Dr. Genc Sulçebe: Kombinim masash për të minimizuar humbjet nga COVID-19
Nga shifrat e deritanishme në bote duket se vdekshmëria nga epidemia COVID-19 luhatet nga rreth 10% në Itali në 0.3% në rajone të tjere relativisht të vegjel, ku janë masa drastike izolimi dhe veçimi fizik bashkë me testim viral të përgjithshëm.
Janë disa llogaritje të thjeshta të cilat mund t’i bëjmë duke ekstrapoluar nga epidemitë e tjera të ngjashme me COVID-19, siç janë ato të gripit të zakonshëm (influencës) dhe që njihen shumë mirë.
Në fillim të epidemisë u duk se vdekshmëria nga COVID-19 do ishte të paktën 10 herë më e lartë se sa nga gripi i zakonshëm në të cilin vdekshmëria është 1 për 1000 të infektuar.
Tani, duket se numri i individëve të infektuar, por pa shenja klinike, pra ata që i quajmë asimptomatikë, është shumë me i madh se numri i atyre që shfaqin shenja të sëmundjes.
Ka mundësi pra, që në fund të kësaj epidemie nga COVID-19, vdekshmëria mund të jetë në rastin më të mirë 1 në 1000 ashtu si dhe në gripin e zakonshëm.
Në popullatën shqiptare, që të arrihet "imunitetit i tufës", i cili do të lejonte ndalimin e epidemisë, do të duhet të infektohen të pakten 1 Milion vete. Pra, vdekshmëria e pritshme e përgjithsme nuk duhet të jetë më teper se 1000 në shifra totale.
"Mjeshteria dhe Arti" i masave epidemiologjike, mjekësore, administrative etj. është që të minimizohen këto humbje duke i shtrirë ato në kohë dhe duke zhvilluar një aktivitet ekonomik, social, shëndetësor (edhe për të sëmurët jo-COVID-19) sa më afër normalitetit dhe me sa më pak kosto ekonomike dhe sociale.