiv të qytetit. Një fakt i tillë na detyron të rrisim shkallën e vigjilencës epidemiologjike për të evidentuar si mjekë, si administratë publike dhe jo vetëm nëse punojmë në sektorë që merren me pranimin në territorin tonë të udhëtarëve të cilët në rrugë ajrore, detare apo tokësore hyjnë te ne, për të qenë më kërkues në informimin në lidhje me pikënisjen e kohën e rrugëtimit të tyre për në Shqipëri.

Në rrafshin klinik si profesionistë të kujdesit parësor, dytësor e terciar të vlersojmë seriozisht çdo rast me grip, si një rrezik më konkret në këto çaste të rritjes së aktivitetit gripal në vendin tonë. Gripi dhe Coronavirus kërcënojnë në veçanti individët me sëmundje bashkëshoqëruese (co-morbozitete), dhe rrezikojnë jetën e tyre për shkak të ndërlikimeve respiratore dhe jo vetëm.

Udhëtimet jo të domosdoshme jashtë vendit, grumbullimet e panevojshme publike, dyndja në poliklinika dhe spitale për arësye jo thelbësore, të cilat shtojnë kontaktet me individë të prekur nga virozat e stinës dhe gripi, janë veprime të detyrimisht të evitueshme për të gjithë ne.

Komunikimi dhe informimi në kohë reale për çdo gjë që duhet ditur nga publiku dhe jo për protagonizëm apo për teorizime konspirative të kota, daravit çdo re që krijohet në jetën praktike të qytetarëve të këtij vendi. Koha si dhe situata të ngjashme kanë treguar se, profesionistët tanë të Shëndetësisë Publike dhe jo vetëm, e kanë përgatitjen e duhur teorike dhe praktike për t’u përballur me të sëmurë të tillë.

Vendin dhe popullin janë profesionistët dhe jo politikanët ata që e zhvillojnë si dhe sa duhet, sepse “punë ka por edhe profesionistët nuk i mungojnë” këtij vendi, për t’i kryer ato në kohën e duhur. Andaj nga të gjithë kërkohet më shumë mirëkuptim, mirëbesim dhe mirëvlerësim për punën dhe përkushtimin e tyre profesional dhe qytetar".