Aktualitet

Grupimi “Diaspora për Shqipërinë e Lirë” kërkon me ngulm ushtrimin e të drejtës së votës që në zgjedhjet e ardhshme

Pas aktit barbar të shembjes së Teatrit Kombëtar mbi një vendim në shkelje ligjore prej dy niveleve të qeverisjes shqiptare të përfaqësuar nga kryeministri Rama dhe kryetari i Bashkisë së Tiranës Veliaj, shqiptarët e Diasporës, ata të cilët përfaqësojnë vetveten dhe jo interesat e tjetërkujt, u organizuan në grupimin “Diaspora për Shqipërinë e Lirë”.

Florian Haçkaj me banim në Zvicër dhe Bledar Milaqi në Gjermani janë nismëtarët e këtij organizimi. Të dy, prej mëse një jave kanë ngritur struktura dhe po organizohen në mënyrë aktive me bashkëatdhetarët nëpër botë që të luftojnë për interesat e mëmëdheut të marrë peng prej politikanësh të vjetër që kanë shtrirë tentakulat e tyre edhe në Diasporë.

Prandaj këta të rinj pasionantë, i kanë dërguar sot një kërkesë Presidentit të Republikës, Kuvendit të Shqipërisë, kryetarëve të forcave politike, Ministrit të Shtetit për Diasporën, Përfaqësive Diplomatike etj, për mundësimin e votimit në zgjedhjet e përgjithshme dhe lokale nëpërmjet postës, të shtetasve shqiptarë, që jetojnë jashtë Shqipërisë, si një detyrim ligjor i shtetit shqiptar i papërmbushur kundrejt shtetasve të tij.

Shtetasve shqiptarë me të drejtë vote që banojnë jashtë vendit nuk iu është mundësuar kjo e drejtë prej mëse 30 vitesh, ndërkohë që shqiptarët e Kosovës dhe të Maqedonisë Veriore prej kohësh kanë mundësi të votojnë edhe kur banojnë jashtë shtetit të tyre. Haçkaj dhe Milaqi sjellin edhe shembullin e vendeve të BE të cilët u garantojnë shtetasve të tyre votimin eletronikisht, me anë të postës apo edhe pranë ambasadave të tyre, në shtetet ku ata banojnë.

Në kërkesën e grupimit “Diaspora për Shqipërinë e Lirë” argumentohet se sipas INSTAT numri i diasporës së re llogaritet të jetë rreth 1,64 milionë shtetas jashtë vendit ose rreth 36 % të shtetasve shqiptarë gjithsej.

Është e tepërt të kujtojmë këtu edhe rolin e Diasporës në ekonominë e Shqipërisë, remitancat e së cilës lënë pas investimet dhe eksportet.  

Në këtë kontekst, mospërfshirja e kësaj pjesë të bashkëkombasve në zhvillimet politkbërëse dhe ato vendimmarrësve, e cungon proçesin politik në tërësi. 

Kështu, si përfundim, Grupimi “Diaspora për Shqipërinë e Lirë”, kërkon me ngulm nga gjithë aktorët vendimmarrës e konsultativ, ta rendisin këtë kërkesë në rendin e ditës dhe ta aprovojnë atë përpara finalizimit të marrëveshjes e çuarjes në Parlament për votim.