Aktualitet

Ushtari i shefave Avdullah Hoti, "eksperti" i Koresë së Veriut - Nga Enver Robelli

Enver Robelli - Zvicër

Është për keqardhje që Avdullah Hoti ka vendosur të bëhet vetëm një poterexhi politik, pa vetëbesim, me kredibilitet të rrënuar dhe mbi të gjitha shpërndarës të pavërtetash. Sot tha: "Kurti ktheu Kosovën në Kore të Veriut". Gjatë asaj kohe kur Albin Kurti e paskësh shndërruar Kosovën në Kore të Veriut, shoku Hoti ka qenë zëvendës i Kurtit. Domethënë bashkëpjesëmarrës në krim. Si e paskësh lejuar, duruar e toleruar shndërrimin e Kosovës në Kore të Veriut, shoku Hoti? Pse nuk ka luftuar hapur kundër koalicionit me VV-në? Pse nuk ka dhënë dorëheqje nga qeveria kur e ka parë që vendi po bëhet Kore e Veriut?

Nëse ka gjuhë populiste, atëherë kjo çka thotë Hoti është populizëm nga fundi i pusit. Është dashur Hoti të tregohet më trim në vjeshtën e vitit 2019 dhe të dalë kundër "koalicionit të panatyrshëm me VV-në" dhe kundër çdo bashkëpunimi. Pse shoku Hoti pranoi të bëhet pjesë e projektit për ta bërë Kosovën Kore të Veriut? Hoti me gjasë s'ka qenë i sinqertë as atëherë, as tash. Thjesht e ka degraduar veten në ushtar të shefave të partisë, duke u bërë figurë e përdorshme - edhe kësaj radhe.

Sa i përket Koresë së Veriut: për 47 vepra penale në këtë vend njerëzit dënohen me vdekje! Vetëm gjatë fazës brutale të represionit (1958-1960) në Korenë e Veriut janë ekzekutuar 90 mijë njerëz! Mijëra të burgosur punojnë në kampe përqëndrimi. Njerëzit vuajnë nga uria. Përgjohen dhe mbikëqyren. Koreja e Veriut është diktatura më e tmerrshme në botë.

Njerëzit e Kosovës janë gjallë: ata mund të dëshmojnë nëse Kosova ka qenë Kore e Veriut gjatë 50 ditëve në pushtet të Albin Kurtit. Ose ndoshta vërtet njerëzit kanë vuajtur aq shumë gjatë atyre 50 ditëve dhe më 14 shkurt do t'ia bëjnë me dije këtë shokut Hoti, duke iu falënderuar që i nxori në selamet dhe i shpëtoi nga regjimi i Kim Jong-Unit, të cilit Donald Trumpi i dërgonte letra dashurie dhe shoku Hoti deshi ta emërojë një liqen në veri të vendit me emrin e Trumpit.

Kjo fushatë elektorale në Kosovë ka nisur të bëhet qesharake para së të fillojë, kurse vendi vërtet ka nevojë për një përballje argumentesh dhe programesh të politikanëve dhe partive. Jo kashelasha që s'i beson më askush.

©Enver Robelli